Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkoji ndihmë Perëndisë

Kërkoji ndihmë Perëndisë

A i kërkon ndihmë Perëndisë për rritjen e fëmijëve?

«Kur burri më la mua dhe fëmijët, iu përgjërova Perëndisë të na ndihmonte dhe ai iu përgjigj lutjes sime. S’na ka munguar asgjë e domosdoshme. Ai na ka ndihmuar e na ka drejtuar.»​—MAKI, JAPONI.

NË BOTËN e sotme gjithnjë e më materialiste, njerëzit në përgjithësi s’para mendojnë për Perëndinë. Megjithatë, Krijuesi ynë interesohet për ne dhe do që të kemi sukses në jetë. Ndjenjat e tij shprehen mirë tek Isaia 41:10: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. . . . Do të të ndihmoj.»

Në artikullin e mëparshëm pamë se si Perëndia na ndihmon me anë të vlerave të shëndosha që gjenden në Bibël. (2 Timoteut 3:16) Megjithatë, Bibla nuk është thjesht një udhërrëfyese. Ajo zbulon personalitetin e mrekullueshëm të Perëndisë dhe dashurinë e tij për ne. Kështu, siç kanë kuptuar shumë prindër të krishterë, të vetëm ose jo, kur zbatojmë mësimet e Biblës, shijojmë vërtet mirësinë e Perëndisë.

Roberti, Austri: «Perëndia Jehova është baba ose nënë më e mirë se kushdo prej nesh. Ai e di për çfarë kanë nevojë fëmijët tanë dhe di si t’i mbrojë. Prandaj, i lutem shpesh bashkë me vajzën.»

Ajusa, Japoni: «Kënaqem që djali im është i sigurt për mbështetjen e Jehovait kur thotë: ‘Jehovai është me ne, prandaj çdo gjë do të shkojë mirë.’»

Kristina, Itali: «Kur ndonjë problem duket i pakapërcyeshëm, i lutem Jehovait dhe i lë gjërat në dorën e tij. Fill pas kësaj, ndiej paqe të brendshme se e di që problemi do të zgjidhet në mënyrën më të mirë.»

Lorentina, Francë: «E them me plot gojën se, si prind i vetëm, Jehovai më ka bekuar. Ai i mbron vërtet të munduarit dhe fëmijët që rriten pa nënë ose pa baba.»

Keiko, Japoni: «Perëndia është i paanshëm. Ai do që t’u tregojë kujdes të butë të gjitha familjeve, sido që të jenë, me një ose dy prindër.»​—Veprat 10:34.

Duke pasqyruar merakun dhe dhembshurinë e Perëndisë për ne, Jezu Krishti tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj, . . . sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mateu 11:28-30) Pa diskutim, Jezui dhe Ati i tij qiellor, Perëndia Jehova, duan që të ndihemi të sigurt nën kujdesin e tyre të dashur. Te Psalmi 34:8 lexojmë: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!» Po, Perëndia do që ta shohësh me sytë e tu se këshillat e tij sjellin dobi, se ai do me zemër atë që është më e mira për ty dhe familjen tënde. A do ta pranosh ftesën e tij atërore?