Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mëso të komunikosh mirë

Mëso të komunikosh mirë

Përpiqu t’i gjendesh pranë fëmijës kur do që të flasë

«Kam mësuar të dëgjoj e të dëgjoj, pavarësisht se sa e lodhur jam.»​—MIRANDA, AFRIKA E JUGUT.

Vështirësia.

«Vështirësia ime është jo thjesht të jem me time bijë, por të përfshihem mendërisht dhe emocionalisht, me gjithë lodhjen dhe një mal me punë të tjera që më presin»,—thotë Kristina.

Sugjerime.

Krijo ambientin për komunikim të çlirët. «Mundohem të jem unë vetë shembull dhe fëmijët hapen me mua,—thotë Elizabeta, një nënë me pesë fëmijë.—Veç kësaj, i nxis të flasin me njëri-tjetrin e të mos shkojnë kurrë në shtrat të zemëruar me motrën a vëllanë. Për më tepër, ata e dinë se nuk i lejoj që, nga inati, të mos i flasin me gojë njëri-tjetrit.»

Vërua veshin fëmijëve kur flasin. Liana shkruan: «Kur ishte i vogël, tim biri s’i pushonte goja si gjinkallë dhe shpesh s’ia vija veshin. Pastaj, në moshën e adoleshencës nuk fliste më dhe kuptova se kisha bërë një gabim të madh. U përpoqa shumë​—madje më tepër se ç’duhet—​që ta shembja murin. I kërkova mendim një plaku në kongregacion. Ai më sugjeroi ta merrja me qetësi e t’ua çelja gradualisht rrugën bisedave me tim bir. Ashtu bëra, dhe pak nga pak gjërat u përmirësuan.»

Ki durim. Ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»,—thuhet tek Eklisiastiu 3:7. Dulse, një nënë me tre fëmijë, thotë: «Kur fëmijët s’kishin qejf të hapeshin, i siguroja se më kishin aty kur të ndiheshin gati.» Po, në vend se t’i detyrosh të flasin, inkurajoji me ngrohtësi e durim të shprehen. Këtë gjë sugjeron edhe Bibla. «Mendimet e njeriut janë si uji në një pus të thellë, por kush ka gjykim të thellë, mund t’i nxjerrë jashtë.»​—Proverbat 20:5, Good News Translation.

Ji ‘i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur’. (Jakovi 1:19) Lizana, e përmendur në artikullin e mëparshëm, thotë: «Mësova të kafshoja gjuhën kur fëmijët vinin të më flisnin për ndonjë problem. Gjithashtu, mësova të mos nxitoja të jepja këshilla, por të flisja me qetësi kur më mërzitnin.» Lisa, nënë e dy djemve, shkruan: «Jo gjithmonë kam qenë dëgjuese shembullore. Ndonjëherë, problemet e djemve më dukeshin çikërrima, prandaj duhej të mësoja të isha më e kuptueshme.»

 «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir.» (Kolosianëve 4:6) «Që të mos pengoja komunikimin, e detyroja veten të isha sa më e qetë dhe gjakftohtë edhe kur nxirrnin kokë gjëra serioze»,—thotë Liana.

Nëse nuk përpiqesh të ruash gjakftohtësinë e bërtet, vetëm sa i keqëson gjërat. (Efesianëve 4:31) Për shembull, duke i bërtitur fëmijës, mund të ndrydhësh komunikimin e të krijosh më shumë probleme që nesër mund të ndikojnë në sjelljen e tyre. «Fëmija është si guaska,—thotë Hajdi, që ka një vajzë adoleshente.—Nëse nxjerr fjalë të buta e të dashura, do të çelet. Nëse i bërtet dhe e bën të ndihet keq, guaska mbyllet dhe komunikimi merr fund. Që të mos e harroj këtë, kam vënë figurën e një guaske të hapur në derën e frigoriferit.»

Njihi mirë fëmijët. «Dy djemtë e mi ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri,—thotë Jasmina e përmendur më lart.—Njëri është llafazan, tjetri gojëkyçur. Me atë që është i rezervuar, kam mësuar të mos hyj drejt e në temë. Përkundrazi, flas me të kur merremi me diçka, si kur bëjmë ndonjë lojë ose kur ai shprehet për ndonjë gjë që i pëlqen. Kur bën gjëra që i ka qejf, me takt e pyes çfarë mendon për diçka.»

Po nëse një djalë ndihet në siklet të hapet me nënën për disa gjëra personale, si në rastin e djalit adoleshent të Misaos? «Ti s’më kupton fare»,—i tha ai. Ajo kërkoi ndihmë nga një njeri i pjekur dhe i besuar në kongregacionin e saj. Misaoja thotë: «Ai është bërë këshilltari i tim biri e tani zemra e djalit është e qetë.»

Mos e ngatërro rolin e prindit me të shokut. «E ktheva vajzën time adoleshente në shoqen time të besuar,—thotë Ivona, nënë e dy fëmijëve.—E dija që nuk duhej, por rashë në atë kurth dhe duhej ta ndreqja gabimin.» Megjithëse do që të kesh një raport të ngrohtë me fëmijën, mos harro se ti je prindi, një figurë me autoritet. Kur ruan dinjitetin dhe tregon pjekuri e qëndrueshmëri, ia bën më të lehtë fëmijës të respektojë pozitën tënde si prind e të ndjekë urdhrin e Biblës: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj.»​—Efesianëve 6:1, 2.

‘Duajini fëmijët.’ (Titit 2:4) Fëmijët kanë nevojë për dashuri po aq sa kanë nevojë të hanë e të pinë. Prandaj, siguroji rregullisht me fjalë e me vepra se i do. Kështu, jo vetëm do të ndihen më të sigurt, por edhe do të duan të flasin me ty dhe të të binden.