Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si t’u japësh fund grindjeve?

Si t’u japësh fund grindjeve?

VËSHTIRËSIA

Mos ndoshta ti dhe bashkëshorti nuk arrini t’i diskutoni gjërat me qetësi? A të duket sikur shkel vazhdimisht në një fushë të minuar, ku në çdo hap që hedh mund të plasë sherri?

Nëse po, ji i sigurt se gjërat mund të përmirësohen. Por, në fillim duhet të zbulosh pse ti dhe bashkëshorti haheni kaq shumë me njëri-tjetrin.

PSE NDODH

Keqkuptime.

Një grua që quhet Xhilian * pranon: «Ndonjëherë, kur i them diçka tim shoqi, nuk më del ajo që kisha në mend, ose jam e bindur se i thashë diçka, por vetëm ëndërrova sikur ia thashë. Më ka ndodhur vërtet!»

Pikëpamje të ndryshme.

Sado mirë të puqeni me njëri-tjetrin, ti dhe bashkëshorti do të keni mendime të ndryshme për disa çështje. Përse? Sepse nuk ka dy njerëz që të jenë fiks njësoj, dhe ky fakt e bën martesën ose më interesante, ose më të tensionuar. Shumë çifteve u shkakton tension.

Shembuj të këqij në jetë.

«Prindërit e mi bënin shpesh fjalë dhe i flitnin njëri-tjetrit pa respekt,—thotë një grua që quhet Rakela.—Prandaj, kur u martova, i flitja burrit siç i fliste mamaja babait. Nuk kisha mësuar si të tregoja respekt.»

Shqetësime më të thella.

Shpeshherë, një debat i zjarrtë, në thelb ka të bëjë me diçka tjetër, jo me ngjarjen që i dha shkas. Për shembull, një zënkë që fillon me fjalët «je gjithmonë vonë», mund të mos ketë lidhje me nevojën që të jesh i përpiktë, por me faktin që tjetri ndihet sikur e trajton pa pikë konsiderate.

Cilido qoftë shkaku, grindjet e shpeshta mund të ndikojnë për keq te shëndeti dhe madje mund të çojnë në divorc. Atëherë, si t’u japësh fund grindjeve?

Ç’MUND TË BËSH

Për t’u prerë shtegun debateve, është thelbësore të dalloni rrënjët e problemit që janë karburanti i tyre. Kur situata të jetë e qetë, provo këtë ushtrim tok me bashkëshortin.

1. Në dy fletë, shkruani cili ishte strumbullari i një zënke të fundit. Për shembull, burri mund të shkruajë: «E kalove tërë ditën me shoqërinë dhe nuk më telefonove fare.» Gruaja mund të shkruajë: «U mërzite ngaqë kalova kohë me shoqërinë.»

2. Me mendje të hapur, diskutoni këto pyetje: A ishte vërtet aq serioze çështja? A mund të kishim mbyllur një sy? Në disa raste, për hir të paqes, mjafton të pajtoheni me faktin që nuk ju pajtohen mendimet dhe ta mbuloni çështjen me dashuri.​—Parimi biblik: Proverbat 17:9.

Nëse ti dhe bashkëshorti nxirrni përfundimin se ishte një çështje pa rëndësi, kërkojini falje njëri-tjetrit dhe quajeni të mbyllur.​—Parimi biblik: Kolosianëve 3:13, 14.

Nëse njërit ose të dyve ju duket më serioze çështja, vazhdoni me hapin tjetër.

3. Shkruaj si u ndjeve gjatë debatit, dhe bashkëshorti të bëjë po ashtu. Për shembull, burri mund të shkruajë: «U ndjeva sikur të pëlqente më shumë shoqëria e miqve se shoqëria ime.» Gruaja mund të shkruajë: «U ndjeva sikur po më trajtoje si një fëmijë që duhej t’i jepte llogari babait.»

4. Këmbeni fletët dhe lexoni komentet e njëri-tjetrit. Cili ishte shqetësimi më i thellë i bashkëshortit gjatë debatit? Diskutoni çfarë mund të kishte bërë ndryshe secili nga ju, që të mos ziheshit, por të përqendroheshit te rrënjët e problemit.​—Parimi biblik: Proverbat 29:11.

5. Bisedoni çfarë mësuat nga ky ushtrim. Si mund ta përdorni atë që mësuat që të zgjidhni ose të shmangni grindjet në të ardhmen?

^ par. 7 Emrat janë ndryshuar.