«Zoti po na shëron plagët e zemrës»
NATALJA dhe djali i saj nëntë vjeç, Aslani, u strukën pranë Zarinës dhe vajzës së saj 12-vjeçare. Më tepër se 1.000 fëmijë e të rritur të tjerë ishin ulur ngjitur me njëri-tjetrin dhe vëzhgoheshin nga terroristë të armatosur rëndë.
Atë mëngjes, të mërkurën më 1 shtator 2004, fëmijët bashkë me prindërit ishin para shkollës gati për të festuar ditën e parë të shkollës në Beslan, një qytezë në Alani, Rusi. Papritur, më shumë se 30 terroristë të armatosur dhe kamikazë u futën me forcë mes tyre, duke qëlluar në ajër e duke bërtitur. I grumbulluan dhe i futën në palestrën e shkollës që e rrethuan me eksplozivë.
Mbahen peng
Ky ishte vetëm fillimi i tri ditëve me negociata të pafrytshme mes terroristëve dhe forcave të sigurisë. Natalja, që studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kujton: «Kurrë më parë nuk isha lutur aq shumë.»
Ishte fundi i verës dhe në palestër vapa të zinte frymën. Mëngjesin e ditës së dytë pengjet mbetën pa ushqim e ujë. Ditën e tretë, të premten, disa prej tyre u detyruan të pinin urinë e të hanin lulet që fëmijët kishin sjellë për mësuesit. Natalja thotë: «Djali që ishte ulur afër meje më la në dorë një gjethe. E ndava më dysh dhe i dhashë gjysmën Anzhelikës e gjysmën Aslanit.»
Aty nga fundi i ditës së tretë filloi kasaphana. Natalja vazhdon: «Shpërthimet më plasën përtokë. Palestra u mbush plot tym dhe filluan të shtënat.» Ajo dhe Aslani dolën jashtë, duke u zvarritur nën vërshëllimën e plumbave mes ushtarëve dhe terroristëve.
Një vendës me emrin Alan i tërhoqi dhe kështu shpëtuan. Shumë të tjerë nuk arritën të dilnin.Çfarë ndodhi më pas?
Qindra fëmijë e të rritur vdiqën. Edhe Anzhelika. Për javë të tëra në Beslan dëgjoheshin të qara e klithma. Dritaret e apartamentit të Nataljas shohin nga shkolla. Edhe pse aty afër u ndërtua një shkollë e re, Aslani e kishte të vështirë të shkonte. Madje nuk dilte as për të luajtur. Natalja thotë: «Iu përgjëruam Jehovait që ta ndihmonte ta hiqte frikën.» Me kalimin e kohës mori guximin të kthehej në shkollë.
Kurse sfida e Nataljas ishte të ndiqte mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë. Ajo tregon: «Sa herë ndodhesha në një vend të mbyllur me shumë njerëz, kisha ndjesinë se ndërtesa do të sulmohej nga momenti në moment. Lutesha që të mos ndodhte gjë. Pas pak kohësh nuk shkova më. Ndihesha keq edhe kur mendoja se gjithë ata veta vdiqën kurse ne shpëtuam.»
Rimëkëmbja
Natalja shprehet: «U jam mirënjohëse atyre në kongregacion që më ndihmuan vazhdimisht. Një Dëshmitare me emrin Tatjana më vizitonte rregullisht çdo tri ditë. Pas njëfarë kohe sillte me vete një Dëshmitare tjetër, Uljanën shpirtmirë, të matur dhe gojëmbël, që e njihte Biblën në majë të gishtave. Më lavdëronte për përpjekjet dhe më dëgjonte gjithë sy e veshë.
«Më në fund arrij të flas për atë ditë pa mllef ose frikë»
Uljana më lexoi fjalët e apostullit Pavël te 2 Korintasve 1:9. Pas një peripecie në Azi, ai tha: ‘E ndienim përbrenda se kishim marrë dënimin me vdekje.’ Më lexoi edhe Isainë 40:31: ‘Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi. Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat.’ Shkrime të tilla dhe mbështetja e vazhdueshme emocionale e Uljanës dhe e të tjerëve, më dhanë forcë të shkoja përsëri në mbledhjet e krishtere bashkë me fëmijët. Prapëseprapë, ende ndihem në ankth kur jam në sallë.»
Më vonë Zarina u bë Dëshmitare e Jehovait dhe mezi pret ta takojë përsëri Anzhelikën pasi të ringjallet në një tokë të bukur dhe paqësore, që do të qeveriset nga Mbretëria e Perëndisë. (Mateu 6:9, 10; Veprat 24:15) Natalja dhe fëmijët u pagëzuan në vitin 2009. Akoma jetojnë afër rrënojave të palestrës, por e kanë hedhur pas krahëve traumën. Natalja thotë: «Më në fund arrij të flas për atë ditë pa mllef ose frikë. Zoti po na shëron plagët e zemrës.»