Gjeta shpresë kur pata nevojë më tepër se kurrë
Papritur u gjenda i zhytur barkas në ujë. U përpoqa të ngrija kokën, por muskujt e qafës nuk reagonin. I tmerruar u përpoqa të rrotullohesha, por nuk i komandoja dot krahët e këmbët. Mushkëritë filluan të më mbusheshin me ujë. Atë ditë të ngrohtë vere të vitit 1991, jeta më ndryshoi kryekëput.
LINDA në qytetin e Serençit dhe u rrita në Tisëlëdan, një fshat në verilindje të Hungarisë. Në qershor të 1991-shit, bashkë me disa shokë shkuam në një vend të paeksploruar të lumit Tisë. U zhyta me mendimin se ishte thellë, por gabova rëndë! Theva tri rruaza të qafës dhe dëmtova shtyllën kurrizore. Një nga shokët e pa që nuk po lëvizja dot dhe më ngriti me kujdes e më nxori jashtë lumit para se të mbytesha.
Isha i vetëdijshëm dhe kuptova se po ndodhte diçka serioze. Dikush telefonoi urgjencën dhe më dërguan me helikopter në spital. Mjekët më operuan shtyllën kurrizore që problemi të mos përkeqësohej. Më vonë më transferuan në kryeqytet, Budapest, për të marrë veten. Ndenja i shtrirë me kurriz për tre muaj. Ndonëse arrija të lëvizja kokën, nuk i kontrolloja dot muskujt nga shpatullat e poshtë. Në moshën 20-vjeçare u bëra tërësisht i varur nga të tjerët. Ndihesha kaq i shkurajuar sa doja të vdisja.
Kur më në fund isha në gjendje të kthehesha në shtëpi, prindërit nisën të merrnin stërvitje që të kujdeseshin për mua. Por ishte e lodhshme për ta si fizikisht edhe emocionalisht. Pas afro një viti rashë në depresion. Në këtë moment mora kujdes profesional që më ndihmoi të ndryshoja pikëpamjen për sëmundjen.
Gjithashtu nisa të mendoja thellë për jetën. Pyesja veten: a ka qëllim jeta? Pse më ndodhi kjo tragjedi? Lexova revista e libra për të gjetur përgjigje. U përpoqa të lexoja edhe Biblën, por më dukej e vështirë ta kuptoja. Prandaj e ktheva në raft. Madje bëra një bisedë me një prift, por komentet e tij nuk më ndihmuan.
Më pas, në pranverë të vitit 1994, dy Dëshmitarë të Jehovait takuan babanë që u kërkoi të flitnin me mua. I dëgjoja teksa më shpjegonin se Perëndia ka qëllim ta kthejë tokën në parajsë e të zhdukë sëmundjet dhe vuajtjet. Tingëllonte shumë bukur, por isha skeptik. Gjithsesi pranova dy botime ndihmëse për studimin e Biblës. Pasi lexova librat, Dëshmitarët më ftuan të studioja Biblën me ta dhe pranova. Më nxitën edhe të lutesha.
U binda se Perëndia merakoset sinqerisht për mua
Ndërsa përparoja me studimin, mora përgjigjet direkt nga Bibla për pyetjet e mia të shumta. Gjithashtu u binda se Perëndia merakoset sinqerisht për mua. Në fund, më 13 shtator 1997, pasi kisha studiuar Biblën për dy vjet, u pagëzova në shtëpi në vaskë. Ishte një nga ditët më të lumtura të jetës sime.
Më 2007 u transferova përfundimisht në Budapest, në një shtëpi për invalidët. Kjo më ka dhënë shumë mundësi të flas me të tjerët për gjërat e mrekullueshme që kam mësuar. Kur moti është i mirë, mund të dal të flas me njerëzit falë një karroce invalidësh, të motorizuar, të përshtatur për nevojat e mia. E drejtoj me mjekër.
Me ndihmën bujare të një familjeje në kongregacion, arrita të blija një laptop që punon në varësi të lëvizjes së kokës. Kjo pajisje më ndihmon të telefonoj me anë të Internetit dhe t’u shkruaj letra njerëzve që lajmëtarët e kongregacionit tim nuk i gjejnë në shtëpi kur predikojnë. Falë kësaj metode për të ndihmuar të tjerët kam përmirësuar ndjeshëm aftësitë e komunikimit dhe nuk përqendrohem më te vetja.
Madje kam mundësi edhe të ndjek mbledhjet e krishtere. Kur mbërrij në Sallën e Mbretërisë, bashkëbesimtarët me kujdes më çojnë një kat më sipër duke më mbajtur në karrocën time. Gjatë mbledhjeve, kur auditorit i kërkohet të komentojë, vëllai pranë meje ngre dorën për mua. Pastaj më mban Biblën ose botimin që po studiohet ndërsa unë them komentin.
Kam vazhdimisht dhembje dhe më duhet ndihma e të tjerëve për pothuajse çdo gjë. Ja pse ndonjëherë ndihem përtokë. Por, miqësia me Perëndinë Jehova ma ngre zemrën peshë, ashtu si dijenia se më dëgjon kur i shpreh shqetësimet. Marr zemër nga leximi i ditëpërditshëm i Biblës dhe nga bashkëbesimtarët. Miqësia e tyre, mbështetja emocionale dhe lutjet që bëjnë për mua më ndihmojnë të ruaj ekuilibrin mendor dhe emocional.
Jehovai më ka ngushëlluar tamam kur kisha nevojë më tepër se kurrë. Veç kësaj më ka dhënë shpresë për shëndet të përsosur në botën e re. Ndaj mezi pres kohën kur të kem mundësi ‘të eci, të hov e të lëvdoj Perëndinë’ për dashurinë e dashamirësinë e tij të jashtëzakonshme.—Veprat 3:6-9.