NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA
Kur një miqësi kalon cakun
VËSHTIRËSIA
Ke lidhur miqësi me dikë të seksit tjetër që vërtet të kupton. Mund të flisni bashkë për çdo gjë, dhe kështu bëni. «Jemi vetëm shokë»,—thua me vete. Por, bashkëshorti yt mund të mendojë ndryshe nëse merr vesh për bisedat tuaja të stërgjata.
Ka të ngjarë që tashmë miqësia juaj të jetë bërë tepër e ngushtë dhe duhet t’i japësh një zgjidhje. Por, së pari, mendo cila mund të jetë arsyeja pse je ngatërruar në këtë marrëdhënie.
PSE NDODH?
Dëshira për vëmendje. E thënë thjesht, ndihemi mirë kur një person i seksit tjetër na kushton vëmendje. Na pëlqen të dimë se dikush na çmon, se na duket vetja tërheqës. Pas disa vitesh martesë, ndoshta fillon të gjesh ngrohtësi në shoqërinë e dikujt të seksit tjetër. Por dije se, kur këto nevoja i plotëson dikush që nuk është bashkëshorti, do të ketë pasoja. Kur krijon një lidhje emocionale të papërshtatshme me dikë të seksit tjetër, dobëson lidhjen që ke me bashkëshortin tënd. Si të thuash, i mohon bashkëshortit dashurinë që duhet t’i japësh.
• Pyet veten: «Cilat nevoja që po më plotëson kjo lidhje do të ishte më mirë të plotësoheshin nga martesa ime?»
Ndjenjë boshllëku. Bibla e pranon se ata që martohen do të kenë njëfarë ‘shtrëngimi’. (1 Korintasve 7:28) Për shembull, ndonjëherë mund të ndiesh sikur bashkëshorti të ka lënë pas dore, sikur nuk të çmon ose ndoshta ti vetë i mban mëri për një mosmarrëveshje të pazgjidhur. Mbase bashkëshorti i shmang këto tema, dhe kjo të acaron e të bën më të ndjeshëm ndaj vëmendjes së dikujt tjetër. Disa specialistë thonë se, kur një çift nuk i diskuton çështjet delikate, kjo sjell probleme në martesë e madje mund të çojë në divorc.
• Pyet veten: «A ka ndonjë boshllëk në martesën time që më lë të pambrojtur ndaj miqësive të papërshtatshme?»
Ç’MUND TË BËSH?
Kupto rrezikun. Bibla thotë: «A mund të grumbullosh zjarr në gji e të mos djegësh rrobat?» (Proverbat 6:27, Good News Translation) Në të vërtetë, të zhvillosh një lidhje romantike jashtë martese është shkatërrimtare. (Jakovi 1:14, 15) Nuk është puna vetëm çfarë mund të ndodhë. Mendo edhe për atë që tashmë po ndodh. Duke i dhënë vëmendje të tepruar dikujt tjetër, po i vjedh bashkëshortit vëmendjen që me të drejtë i takon.
Mos u mashtro. Një miqësi kaq e ngushtë mund të të shtyjë të fantazosh si do të kishte qenë jeta po të ishe martuar me këtë person. Por kujdes, ti po krahason pikat e dobëta të bashkëshortit me pikat e forta të shokut
Vendos kufij. Njerëzit instalojnë sisteme alarmi në makinën ose shtëpinë e tyre për të parandaluar vjedhjet. Edhe ti mund të bësh të njëjtën gjë për martesën tënde. «Ruaj zemrën»,—thotë Bibla. (Proverbat 4:23) Si mund ta bësh këtë? Provo sugjerimet e mëposhtme:
Bëje të qartë se tashmë i je kushtuar me zemër bashkëshortit tënd, ndoshta duke mbajtur fotografinë e tij ose të saj në vendin e punës.
—Parimi biblik: Zanafilla 2:24. Vendos çfarë do të tolerosh e çfarë nuk do të tolerosh në sjelljen me seksin tjetër. Për shembull, nuk është shumë e përshtatshme të flasësh me një shok për problemet martesore ose të dalësh për kafe me një koleg të seksit tjetër.
Nëse miqësia me dikë të seksit tjetër ka kaluar cakun, jepi fund. Nëse kjo të duket e vështirë, pyet veten përse. Në vend që të përpiqesh të mbrosh marrëdhënien me shokun, përkrah bashkëshortin dhe merr masa të mbrosh martesën.
—Parimi biblik: Proverbat 5:18, 19.