Një vështrim rreth botës
«Përqindja e kërkimeve në Google që përmbajnë fjalën ‘porn’ është trefishuar që nga viti 2004.»—THE ECONOMIST, BRITANI.
«Kur një e re [ruse] martohet . . . mundësia që bashkëshorti ta godasë ose që zënkat e tyre të kalojnë në gjuajtje, është rreth 60 për qind.»—MOSKOVSKIYE NOVOSTI, RUSI.
«Një në shtatë shkencëtarë ose mjekë britanikë kanë parë me sytë e tyre kolegë që ndryshojnë me dashje a sajojnë të dhëna gjatë kërkimeve ose kur duan të botojnë diçka.»—REVISTA MJEKËSORE BRITANIKE, BRITANI.
«Që nga viti 1971, numri i të mbijetuarve nga kanceri në SHBA është katërfishuar duke arritur në rreth 12 milionë . . . Numri i të mbijetuarve mund të jetë rritur kryesisht nga diagnostikimi më i hershëm me anë të ekzaminimeve, nga terapitë më të efektshme dhe nga përmirësimi i kujdesit të mëtejshëm shëndetësor.»—UC BERKELEY WELLNESS LETTER, SHBA.
Pak para festimit të Krishtlindjeve të vitit 2011, në Kishën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem, plasi sherri mes nja 100 priftërinjve dhe murgjve të grupeve fetare rivale. «Ishte një problem i parëndësishëm që . . . ndodh çdo vit»,—tha një nënkolonel policie. «Nuk u arrestua asnjë sepse të gjithë ishin njerëz të Zotit.»—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, SHBA.
Një mur i madh i gjelbër përmes Afrikës
Një projekt panafrikan i nisur nga Bashkimi Afrikan në vitin 2007, synon të ndalë shtrirjen e shkretëtirës me një mur të gjelbër. Nga Senegali në perëndim deri në Xhibuti në lindje, 11 vende po mbjellin miliona fidanë të llojeve të përshtatshme, që të krijojnë një brez bimësie 7.600 kilometra të gjatë dhe 15 kilometra të gjerë. «Na duhet të mbjellim ato lloje bimësh që nuk lakmohen për lëndë drusore»,—thotë Alju Gise, profesor i ekologjisë bimore në Universitetin «Çek Anta Diop» në Dakar, Senegal. Shpresohet se hapësirat e ripyllëzuara do të shërbejnë edhe si rezervat e do t’u sigurojnë vendasve burime natyrore pa prishur ekuilibrin ekologjik.
Pse gogësijmë?
Shkencëtarët nuk e shpjegojnë dot pse të gjithë njerëzve në planetin tonë u hapet goja, e zakonisht disa herë në ditë. Madje edhe foshnjave në bark të nënës u hapet goja. Po kështu edhe iriqëve, strucave, gjarpërinjve dhe peshqve. Për këtë ka plot teori, shpesh kontradiktore, por asnjëra nuk i kënaq të gjithë studiuesit. Shumë shkencëtarë kanë hedhur idenë se një arsye pse hapim gojën e mbushemi me ajër (gjë që zgjat mesatarisht gjashtë sekonda), është që të furnizohet më shumë truri me oksigjen. Megjithatë, siç thuhet në revistën Science News, «deri tani studiuesit nuk kanë gjetur prova që ta mbështetin këtë hamendje». Studime të reja të bëra te minjtë, tregojnë se «gogësima mund të jetë si një termostat, pasi ftoh trurin e mbinxehur». Megjithatë, arsyen e saktë askush nuk e di.