Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Alkooli

Alkooli

A është e gabuar të konsumosh pije alkoolike?

«Vera për t’u gëzuar, vajin për t’u bukuruar, bukën për t’u forcuar.»Psalmi 104:15, «Bibla ECM».

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Në shumë shtëpi, pijet alkoolike shoqërojnë pothuajse çdo vakt. Në shtëpi të tjera alkooli ndalohet kategorikisht. Pse ky ndryshim mendimesh? Njerëzit ndikohen nga faktorë të ndryshëm, si: kultura, meraku për shëndetin dhe feja.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla e dënon dehjen dhe pirjen me tepri, por jo konsumimin e përkorë ose me masë të alkoolit. (1 Korintasve 6:9, 10) Në fakt, që kur s’mbahet mend, burrat e gratë që adhuronin Zotin, pinin verë, një pije që përmendet më shumë se dyqind herë në Bibël. (Zanafilla 27:25) Eklisiastiu 9:7 thotë: «Ha me gëzim ushqimin tënd dhe pi verën tënde me zemër të mirë.» Ngaqë vera ta ngre humorin, zakonisht shërbehej në raste gëzimesh, siç janë dasmat. Në një rast të tillë Jezu Krishti kreu mrekullinë e tij të parë—ktheu ujin në ‘verë të mirë’. (Gjoni 2:1-11) Vera përdorej edhe si ilaç.Luka 10:34; 1 Timoteut 5:23.

 A thuhet në Bibël sa duhet të pish?

‘Mos jini skllevër të verës së shumtë.’Titit 2:3.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Çdo vit, familje të panumërta vuajnë sepse njëri ose të dy prindërit abuzojnë me alkoolin. Pirja me tepri u kontribuon dështimeve të shumta dhe aksidenteve, siç janë ato rrugore. Gjithashtu, kur pihet për një kohë të gjatë, alkooli mund të dëmtojë trurin, zemrën, mëlçinë dhe stomakun.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Kur jemi të përkorë në të ngrënë e në të pirë, zbatojmë një kërkesë të rëndësishme të Perëndisë. (Proverbat 23:20; 1 Timoteut 3:2, 3, 8) Mungesa e vetëkontrollit nuk sjell miratimin e Zotit. Bibla thotë: «Vera sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj, nuk është i mençur.»Proverbat 20:1.

Një mënyrë si e bën alkooli të pamençurin të humbasë rrugën, është duke i gërryer normat morale. Te Hozea 4:11 thuhet: «Vera dhe mushti ia heqin njeriut motivin e mirë.» Një burrë i quajtur Xhon e mësoi këtë kur e pësoi. * Pasi bëri llafe me gruan, shkoi në një hotel, piu shumë dhe kreu kurorëshkelje—veprime për të cilat u bë tej mase pishman dhe vendosi të mos i përsëriste kurrë. Kur e teprojmë me alkoolin, mund të dëmtojmë veten fizikisht, moralisht dhe marrëdhënien me Zotin. Ja pse Bibla thotë se pijanecët nuk do të marrin jetën e përhershme.1 Korintasve 6:9, 10.

Kur është pa vend të pish alkool?

«Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.»Proverbat 22:3, «Diodati i Ri».

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

World Book Encyclopedia thotë: «Alkooli është drogë e fuqishme.» Prandaj mund të ketë rrethana dhe raste kur, edhe konsumimi me masë i alkoolit nuk do të ishte i mençur.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Shpesh njerëzit ‘shkojnë drejt së keqes’, sepse pinë në momentin e gabuar. Në Bibël thuhet se «për çdo gjë ka një kohë të caktuar». Këtu përfshihet edhe koha kur duhet të rrimë larg alkoolit. (Eklisiastiu 3:1) Për shembull: një njeri mund të jetë ligjërisht tepër i ri për të pirë; mund të jetë një i alkoolizuar që po del nga kjo varësi; ose mund të jetë duke marrë ilaçe që nuk bashkëveprojnë mirë me alkoolin. Dhe për shumë njerëz, ‘koha e caktuar’ për të mos pirë, është para se të shkojnë në punë ose kur janë atje, sidomos kur punojnë me makineri që mund të jenë të rrezikshme. Sigurisht, të mençurit e shohin jetën dhe shëndetin si dhurata të çmuara nga Perëndia. (Psalmi 36:9) Tregojmë respekt për këto dhurata kur qëndrimin tonë për alkoolin e drejtojnë parimet biblike.

^ par. 11 Emrat janë ndryshuar.