Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Shikimi i mjegullt i merimangës kërcimtare

Shikimi i mjegullt i merimangës kërcimtare

MERIMANGA kërcimtare ka një sistem shikimi të veçantë që e ndihmon të llogaritë saktë në çfarë distance duhet të kërcejë. Si e arrin këtë?

Shqyrto faktet: Për të matur distancën nga një objekt, merimanga kërcimtare shfrytëzon një veçori unike të dy syve të saj kryesorë. Secili prej tyre ka një retinë «me shkallë», me disa shtresa. Dy nga shtresat janë të ndjeshme ndaj dritës së gjelbër. Pamja që formohet te njëra shtresë është gjithmonë tepër e qartë, kurse pamja që formohet te shtresa tjetër është gjithmonë e mjegullt. Sa më e turbullt të dalë pamja te kjo shtresë, aq më afër syrit të merimangës është objekti. Ky fakt i thjeshtë i jep mundësi merimangës të llogaritë me saktësi në ç’distancë duhet të kërcejë për të kapur prenë.

Hulumtuesit duan ta imitojnë teknikën e merimangës kërcimtare që të shpikin kamera 3D e madje edhe robotë që mund të matin sa larg është një objekt. Sipas sitit informativ ScienceNOW, shikimi i merimangës kërcimtare është «një shembull mbresëlënës se si një gjallesë gjysmë centimetri, me tru më të vogël se ai i mizës është e zonja të mbledhë informacione pamore komplekse dhe të veprojë sipas tyre».

Si mendon? A erdhi me evolucion shikimi i mjegullt që shfrytëzon merimanga kërcimtare apo është projektuar?