Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | SI T’I PËRBALLOSH TRAGJEDITË?

Vdekja e një njeriu të dashur

Vdekja e një njeriu të dashur

Ronaldo nga Brazili pësoi një aksident automobilistik ku vdiqën pesë veta nga familja e tij, ndër ta edhe i ati me të ëmën. «Vetëm pasi kisha qëndruar dy muaj në spital, më thanë se ata kishin vdekur,—thotë ai.

Në fillim nuk arrija ta besoja që ata nuk ishin më. Si ka mundësi që kishin vdekur të gjithë? Kur e kuptova që ishte e vërtetë, u trondita. Kurrë nuk kisha provuar një dhembje të atillë. Në ditët më pas, mendoja se nuk ia vlente të jetoja pa ata. Qaja çdo ditë për muaj të tërë. Fajësoja veten që kisha lënë dikë tjetër të ngiste makinën. Ah, sikur të kisha qenë unë në timon; ndoshta tani do të ishin akoma gjallë.

Kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet, dhe kam arritur t’i kthehem rutinës sime. Por vdekja e tyre tragjike ka lënë një boshllëk të madh në zemrën time, boshllëk që nuk është mbushur ende.»

SI TA PËRBALLOSH TRAGJEDINË?

Lëri vend hidhërimit. Bibla thotë se ka «një kohë për të qarë». (Eklisiastiu 3:1, 4) Ronaldo thotë: «Qaja sa herë më vinte për të qarë. Gjithsesi, ishte e kotë t’i mbaja lotët, dhe më pas ndihesha i lehtësuar.» Sigurisht, të gjithë kanë mënyrën e tyre si e shprehin pikëllimin. Prandaj, nëse nuk e shpreh dhembjen, kjo nuk do të thotë se po e mban përbrenda ose se duhet të qash medoemos.

Mos u veço. (Proverbat 18:1) Ronaldo thotë: «Nuk kisha dëshirë të shoqërohesha me të tjerë, por u përpoqa të mos i dorëzohesha kësaj dëshire. Më vinin njerëz për vizitë dhe i mirëpritja. Gjithashtu, flisja për ndjenjat e mia me gruan dhe miqtë e ngushtë.»

Ruaj qetësinë nëse dikush thotë fjalë lënduese. Këtu mund të futen shprehje, si: «Më mirë që vdiq, se shpëtoi.» Ronaldo kujton: «Disa komente që thuheshin për të më ngushëlluar, kishin efekt komplet të kundërt.» Në vend që të përqendrohesh te fjalët lënduese, ndiq këshillën e mençur të Biblës: «Mos ua vër veshin gjithë fjalëve që mund të thonë njerëzit.»Eklisiastiu 7:21.

Mëso të vërtetën për gjendjen e të vdekurve. Ronaldo thotë: «Tek Eklisiastiu 9:5, Bibla tregon se të vdekurit nuk vuajnë, dhe kjo më jep paqe të brendshme. Bibla mëson edhe se të vdekurit do të ringjallen dhe do të kthehen sërish në jetë. Prandaj, kur mendoj për njerëzit e mi që vdiqën, i mendoj sikur kanë ikur për të bërë një udhëtim.»Veprat 24:15.

A e dije? Bibla premton se do të vijë një kohë kur Perëndia «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë». *Isaia 25:8.