Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Padurimi mund të sjellë dëme

Padurimi mund të sjellë dëme

PËRFYTYRO këtë skenë: një burrë po i jep makinës në një rrugë me dy korsi ku nuk lejohet parakalimi. Gruaja në makinën para po ecën pak më ngadalë se shpejtësia maksimale e lejuar, por burrit të paduruar i duket se po e nget si breshkë. Pasi i rri ngjitur për disa minuta, i humb fare durimi dhe e parakalon me shpejtësi të madhe. Me këtë, shkel ligjin dhe rrezikon të bëjë aksident.

Ose mendo pak për një grua që nuk ka durim të punojë me njerëz që nuk janë aq të shkathët a të zgjuar sa ajo. Ose për një burrë që, ndërsa pret ashensorin, shtyp butonin orë e çast me padurim. Po ti vetë, a e humb shpesh durimin me prindërit e moshuar? Nëse je prind, a të sos shpejt durimi me të vegjlit? A acarohesh kollaj nga gabimet e të tjerëve?

Të gjithëve na qëllon ta humbim durimin hera-herës. Por, nëse dikush vlon nga padurimi çdo ditë, mund të ketë pasoja serioze.

Rreziqe shëndetësore:

Pikësëpari, padurimi lidhet me mërzinë, me acarimin, madje edhe me zemërimin. Këto ndjenja mund të na shtojnë stresin, e kjo është në kurriz të shëndetit. Një studim i kohëve të fundit botuar nga Shoqata e Mjekëve Amerikanë, e përmend specifikisht padurimin si një faktor që rrit rrezikun e hipertensionit, madje edhe te të rinjtë.

Pastaj ka edhe probleme të tjera shëndetësore që lidhen me mungesën e durimit. Një studim i viteve të fundit nxori në pah se padurimi lidhet me dhjamosjen. «Studiuesit vërejtën se njerëzit e paduruar janë më të prirur të jenë të dhjamosur sesa njerëzit që dinë të presin»,—shkruhet në gazetën The Washington Post. Në disa vende, gjen në çdo cep dhe në çdo orë të ditës lokale fast-food me ushqime që s’kushtojnë shtrenjtë, e shumë njerëz të paduruar nuk i rezistojnë dot tundimit.

 Zvarritja e punëve:

Nga një studim i Qendrës Kërkimore për Politikat Ekonomike me seli në Londër doli se njerëzit e paduruar zakonisht e kanë ves t’i zvarritin gjërat. Mos ndoshta u vjen t’i shtyjnë detyrat që kërkojnë shumë kohë ngaqë nuk kanë durim t’i çojnë gjer në fund? Sido që të jetë, prirja për t’i shtyrë punët mund t’i sjellë pasoja të rënda si atij që vepron kështu, edhe ekonomisë. Sipas The Telegraph, një gazetë britanike, studiuesi Ernesto Ruben tha se «zvarritja dëmton rëndë rendimentin në punë dhe mund t’u kushtojë njerëzve shuma të majme, pasi [të paduruarit] që merren me shkresa i shtyjnë punët pafundësisht».

Abuzim me alkoolin dhe dhunë:

Sipas gazetës britanike South Wales Echo, «njerëzit e paduruar janë më të prirur të përfshihen në sherret e netëve të vona që i ndez pija». Studiuesit në Universitin e Kardifit e bënë këtë lidhje pasi studiuan qindra burra e gra. Siç shkruhet në gazetën Echo, studimi tregoi se «kishte më shumë gjasa që të paduruarit të pinin rëndshëm dhe të bëheshin të dhunshëm».

Gjykim i çalë:

Një grup analistësh të Qendrës Kërkimore «Pju» në qytetin e Uashingtonit, zbuluan se njerëzit e paduruar «shpesh marrin vendime të rrëmbyera, të cekëta». Dr. Ilango Ponhasvami, pedagog dhe shef i Departamentit të Punës Sociale në Universitetin e Bahratidasanit, Indi, arriti në një përfundim të ngjashëm. Ai shpjegon: «Padurimi do të të kushtojë. Mund të të kushtojë pará, miqësi, dhembje, vuajtje e kushedi sa pasoja të tjera, thjesht ngaqë padurimi shpesh pasohet nga vendime të këqija.»

 Telashe financiare:

Padurimi lidhet me «zhytjen më thellë në borxhe», siç thotë revista Research Review, botuar nga Banka e Rezervave Federale të Bostonit, SHBA. Për shembull, të sapomartuarit e paduruar mund të duan t’i kenë të gjitha komoditetet fill pas martese, pavarësisht nga të ardhurat e kufizuara. Kështu, blejnë shtëpinë, mobiliet, makinën e gjithçka tjetër​—me kredi. Kjo praktikë mund të jetë në dëm të martesës. Studiues nga Universiteti i Arkanzasit, SHBA, thonë se «çiftet e sapomartuara që e nisin martesën me borxhe janë më pak të lumtura se çiftet që e nisin martesën me pak borxhe ose pa borxhe».

Disa ia vënë fajin padurimit për krizën ekonomike të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara. Në revistën financiare Forbes shkruhet se «gjendja e tregjeve të sotme është pasojë e padurimit të tepërt gërshetuar me lakminë e skajshme. Nga padurimi, mijëra njerëz të thjeshtë janë përpjekur të blejnë prona me vlerë shumë më të madhe nga ç’ua mbante xhepi. Të gjithë këta morën hua shuma marramendëse që nuk kishin shpresë t’i shlyenin për vite të tëra​—e, në disa raste, për gjithë jetën.»

Humbja e miqve:

Padurimi mund të na dëmtojë aftësinë për të komunikuar. Nëse dikush nuk ka durim të bëjë një bisedë domethënëse, priret të flasë pa menduar. Gjithashtu, mund të bezdiset kur flasin të tjerët. Nuk ka durim t’i presë sa ta mbarojnë atë që duan të thonë. Kështu, ky dëgjues i paduruar mund t’i ngutë të tjerët t’i mbarojnë fjalitë duke ua vënë fjalët në gojë ose mund të përpiqet të gjejë ndonjë rrugë tjetër që ta shpejtojë bisedën.

Nga ky padurim mund të prishen miqësi. Dr. Xhenifer Hartshtajni, një profesioniste e shëndetit mendor që u citua në artikullin e kaluar, shpjegon: «E kush dëshiron të rrijë me dikë që rreh këmbën pareshtur [ose] që shikon vazhdimisht orën?» Vërtet, padurimi nuk është ndonjë cilësi tërheqëse. Dalëngadalë të lë pa miq.

Këto janë vetëm disa nga pasojat e papëlqyeshme që mund të sjellë padurimi. Në artikullin tjetër do të shohim si mund ta kultivosh dhe ta ruash durimin.