Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS | PASTËRTIA

Pastërtia

Pastërtia

A ka rëndësi për Perëndinë pastërtia fizike?

«Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës.»—2 Korintasve 7:1.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Krijuesi na do dhe dëshiron të gëzojmë shëndet të mirë e jetë të gjatë e dobiprurëse. Ai thotë: «Zemra jote le t’i ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqe.» (Proverbat 3:1, 2) Dashuria e tij për njerëzit pasqyrohej në urdhërimet që i dha Izraelit, ku përfshiheshin udhëzime specifike për higjienën vetjake dhe të ambientit përreth. (Ligji i përtërirë 23:12-14) Kur izraelitët u përmbaheshin atyre standardeve të arsyeshme, gëzonin shëndet të mirë dhe ishin të mbrojtur nga sëmundjet që pllakosnin kombet e tjera, si Egjipti, që nuk e kishin këtë kod të përparuar ligjesh. —Ligji i përtërirë 7:12, 15.

Edhe sot, njerëzit që ‘pastrohen nga çdo ndotje e mishit’, pra nga zakone ndotëse si pirja e duhanit ose abuzimi me alkoolin e drogën, pakësojnë rrezikun që të sëmuren fizikisht a mendërisht, si edhe vdekjen e parakohshme. Nuk jetojmë të izoluar, ndaj kur u përmbahemi standardeve të Perëndisë për pastërtinë, tregojmë edhe konsideratë për të tjerët.—Marku 12:30, 31.

 A ka rëndësi për Zotin pastërtia morale dhe fetare?

«Bëni . . . të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave po vjen zemërimi i Perëndisë.»—Kolosianëve 3:5, 6.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Siç e thamë më parë, Bibla na nxit «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës». Në ditët e Jezu Krishtit, shumë veta, ndër ta edhe udhëheqësit fetarë judenj, bënin përpjekje të jashtëzakonshme që të ishin të pastër fizikisht, ama shpërfillnin standardet morale dhe fetare. (Marku 7:1-5) Duke treguar pikëpamjen e duhur, Jezui tha: «Njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai nga jashtë, sepse ajo . . . hyn . . . në zorrë dhe del në gjiriz.» Pastaj shtoi: «Njeriun e ndot ajo që del nga ai, sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin arsyetime të dëmshme: kurvëri, vjedhje, vrasje, kurorëshkelje, lakmi, vepra ligësie, mashtrim, sjellje e shthurur, sy ziliqar . . . paarsyetueshmëri. Të gjitha këto gjëra të liga . . . e ndotin njeriun.»—Marku 7:18-23.

Sipas Jezuit, ata që përvetësojnë një pikëpamje ekstreme për higjienën e trupit e njëkohësisht shpërfillin standardet e Zotit për moralin dhe fenë, janë si kupa të pastra nga jashtë por të qelbura nga brenda.—Mateu 23:25, 26.

A janë të arsyeshme standardet e Biblës?

«Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 Gjonit 5:3.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Te Mikea 6:8 lexojmë: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?» A nuk është tejet e arsyeshme kjo kërkesë? Për më tepër, Krijuesi ynë dëshiron t’i bindemi nga dashuria. Kur veprojmë kështu, provojmë gëzim të madh. (Psalmi 40:8) Nëse gabojmë, na jep zemër mëshira e Perëndisë. «Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur», pra që jemi pre e lehtë e dobësive dhe e papërsosmërisë.—Psalmi 103:13, 14.

Me dy fjalë, standardet e Perëndisë për pastërtinë fizike, morale e fetare pasqyrojnë mirësinë dhe dashurinë e tij për ne. Kur u përmbahemi me dëshirë këtyre standardeve, tregojmë se jemi të mençur dhe se e duam.