Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si t’i japësh fund heshtjes së nderë?

Si t’i japësh fund heshtjes së nderë?

VËSHTIRËSIA

Si është e mundur që dy njerëz të cilët janë betuar ta duan njëri-tjetrin, arrijnë deri aty sa të mos flasin më me gojë për orë, madje ditë? Ata thonë me vete: «Të paktën nuk po zihemi më.» Prapëseprapë problemi nuk është zgjidhur dhe të dy ndihen në siklet.

PSE NDODH?

Marrin hak. Disa çifte rrinë në heshtje deri diku për t’u hakmarrë. Për shembull, supozojmë sikur burri bën plane për fundjavën pa folur me gruan. Kur ajo e merr vesh, acarohet dhe e quan shpërfillës. Ai e quan sedërmadhe. Gruaja ikën gjithë nerva, zien nga inati dhe nuk i flet më me gojë. Faktikisht ajo po i thotë: «Më lëndove, tani ta tregoj unë ty.»

Manipulojnë. Disa e përdorin heshtjen si metodë për të marrë çfarë duan. Ta zëmë se burri e gruaja po planifikojnë për pushimet dhe gruaja do që të marrë prindërit me vete. Burri kundërshton: «Jam martuar me ty, jo me prindërit e tu.» Pastaj nuk i flet më gruas dhe e shmang duke shpresuar që ajo të dorëzohet dhe t’i plotësojë dëshirën.

Kuptohet, një heshtje e shkurtër i jep mundësi çiftit të qetësohen kur shohin se po marrin zjarr. Kjo është një heshtje e dobishme. Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur». (Eklisiastiu 3:7) Por, kur përdoret si metodë për hakmarrje ose manipulim, heshtja jo vetëm e zgjat gjendjen e nderë, por edhe gërryen respektin që çifti ka për njëri-tjetrin. Si ta parandalosh këtë gjë?

 Ç’MUND TË BËSH?

Hapi i parë është ta pranosh heshtjen për atë që është: taktikë që, edhe po funksionoi, nuk bën punë për shumë kohë. Është e vërtetë se, duke mbajtur inat mund të shuash etjen për hakmarrje ose ta detyrosh bashkëshortin të dorëzohet para dëshirave të tua. Por, kështu do të doje ta trajtoje dikë për të cilin je betuar ta duash? Ka mënyra më të mira si t’i zgjidhni mosmarrëveshjet.

Ki aftësi dalluese. Bibla thotë se dashuria «nuk provokohet». (1 Korintasve 13:4, 5) Prandaj ruaj gjakftohtësinë përballë akuzave të tilla, si «ti asnjëherë nuk më dëgjon» ose «ti gjithmonë vonohesh». Dallo çfarë fshihet pas fjalëve. Për shembull, «ti asnjëherë nuk më dëgjon» mund të nënkuptojë «më duket sikur nuk i merr seriozisht fjalët e mia».—Parimi biblik: Proverbat 14:29.

Mendoje bashkëshortin si shok skuadre, jo si kundërshtar

Ule tonin. Sa më shumë zgjaten debatet, aq më të zjarrta bëhen, por mund të bësh diçka për të shuar zjarrin. Çfarë? Libri Të luftosh për martesën (anglisht) thotë: «Zbutja e tonit dhe pranimi i pikëpamjes së partnerit, janë mjete të fuqishme që mund t’i përdorësh për të ulur tensionin dhe për t’i dhënë fund acarimit. Shpesh kaq duhet.»—Parimi biblik: Proverbat 26:20.

Mendo për të dy, jo për veten. Bibla thotë: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:24) Nëse e mendon bashkëshortin si shok skuadre dhe jo si kundërshtar, ka më pak të ngjarë të fyhesh, të debatosh dhe të mos i flasësh më me gojë.—Parimi biblik: Eklisiastiu 7:9.

Heshtja e nderë shkon kundër këshillës së Biblës: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Pse të mos bini dakord që një heshtje e tillë të mos ketë vend në martesën tuaj?