Erdhën balenat!
Çdo vit, duke filluar nga muaji korrik, femrat e balenave «të duhura» të hemisferës jugore (Eubalaena australis) mbërrijnë në bregun jugor të Santa-Katarinës, Brazil. Ato bëjnë mijëra kilometra udhë, që nga pjesa veriore e rrethit polar antarktik, për të lindur dhe për të rritur të vegjlit në ujëra të cekëta. Për disa muaj, banorët e turistët i kundrojnë balenat nga plazhet ose shkëmbinjtë, ku nënat dhe të vegjlit e tyre qëndrojnë ose argëtohen në ujë. *
Krijesa ujore gjigante, por akrobatike
Një balenë femër mund të jetë 16 metra e gjatë, pak a shumë sa një autobus fizarmonikë, dhe mund të peshojë deri në 80 tonë. Në përgjithësi, këto balena masive kanë ngjyrë të zezë, ndonjëherë me pulla të bardha në trup. Kanë kokë të stërmadhe, sa rreth një e treta e gjithë trupit. Gojën e kanë të gjatë e të harkuar. Nuk kanë pendë në kurriz, si disa lloje të tjera balenash. Që të notojë drejt përpara, balena e lëviz lart e poshtë bishtin e saj të gjerë në formë V-je të theksuar, dhe jo anash si peshqit. Për të ndryshuar drejtim, përdor pendët e përparme. Pak a shumë manovron si një aeroplan.
Është e habitshme që, pavarësisht nga përmasat e mëdha, këto balena janë tejet elastike, pasi bëjnë akrobaci të mahnitshme. Mund t’i shohësh të lundrojnë, duke e mbajtur bishtin lart mbi ujë për një kohë të gjatë; të pllaquriten, duke e ngritur bishtin dhe duke e përplasur fort në ujë; si edhe të hovin përpjetë, duke dalë nga uji dhe më pas duke u përplasur sërish me forcë, me stërkala që mund të shihen nga larg.
Karakteristikat e veçanta fizike
Mbi kokë dhe përreth saj, kjo balenë ka një sërë njollash si kallo me ngjyrë të bardhë
Biologët thonë se është e vështirë ta përcaktojmë moshën e këtyre balenave kur ngordhin, sepse ky lloj nuk ka dhëmbë. Ata mendojnë se jetëgjatësia e tyre mesatare është të paktën 65-vjeçare. *
Zakone interesante të të ngrënit
Balenat e duhura ushqehen me krustace shumë të vogla. Në secilën anë të nofullës së sipërme kanë struktura filtruese që përbëhen nga qindra fletëza të brirta me fije të holla. Ngaqë notojnë me gojën hapur, uji mund të filtrohet në këto fletëza të brirta, kurse preja shumë e vogël ngec në fijet e fletëzave. Falë kësaj, një balenë mund të konsumojë deri në dy tonë krustace në ditë.
Këto lloj balenash e kalojnë verën (janar-shkurt) duke u ushqyer në oqeanin Antarktik, ku formojnë shtresa dhjamore. Këto shtresa dhjamore janë një izolim termik i shkëlqyer në ujëra të ftohta dhe shërbejnë si rezerva ushqimore kur shtegtojnë.
Si e morën këtë emër?
Nga shekulli i 18-të e më tej, gjuetarët e balenave bënë kërdinë në hemisferën jugore. Për ta, këto ishin balenat «e duhura» për t’u gjuajtur. Pse? Meqenëse notonin ngadalë, mund t’i kapnin lehtësisht, madje edhe gjuetarët me barka të thjeshta prej druri që kishin vetëm fuzhnjë dore. Përveç kësaj, balenat e duhura ndryshojnë nga të tjerat, sepse pluskojnë kur i vrasin, ngaqë kanë shtresa të mëdha dhjamore. Kështu, gjuetarët mund t’i tërhiqnin lehtësisht deri në breg.
Për më tepër, dhjami dhe fletëzat ishin produkte të rëndësishme në atë kohë. Dhjami përdorej për llambat e vajit në rrugë dhe si lubrifikues. Fletëzat përdoreshin si tela për korse, për kamxhikët e kuajve dhe si tela çadrash. Në fakt, vetëm fletëzat e brirta të një balene do të mjaftonin për të mbuluar shpenzimet e një ekspedite të tërë.
Në fillim të shekullit të 20-të, gjuetia në masë e pakësoi ndjeshëm popullatën e balenave të duhura, dhe me kalimin e kohës gjuetia e balenave nuk ishte më biznes me fitim. Në Brazil, stacioni i fundit për gjuetinë dhe përpunimin e balenave u mbyll në vitin 1973. Ndonëse disa lloje balenash kanë pasur njëfarë rimëkëmbjeje, të tjera janë ende tejet të rrezikuara.
Balena e duhur është shembull i jashtëzakonshëm i kompleksitetit dhe i larmisë së madhe që karakterizon jetën në tokë. Është dëshmi e gjallë se ai që e krijoi, Projektuesi i Madh, Perëndia Jehova, ka mençuri dhe fuqi të jashtëzakonshme.
^ par. 2 Balenat shumohen edhe pranë brigjeve të Argjentinës, Australisë, Afrikës së Jugut, Uruguait dhe ishujve të Oklendit.
^ par. 8 Sipas shkencëtarëve, në kategorinë e balenave të duhura përfshihen tri lloje balenash. Përveç balenës Eubalaena australis në hemisferën jugore, janë edhe Eubalaena glacialis dhe Eubalaena japonica në hemisferën veriore.