Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si t’i shmangësh fjalët lënduese?

Si t’i shmangësh fjalët lënduese?

VËSHTIRËSIA

Sa herë lind një mosmarrëveshje, ti dhe bashkëshorti i lëshoni një lumë kritikash njëri-tjetrit. Fjalët lënduese janë kaq të zakonshme në martesën tuaj, sa kjo tani është bërë mënyra «normale» si komunikoni.

Nëse ndodh kështu edhe në martesën tënde, mund ta ndryshosh situatën. Së pari, është e nevojshme të shqyrtosh shkaqet pse ndodh dhe arsyet pse është në të mirën tënde të bësh ndryshime.

PSE NDODH?

Familja. Shumë burra e gra janë rritur në shtëpi ku fjalët lënduese ishin të zakonshme. Ndoshta njëri ose të dy bashkëshortët ndjekin modelin e prindërve.

Zbavitja. Filmat dhe telekomeditë e kanë kthyer të folurin e ashpër në arsye për të qeshur, duke krijuar te shikuesit përshtypjen se nuk është i dëmshëm, përkundrazi është komik.

Mentaliteti. Disa ambiente shoqërore mësojnë se «burri i vërtetë» duhet të dominojë ose se gruaja duhet të jetë tepër agresive që të mos duket e dobët. Gjatë një mosmarrëveshjeje, bashkëshortët me këtë mentalitet mund ta shikojnë njëri-tjetrin si armiq, jo si aleatë, prandaj me fjalët që nxjerrin më shumë lëndojnë, sesa shërojnë.

Pavarësisht nga shkaku, fjalët lënduese mund të çojnë në divorc, si dhe në probleme shëndetësore. Madje disa thonë se fjala vret më shumë se grushti. Për shembull, një grua që burri e keqtrajtonte fizikisht dhe me fjalë, thotë: «E kisha më të vështirë të duroja sharjet, sesa dhunën. Më mirë të më rrihte, sesa të më thoshte fjalë aq poshtëruese.»

Çfarë mund të bësh nëse ti dhe bashkëshorti keni lejuar që fjalët lënduese të gërryejnë marrëdhënien tuaj?

Ç’MUND TË BËSH?

Trego empati. Vëre veten në vend të bashkëshortit dhe përpiqu të kuptosh si ndikojnë fjalët e tua tek ai. Nëse është e mundur, mendo për një rast specifik kur bashkëshorti u lëndua nga fjalët që the. Mos u shpërqendro duke menduar çfarë the konkretisht; çështja është si u ndie bashkëshorti nga fjalët e tua. A mund të gjesh mënyra si t’i zëvendësosh ofendimet me shprehje të hijshme? Bibla thotë: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.»​—Proverbat 15:1.

Vëzhgo çiftet e respektueshme. Nëse modeli i keq ka ndikuar te mënyra si komunikon, përqendrohu te shembujt e mirë. Dëgjo çiftet që kanë një të folur të denjë për t’u imituar.​—Parimi biblik: Filipianëve 3:17.

Ngjall ndjenjat që provoje dikur. Gjuha i ka rrënjët në zemër. Prandaj përpiqu të ushqesh mendime dhe ndjenja pozitive për burrin ose gruan. Sill ndër mend momentet e bukura që keni kaluar bashkë. Shiko fotografitë e vjetra. Çfarë ju bënte për të qeshur? Cilat cilësi pëlqenit te njëri-tjetri?​—Parimi biblik: Luka 6:45.

Fol në vetën e parë njëjës. Në vend që ta sulmosh me fjalë bashkëshortin, shprehi merakun duke treguar si u ndjeve. Për shembull, «ndihem pa vlerë kur bën plane pa folur me mua», ka më shumë të ngjarë të shkaktojë reagim pozitiv, sesa «gjithmonë kështu bën ti; i bën planet pa folur me mua».​—Parimi biblik: Kolosianëve 4:6.

Kupto kur duhet të tërhiqesh. Nëse gjakrat po nxehen dhe gjuha del jashtë kontrollit, do të ishte më mirë ta shtyje diskutimin për një herë tjetër. Zakonisht nuk ka asnjë të keqe të largohesh nga një debat që po nxehet, derisa të jeni më të qetë për të folur.​—Parimi biblik: Proverbat 17:14.

Gjuha i ka rrënjët në zemër