INTERVISTË | PAOLA KIOCI
Një biokimiste shpjegon besimin e saj
Për më shumë se 20 vjet, dr. Paola Kioci ka punuar si biologe molekulare në Universitetin e Ferrarës në Itali. Zgjohuni! i drejtoi disa pyetje në lidhje me shkencën dhe besimin e saj.
Na trego pak për fëmijërinë tënde.
Im atë ishte këpucar dhe mamaja punonte në bujqësi. Por, unë doja të bëhesha shkencëtare. Zogjtë, insektet dhe lulet e bukura përqark shtëpisë më mahnitnin. E kuptoja se ishin fryt i një mençurie mbinjerëzore.
Pra, ke besuar gjithmonë se ka një Krijues?
Jo. Në fakt, dyshimet për Perëndinë më filluan kur isha fëmijë. Im atë vdiq papritmas nga infarkti në zemër, dhe thosha me vete: «Pse do t’i lejonte vuajtjet dhe vdekjen Krijuesi i gjithë këtyre bukurive?!»
A të ndihmuan studimet shkencore të gjeje përgjigje?
Në fillim jo. Kur u bëra biologe molekulare, fillova të studioja vdekjen
Në ç’kuptim është jetike vdekja e programuar e qelizave?
Trupi ynë përbëhet nga triliona qeliza mikroskopike. Thuajse të gjitha këto duhet të vdesin dhe të zëvendësohen. Çdo lloj qelize ka jetëgjatësi të ndryshme; ca zëvendësohen një herë në disa javë, të tjera një herë në disa vjet. Sistemi i vdekjes së programuar të qelizave në trupin tonë duhet të jetë i kontrolluar jashtëzakonisht mirë, që të ruhet ekuilibri delikat mes vdekjes së qelizave dhe formimit të tyre.
Çfarë problemesh mund të lindin?
Disa studime tregojnë se, kur qelizat nuk vdesin atëherë kur duhet, pasojat mund të jenë artrit reumatoid ose kancer. Nga ana tjetër, kur qelizat vdesin para kohe, kjo mund të shkaktojë sëmundjen e Parkinsonit ose sëmundjen e Alcajmerit. Kërkimet e mia lidhen me gjetjen e mënyrave për të trajtuar këto sëmundje.
Si ndikoi te ti studimi i vdekjes së qelizave?
Të them të drejtën, më futi dyshime. Dukej qartë se këtë proces të mrekullueshëm e kishte projektuar dikush që dëshiron të jemi të shëndetshëm. Prandaj, më ngacmonte akoma pyetja: «Pse vuajnë dhe vdesin njerëzit?» Nuk arrija të gjeja përgjigje.
Sidoqoftë, ishe e bindur se sistemi i vdekjes së programuar të qelizave ishte i projektuar.
Po. Kompleksiteti i gjithë këtij procesi të lë pa mend, kurse eleganca e tij flet për një mençuri të pashoqe. Besoj se kjo është mençuria e Perëndisë. Unë përdor mikroskopë të fuqishëm për të studiuar mekanizmat kompleksë që kontrollojnë këtë proces. Disa mekanizma mund ta aktivizojnë procesin e shkatërrimit brenda pak sekondash, po të jetë nevoja. Edhe qelizat marrin pjesë në shkatërrimin e vetes. Ky proces është i projektuar kaq mirë sa të lë pa fjalë.
Përderisa gati të gjitha qelizat e trupit tonë zëvendësohen rregullisht, është plotësisht e mundur të jetojmë përgjithmonë
Ti kishe pyetje për Perëndinë dhe për vuajtjet. Si i gjete përgjigjet?
Në vitin 1991, më erdhën në shtëpi dy Dëshmitarë të Jehovait dhe i pyeta pse vdesim. Më treguan përgjigjen që jep Bibla: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.» (Romakëve 5:12) Nëse do t’i ishte bindur Perëndisë, njeriu i parë do të kishte jetuar përgjithmonë. E kuptova menjëherë se kjo ishte në harmoni me atë që kisha mësuar nga kërkimet e mia. Në fakt, për mua është fare e qartë se Perëndia nuk kishte ndër mend që njerëzit të vdisnin. Përderisa gati të gjitha qelizat e trupit tonë zëvendësohen rregullisht, është plotësisht e mundur të jetojmë përgjithmonë.
Çfarë të bindi se Bibla është Fjala e Perëndisë?
Mësova çfarë thotë Bibla për Perëndinë te Psalmi 139:16: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij.» Si biokimiste, studioj informacionin gjenetik që është shkruar në qelizat tona. Nga e dinte psalmisti se këto të dhëna janë të shkruara? Sa më shumë mësoja nga Bibla, aq më shumë bindesha se është e frymëzuar nga Perëndia.
Çfarë ndihme more për të kuptuar atë që mëson Bibla?
Një Dëshmitar i Jehovait u tregua i gatshëm të studionte Biblën me mua. Më në fund, mësova pse i ka lejuar Perëndia vuajtjet. Mësova edhe se, siç thotë Bibla, Perëndia ka si qëllim «ta përpijë vdekjen përgjithmonë». (Isaia 25:8) Krijuesi ynë do ta ketë të lehtë t’i bëjë sistemet e mrekullueshme të trupit tonë të funksionojnë në mënyrë të përsosur, që ne të gëzojmë jetën pafundësisht.
Si e ke përdorur njohurinë nga Bibla për të ndihmuar të tjerët?
Më 1995, u bëra Dëshmitare e Jehovait dhe që atëherë kam folur sa herë më jepet rasti për gjërat që kam mësuar nga Bibla. Për shembull, një kolege ndihej e dërrmuar pasi i vëllai vrau veten. Kisha e saj mëson se Perëndia nuk e fal kurrë vetëvrasjen. Por unë i tregova se Bibla jep shpresë për një ringjallje. (Gjoni 5:28, 29) U ngushëllua jashtë mase kur mësoi se Krijuesi merakoset për ne. Në momente si ky, ndiej se t’u flas të tjerëve për të vërtetat e Biblës më fal më shumë kënaqësi se vetë shkenca!