Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | TË RINJTË

Kur një lidhje merr fund

Kur një lidhje merr fund

VËSHTIRËSIA

«Mendoja se kisha gjetur njeriun e duhur. I thosha vetes: ‘Mund të kaloj gjithë jetën me këtë djalë.’ Por vetëm pas dy muajsh shoqërimi, m’u desh t’i kërkoja të ndaheshim. S’arrija ta besoja se ajo që nisi aq mrekullueshëm mbaroi aq shpejt!»​—Ana. *

«Më të ngjashëm s’mund të ishim. Isha më se e bindur se do të martoheshim. Megjithatë, ndërsa ditët kalonin, nisa të kuptoja sa të ndryshëm ishim. Kur pashë se po gaboja rëndë, u ndava me të.»​—Ilejna.

A të ka ndodhur edhe ty kështu? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë shumë.

Ç’DUHET TË DISH

Ndarja mund të jetë e dhimbshme edhe për atë që e kërkoi i pari. Një gocë me emrin Sara, që u nda nga i dashuri pas gjashtë muajsh, tha: «U ndjeva tmerrësisht keq. Dje ky njeri ishte pjesë e jetës dhe e së ardhmes sime; sot nuk figuron gjëkundi. S’arrij t’i dëgjoj më këngët që më kujtojnë momentet e bukura me të. Nuk shkoj dot në vende të veçanta për ne, dhe ndiej dhembje ngaqë s’e kam pranë. Ndihem kështu edhe pse e mora unë e para këtë hap.»

Edhe pse e dhimbshme, ndarja mund të mos jetë aq keq. Ilejna thotë: «Ti nuk do që ta lëndosh tjetrin. Mirëpo e kupton se do, s’do, që të dy do të lëndohen nëse vazhdojnë një lidhje që s’të çon gjëkundi.» Sara mendon njësoj: «Mendoj se, nëse nuk je e lumtur ndërsa shoqërohesh me dikë, ka gjasa të mos jesh as kur të martohesh me të, ndaj më e mira që mund të bësh është të ndahesh.»

Ndarja nuk të bën dështak. Në të vërtetë, një periudhë njohjeje e suksesshme është ajo që përfundon në një vendim, jo medoemos në martesë. Nëse ti ose i dashuri keni rezerva, mbase është më mirë të ndaheni. Nëse marrëdhënia mes jush dështon, nuk do të thotë se ti ke dështuar. Mund të shohësh para. Si?

Ç’MUND TË BËSH

Prano dhembjen. Ilejna pohon: «Nuk humba thjesht një shok, por shokun tim më të mirë.» Kur ndahesh nga dikush me të cilin ishe lidhur ngushtë, është normale të ndihesh keq për njëfarë kohe. Një çun që quhet Adam, thotë: «Edhe kur je i bindur se ndarja është gjëja më e mirë, prapë do të të dhembë se në fund të fundit s’do të jeni më bashkë.» Mbase ndihesh si mbreti David për të cilin flitet në Bibël. Gjatë një periudhe angështie, ai shkroi: «E laj me lot krevatin tim.» (Psalmi 6:6) Ndonjëherë është më mirë ta pranojmë dhembjen e jo ta shmangim. Ky mund të jetë hapi i parë drejt shërimit.​—Parimi biblik: Psalmi 4:4.

Rri me njerëz që të kanë për zemër. S’diskutohet, mund të mos jetë e lehtë. Ana thotë: «Në fillim nuk doja as të shihja njeri me sy. Më duhej kohë të merrja veten, të mendoja e të kuptoja çfarë kishte ndodhur.» Megjithatë, më vonë Ana kuptoi sa e mençur ishte të rrinte me miq të shtrenjtë që i jepnin zemër. Ajo shprehet: «Tani jam më e qetë mendërisht dhe nuk ndihem aq keq sa më parë.»​—Parimi biblik: Proverbat 17:17.

Mëso nga ajo që ndodhi. Pyet veten: «Mos vallë kjo situatë zbuloi ndonjë aspekt ku duhet të përmirësoj? Po të kem një rast tjetër, a do të bëja diçka ndryshe?» Një e re me emrin Marsia thotë: «Pas njëfarë kohe, mund ta analizoja më mirë atë që ndodhi. Gjithsesi, duhej të prisja derisa t’i analizoja gjërat me gjakftohtësi në vend që të më drejtonin ndjenjat.» Po kështu mendon edhe Adami: «M’u desh një vit të merrja veten. M’u desh edhe më shumë të nxirrja mësim nga ajo që ndodhi. Nga kjo mësova më tepër për veten, për vajzat dhe për lidhjet. Tani ndiej shumë më pak dhembje për ndarjen.»

Lutu kur je në ankth. Bibla thotë se Zoti «shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme». (Psalmi 147: 3) Ai nuk është mbles hyjnor dhe nuk mund ta fajësojmë kur një lidhje merr fund, por ama ka shumë merak për ty. Zbrazja zemrën Atij.​—Parimi biblik: 1 Pjetrit 5:7.

^ par. 4 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.