A ËSHTË PROJEKTUAR?
Bishti i hardhucës agama
AGAMA kërcen me lehtësi nga një sipërfaqe horizontale në një mur vertikal. Nëse sipërfaqja është e rrëshqitshme, hardhuca e humb disi ekuilibrin, por prapë ia del për bukuri të kërcejë te muri. Si? Sekreti qëndron te bishti i hardhucës.
Shqyrto faktet: Kur agamat kërcejnë nga një sipërfaqe e ashpër, ku mund të mbahen, në fillim fiksojnë mirë trupin dhe e mbajnë bishtin poshtë. Kjo i ndihmon të kërcejnë në këndin e duhur. Mirëpo, në sipërfaqe të rrëshqitshme, hardhucave zakonisht u merren këmbët dhe kërcejnë në këndin e gabuar. Megjithatë, kur janë në ajër, e ndreqin këndin e trupit duke e ngritur bishtin lart. Ky është një proces i koklavitur. «Hardhucat duhet të kujdesen ta çojnë bishtin tamam në këndet e duhura, që të rrinë vertikalisht»,—thuhet në një artikull nga Universiteti i Kalifornisë, Berkli. Sa më e rrëshqitshme të jetë platforma, aq më shumë duhet ta ngrejë bishtin hardhuca, që të bëjë një ulje të sigurt.
Bishti i agamës mund t’i ndihmojë inxhinierët të projektojnë automjete robotike më të zhdërvjellëta, që mund të përdoren për të gjetur të mbijetuarit pas një tërmeti a katastrofe tjetër. «Robotët nuk janë aq të zhdërvjellët sa kafshët,—thotë hulumtuesi Tomas Libi,—prandaj, çdo gjë që mund ta bëjë një robot më të qëndrueshëm, është një hap para.»
Si mendon? A erdhi me evolucion bishti i agamës apo është projektuar?