Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si t’ia bëj që jemi tipa të ndryshëm?

Si t’ia bëj që jemi tipa të ndryshëm?

VËSHTIRËSIA

Ty të pëlqen sporti, kurse bashkëshorti ka qejf të lexojë. Ti je merakli dhe ç’të sheh syri, ta bën dora, kurse bashkëshorti është tepër i çrregullt. Ty të pëlqen të shoqërohesh me të tjerët, kurse bashkëshorti preferon të rrijë vetëm.

«Jemi komplet tipa të ndryshëm!—i thua vetes.—Po si nuk e vumë re këtë kur po njiheshim?»

Mbase edhe ti e ke vënë re këtë, të paktën në njëfarë mase. Por në atë kohë ka mundësi që e mbyllje njërin sy, dhe këtë është mirë ta bësh edhe tani që jeni të martuar. Ky artikull do të të ndihmojë si të bësh lëshime. Por, së pari shqyrto disa fakte për ato që konsiderohen si mospërputhje.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Disa ndryshime janë serioze. Dy veta njihen kryesisht për të përcaktuar sa përputhen me njëri-tjetrin. Prandaj, kur gjatë kësaj kohe vihet re që janë tepër të ndryshëm nga njëri-tjetri, shumë çifte ndahen, dhe nuk bëjnë veprimin e pamençur t’i futen një martese me dy pole të kundërta. Por ç’mund të themi për ndryshimet që janë më pak serioze—ato që s’mund të shmangen në asnjë martesë?

Nuk ka dy persona identikë. Prandaj, është normale që të martuarit të mos jenë njëlloj në një ose më shumë nga fushat e mëposhtme:

Interesat. «Aktivitetet në natyrë nuk më kanë tërhequr kurrë,—thotë një bashkëshorte që quhet Ana, *por burri im është rritur duke iu ngjitur maleve me borë dhe duke ecur për ditë të tëra në terrene të vështira.»

Zakonet. «Gruaja mund të rrijë zgjuar deri natën vonë dhe i del gjumi menjëherë në orën 5 të mëngjesit, por unë kam nevojë për shtatë deri në tetë orë gjumë, përndryshe nuk jam në humor të mirë»,—thotë një bashkëshort që quhet Brajan.

Personalitetet. Ti mund të jesh i rezervuar, kurse bashkëshorti është tip që shprehet. «U rrita duke mos ua treguar të tjerëve problemet e mia, por gruaja ime vinte nga një familje ku gjithçka e tregonin hapur»,—thotë një burrë me emrin David.

Ndryshimet mund të jenë të dobishme. «Mënyra ime mund të jetë e mirë, por kjo s’do të thotë se është mënyra e vetme»,—thotë një grua që quhet Helena.

ÇFARË MUND TË BËSH?

Mbështete bashkëshortin. Një burrë që quhet Adam, thotë: «Gruaja ime, Kerëni, s’ka pikë interesi për sportet, ama më ka shoqëruar për të parë disa lojëra dhe madje ka bërë tifo bashkë me mua. Nga ana tjetër, Kerëni i ka shumë qejf muzetë e artit, prandaj unë e shoqëroj dhe rrimë atje sa të dojë ajo. Përpiqem fort të tregoj interes për artin, se për të është i rëndësishëm.»Parimi biblik: 1 Korintasve 10:24.

Zgjeroje pikëpamjen. Fakti që bashkëshorti i sheh gjërat ndryshe nga ti, nuk do të thotë medoemos se e ka gabim. Pikërisht këtë mësoi një burrë që quhet Aleks. Ai thotë: «Gjithmonë mendoja se një vijë e drejtë nga pika A në pikën B është rruga më e shkurtër, dhe se të gjitha rrugët e tjera janë të gabuara. Por martesa më ka ndihmuar të kuptoj që ka shumë mënyra për të arritur nga pika A te pika B, dhe që secila është e efektshme në vetvete.»Parimi biblik: 1 Pjetrit 5:5.

Ji realist. Përputhshmëria nuk ka të bëjë me të qenët identikë. Prandaj mos nxirr përfundimin se bëre gabim që u martove, thjesht për shkak të disa ndryshimeve që ekzistojnë mes njëri-tjetrit. Libri The Case Against Divorce thotë: «Shumë veta justifikohen duke thënë ‘dashuria më kishte verbuar’.» Gjithsesi, libri thotë më tej: «Çdo ditë që e kaloni të lumtur së bashku, tregon se pavarësisht nga ndryshimet në personalitet, ju mund ta doni njëri-tjetrin.» Përpiquni që ‘të vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar’.Kolosianëve 3:13.

Provo këtë: Shkruaj ato karakteristika të bashkëshortit që të pëlqejnë, i do dhe të duken të përbashkëta. Më pas, shkruaj çfarë të duket si mospërputhje. Mbase do të vëresh se ndryshimet janë më pak serioze nga ç’mendon. Gjithashtu, lista do të nxjerrë në pah në cilat aspekte mund të jesh më tolerant ose ta mbështetësh më shumë bashkëshortin. Një bashkëshort me emrin Keneth thotë: «E çmoj kur gruaja më përshtatet, dhe e di se edhe ajo e çmon kur unë përshtatem me të. Ndonëse më duhet të bëj një sakrificë, kur e shoh të lumtur, edhe unë jam i lumtur.»Parimi biblik: Filipianëve 4:5.

^ par. 10 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.