TEMA KRYESORE | A ËSHTË E DALË MODE BIBLA?
Vlera enkas për njeriun në çdo kohë—Ndershmëria
PARIMI BIBLIK: «Kush do të jetë mysafir në tendën [e Zotit]? . . . Ai që ecën në mënyrë të patëmetë dhe praktikon drejtësinë, që thotë të vërtetën që ka në zemër.»
DOBITË: Shumë veta i çmojnë ndershmërinë dhe integritetin. Por çfarë ndodh nëse dikujt i jepet rasti të përfitojë nga pandershmëria dhe t’ia hedhë pa u lagur? Reagimi varet nga zemra, nga personi i brendshëm.
Rakela, puna e së cilës përfshinte blerjet, tha: «Disa agjentë shitjeje më ofronin ryshfet. Më premtonin se, nëse blija prej tyre, një pjesë të ‘uljeve’ do të ma kalonin mua, jo kompanisë sime. Në këto raste sillja ndër mend këshillën e Biblës për ndershmërinë dhe u thosha jo. Shefja e mori vesh dhe iu rrit besimi tek unë.»
Nëse Rakela do të ishte joshur nga oferta, ndoshta do të përfitonte nga ana materiale për njëfarë kohe. Por çdo të ndodhte sikur shefja ta zbulonte? A do ta vazhdonte dot punën Rakela? Po në të ardhmen, a do të gjente kollaj punë? Për të kishin më shumë rëndësi ndërgjegjja dhe respekti për veten. Proverbat 22:1 thotë: «Më mirë të bësh një emër të mirë, se pasuri të bollshme. Hiri është më i mirë edhe se argjendi dhe ari.»
Edhe Xhesi ishte i ndershëm e i besueshëm, dhe bëri emër të mirë para punëdhënësit. Ç’dobi pati nga kjo? Jo vetëm që u bë menaxher, por iu dha më shumë liri gjatë orarit të punës. Si rezultat, kalonte më shumë kohë me të shoqen dhe fëmijët, si edhe në aktivitete fetare. Kur kërkojnë punëtorë, disa punëdhënës drejtohen te grupe që njihen për ndershmërinë. Për shembull, një menaxher kompanie në Filipine i shkroi zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait atje dhe i ftonte Dëshmitarët të aplikonin për punë. Ai shkruante: «Punojnë fort dhe janë të ndershëm e të përkushtuar.» Natyrisht, merita për këtë i shkon Perëndisë Jehova, i cili na mëson ‘të urrejmë të keqen dhe të duam të mirën’.