Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vër kufij të qartë

Vër kufij të qartë

Ji e vendosur dhe mbaje fjalën

«Të rritësh fëmijë e vetme s’është e lehtë, sidomos kur hyjnë në adoleshencë dhe nxiten nga të tjerët që të rebelohen kundër prindërve.»​—DULSE, AFRIKA E JUGUT.

Vështirësia.

Bibla paratha se në «ditët e fundit» në përgjithësi fëmijët do të ishin «të pabindur ndaj prindërve».​—2 Timoteut 3:1, 2.

Sugjerime.

Kupto se «fëmijët kanë nevojë për organizim dhe program të mirë që të rriten të mbarë». (The Single Parent Resource, nga Bruk Noeli) Beri Ginsberg, psikolog për fëmijë dhe për çështje familjare, thotë: «Kur vihen kufij të qartë, marrëdhëniet janë më të mira e më pak stresuese.» Më pas, shton: «Sa më të qartë të jenë kufijtë dhe sa më hapur të shprehen, aq më të lehta bëhen marrëdhëniet.» Si mund të vësh kufij të qartë?

Ji e vendosur dhe mbaje fjalën. (Mateu 5:37) Sipas një studimi australian shpesh fëmijët nuk sillen mirë kur prindërit s’dinë të thonë jo dhe kur nuk ua prishin qejfin asnjëherë. Është siç thotë Bibla: «Djali [ose vajza] i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij.»​—Proverbat 29:15.

Mos lejo që, nga ndjenjat e fajit që të pushtojnë si prind i vetëm, të bëhesh tepër tolerues. Jasmina e përmendur më parë thotë: «Herë-herë, reagimi i parë ishte që më vinte keq për dy djemtë, se po rriteshin pa baba.» Por, siç do ta shohim, ajo nuk i lejoi ndjenjat, të cilat nuk ishin aspak të këqija, të fitonin mbi arsyen.

Mos ji kontradiktore. «Që të parandalohen problemet emocionale dhe në sjellje te fëmijët, është e rëndësishme që prindërit t’ua bëjnë të qartë çfarë presin prej tyre dhe të mos tregohen kontradiktorë kur duhet t’i disiplinojnë.» (The American Journal of Orthopsychiatry) Jasmina shprehet: «Jam ulur me djemtë dhe kemi folur për disiplinën. Kështu, kur gabojnë, përpiqem të mos jem kontradiktore me ato që kam thënë. Për këtë, kam mësuar që fillimisht të dëgjoj dhe pastaj me qetësi të shpjegoj si ka ndikuar te familja veprimi i tyre. Vetëm pasi kam bërë gjithë këto, i disiplinoj siç e kishim vendosur që më parë.»

Ji e arsyeshme, mos jep disiplinë kur je e zemëruar. Ndonëse duhet të jesh e vendosur të bësh atë çka është e drejtë, duhet të jesh edhe elastike nëse ta kërkon rasti. «Mençuria nga lart», ajo nga Perëndia, është «e arsyeshme»,—thotë Jakovi 3:17. Njerëzit e arsyeshëm nuk veprojnë nxitimthi ose në kulmin e zemërimit dhe as ndjekin ftohtësisht rregullat. Përkundrazi, mendojnë mirë, ndoshta duke u lutur për çështjen, dhe kështu janë në gjendje të veprojnë më me qetësi e në mënyrën e duhur.

Qëndrimi jo kontradiktor, vendosmëria dhe arsyetueshmëria, bashkë me shembullin tënd të mirë, do të të ndihmojnë të vësh kufij që do ta bëjnë shtëpinë tënde një strehë të vërtetë për fëmijët.