Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Jehovai na dha forcë në kohë lufte dhe paqeje

Jehovai na dha forcë në kohë lufte dhe paqeje

Poli: Ndiheshim shumë të emocionuar! Ishte nëntori i vitit 1985, dhe po shkonim drejt caktimit tonë të parë misionar, në Liberi, në Afrikën Perëndimore. Avioni bëri një ndalesë në Senegal. «Brenda një ore do të jemi në Liberi»,—tha Ana. Por, papritur dëgjuam një njoftim: «Pasagjerët për në Liberi duhet të zbresin. Avioni nuk mund të ulet atje për shkak të një grushti shteti.» Dhjetë ditët pasuese qëndruam me misionarët në Senegal dhe dëgjonim lajmet nga Liberia që flitnin për kamionë me kufoma dhe për gjendjen e shtetrrethimit, ku qeveria vriste këdo që e shkelte shtetrrethimin.

Ana: Ne s’jemi tipa që na pëlqejnë aventurat. Në fakt që kur isha e vogël, më kanë thirrur «Anushja frikacake». Më kap ankthi edhe kur duhet të kaloj rrugën! Gjithsesi ishim të vendosur të shkonim në caktimin tonë.

Poli: Unë dhe Ana kemi lindur në të njëjtën zonë, në perëndim të Anglisë, vetëm 8 kilometra larg njëri-tjetrit. Falë nxitjes që morëm nga prindërit e mi dhe nga mamaja e Anës, të dy filluam të shërbenim si pionierë menjëherë pas shkollës së mesme. Prindërit na mbështetën plotësisht në synimin për ta bërë shërbimin e plotkohor karrierën tonë. Kur isha 19 vjeç, pata privilegjin të shkoja në Bethel, dhe pasi u martuam, në vitin 1982, erdhi edhe Ana.

Diplomimi i Galadit, 8 shtator 1985

Ana: E donim Bethelin, por gjithmonë kishim pasur dëshirë të shërbenim ku kishte më tepër nevojë. Bashkëpunimi me ish-misionarë në Bethel na e forcoi edhe më shumë këtë dëshirë. Prandaj çdo natë, për tre vjet rresht, u lutëm specifikisht për këtë. Ja pse fluturuam nga gëzimi kur në vitin 1985 morëm ftesën për të ndjekur klasën e 79-të të Galadit. Si përfundim na caktuan në Liberi, në Afrikën Perëndimore.

MORËM FORCË NGA DASHURIA E VËLLEZËRVE DHE MOTRAVE

Poli: Morëm avionin e parë që u lejua të shkonte në Liberi. Situata ishte e tensionuar, dhe shtetrrethimi mbetej në fuqi. Mjaftonte zhurma e fortë dhe e papritur e një makine për të shkaktuar panik te të gjithë njerëzit në pazar. Që të ruanim paqen në zemër, lexonim bashkë çdo natë pjesë nga Psalmet. Pavarësisht nga situata e vështirë në vend, e donim shumë caktimin tonë. Ana dilte çdo ditë në shërbim, ndërsa unë punoja në Bethel përkrah Xhon Çerukut. a Mësova shumë nga përvoja e tij, pasi kishte jetuar gjatë në Liberi dhe i njihte shumë mirë vështirësitë e rrethanat e vëllezërve dhe motrave atje.

Ana: Pse na hyri kaq shpejt në zemër Liberia? Për shkak të vëllezërve dhe motrave. Ata ishin të dashur, miqësorë dhe besnikë. U lidhëm ngushtë me ta, dhe u bënë familja jonë e re. Fjalët dhe këshillat e tyre na dhanë shumë zemër. Edhe shërbimi ishte fantastik. Ata që takonim gjatë predikimit shtëpi më shtëpi, fyheshin nëse largoheshim menjëherë. Nëpër rrugë kishte plot njerëz që flisnin për Biblën. Mjaftonte që vetëm t’u afroheshim dhe menjëherë përfshiheshim në këto biseda. Kishim kaq shumë studime të Biblës, sa ishte sfidë t’i mbanim të gjitha. E ku ta gjeje një problem si ky?!

MARRIM FORCË PAVARËSISHT NGA FRIKA

Kujdesemi për motrat e vëllezërit e strehuar në Bethelin e Liberisë, 1990

Poli: Në vitin 1989, pas një periudhe disi paqësore 4-vjeçare, ndodhi një ndryshim shokues—shpërtheu lufta civile. Më 2 korrik 1990, forcat rebele zaptuan zonën rreth Bethelit. Për tre muaj humbëm çdo kontakt me botën jashtë, edhe me familjet tona dhe me selinë botërore. Kudo kishte anarki, mungesë ushqimi dhe ndodhnin përdhunime. Kjo situatë e rëndë zgjati 14 vjet dhe preku gjithë vendin.

Ana: Anëtarë të disa fiseve luftonin dhe vritnin anëtarë të fiseve të tjera. Nëpër rrugë silleshin lart e poshtë njerëz të armatosur gjer në dhëmbë, të veshur çuditshëm, që bastisnin çdo banesë. Ca prej tyre shpreheshin se të vrisje njerëz, ishte «si të therje pula». Nëpër postblloqe, disa prej të cilave afër Bethelit, kishte pirgje kufomash. Mjerisht, humbën jetën edhe Dëshmitarë besnikë, duke përfshirë edhe dy nga misionarët tanë të dashur.

Dëshmitarët vunë kokën në rrezik që të fshihnin vëllezër e motra që u përkitnin fiseve të vëna nën shënjestër. Edhe misionarët e bethelitët vepruan njësoj. Në Bethel, disa Dëshmitarë që ia kishin mbathur prej luftës, flinin në katin e poshtëm, ndërsa të tjerë banonin me ne në dhomat lart. Në dhomën tonë kishim një familje prej 7 vetash.

Poli: Çdo ditë, njerëz të armatosur përpiqeshin të hynin në Bethel, për të parë nëse kishim fshehur ndokënd. Kishim një sistem sigurie që përbëhej nga katër veta: dy bënin roje te dritarja, ndërsa dy të tjerë shkonin te porta e jashtme. Nëse këta të fundit i mbanin duart para, do të thoshte se çdo gjë ishte mirë. Por, nëse i vinin pas shpine, do të thoshte se ata njerëz të armatosur ishin goxha agresivë, ndaj rojat te dritarja duhej t’i fshihnin menjëherë motrat e vëllezërit e strehuar.

Ana: Pas javësh të tëra, një grup i armatosur dhe i tërbuar hyri me forcë në Bethel. Unë bashkë me një motër u mbyllëm në banjë. Aty brenda gjendej një dollap që në fund kishte një ndarje sekrete ku mund të fshiheshe. Motra u ngjesh aty. Burrat e armatosur me mitralozë u ngjitën lart ku ishim ne. Të acaruar filluan t’i binin derës me forcë. Poli iu përgjërua të mos hynin dhe u tha: «Ju lutem, gruaja ime është në banjë.» Kur mbylla ndarjen e dollapit ku ishte fshehur motra, bëra goxha zhurmë. M’u desh pak kohë derisa i rregullova sërish gjërat nëpër rafte, dhe vonesa ime mund të ngjallte dyshime, ndaj fillova të dridhesha nga frika. E si mund ta hapja derën në atë gjendje?! Bëra një lutje në heshtje dhe iu përgjërova Jehovait të më ndihmonte. Më pas hapa derën dhe ia dola t’i përshëndetja me qetësi. Njëri prej tyre më shtyu dhe shkoi menjëherë te dollapi, e hapi dhe filloi të rrëmonte nëpër rafte. Nuk u besonte dot syve që nuk gjeti njeri. Ai dhe gjithë grupi kërkuan edhe nëpër dhomat e tjera e në papafingo, por sërish nuk gjetën gjë.

E VËRTETA VAZHDONTE TË SHNDRISTE

Poli: Për muaj të tërë kishim shumë pak ushqim, por ushqimi besimforcues na mbante gjallë. Shpesh i vetmi «mëngjes» që konsumonim, ishte adhurimi i mëngjesit, të cilin të gjithë e vlerësonim jashtë mase për forcën që na jepte.

Po të na mbaronin uji dhe ushqimi, do të na duhej të dilnim nga Betheli, e me shumë gjasa jeta e motrave dhe e vëllezërve të fshehur do të ishte në rrezik. Ndonjëherë, mënyra dhe momenti kur i siguronte Jehovai këto gjëra, dukej si mrekulli. Ai u kujdes për nevojat tona dhe na ndihmoi ta mposhtnim frikën.

Sa më në terr kridhej bota përreth, aq më tepër shndriste drita e së vërtetës. Edhe pse vëllezërve e motrave iu desh t’ia mbathnin sa e sa herë që të shpëtonin jetën, besimi dhe dinjiteti i tyre mbetën të pacenuara. Disa thoshin se kjo situatë «po i stërviste për shtrëngimin e madh». Pleq dhe vëllezër të rinj të guximshëm morën drejtimin për të ndihmuar bashkëbesimtarët. Kur shkonin në zona më të sigurta, motrat e vëllezërit i bëheshin krah njëri-tjetrit, hapnin territore të reja për të predikuar dhe mbanin mbledhje në Salla Mbretërie të sajuara nëpër pyje. Mbledhjet ishin një liman inkurajimi mes një deti dëshpërimi. Veç kësaj, predikimi i ndihmoi Dëshmitarët ta përballonin sa më mirë atë situatë. Kur shpërndanim ndihma, prekeshim kur shihnim vëllezërit që, në vend të rrobave, na kërkonin çanta për shërbim. Njerëz të dëshpëruar e të traumatizuar ishin të etur të dëgjonin lajmin e mirë. Ata mahniteshin nga gëzimi dhe optimizmi që pasqyronin Dëshmitarët, të cilët ndriçonin si një dritë në mes të gjithë asaj errësire. (Mat. 5:14-16) Zelli i vëllezërve dhe motrave i nxiti edhe disa luftëtarë mizorë të bëheshin Dëshmitarë.

MARRIM FORCË EDHE PSE ME ZEMRËN COPË

Poli: Na u desh të largoheshim disa herë nga Liberia: tri herë për një kohë të shkurtër dhe dy herë të tjera për një vit të tërë. Një motër misionare i përmblodhi më së miri ndjenjat tona me këto fjalë: «Në Galad na mësuan ta jepeshim me gjithë zemër pas caktimit tonë, dhe kështu bëmë. Ndaj, kur i lamë vëllezërit tanë në këto rrethana, na u copëtua zemra!» Sa mirë që ende mund t’i mbështetnim bashkëbesimtarët dhe veprën në Liberi nga vendet përreth ku qëndronim.

Kthehemi të gëzuar në Liberi, 1997

Ana: Në majin e vitit 1996, katër prej nesh hipëm në një makinë të Bethelit që ishte plot me dokumente të rëndësishme të degës së Liberisë. Donim të shkonim në anën tjetër të qytetit, në një vend më të sigurt që ishte 16 kilometra larg. Papritur zona ku ishim ne u sulmua. Një grup i armatosur qëlloi në ajër, na ndaloi, nxori nga makina 3 prej nesh dhe e morën automjetin bashkë me Polin brenda. Ne mbetëm si të shastisur. Papritur, përmes turmës së njerëzve pamë Polin që po vinte drejt nesh, me ballin e gjakosur. Në rrëmujë e sipër menduam se e kishin qëlluar me armë, por pastaj e kuptuam se kjo ishte e pamundur pasi ishte duke ecur. Njëri nga burrat e armatosur e kishte goditur kur e kishte shtyrë jashtë makinës. Shyqyr që s’ishte ndonjë plagë e madhe!

Aty pranë ndodhej një mjet transporti ushtarak plot me njerëz të terrorizuar. Meqë brenda s’kishte vend, u kapëm në pjesën e jashtme të makinës. Shoferi e shkeli aq fort gazin, sa për pak u rrëzuam. Iu përgjëruam të ndalonte, por ai ishte tepër i frikësuar, ndaj s’na e vuri veshin. Edhe pse në njëfarë mënyre ia dolëm të mbaheshim, kur mbërritëm, trupi na dhimbte e na dridhej i gjithi nga frika dhe sforcimi.

Poli: Me rrobat e grisura e gjithë pluhur, shihnim njëri-tjetrin dhe ende nuk e besonim që ishim akoma gjallë. Fjetëm në një fushë pranë një helikopteri rrangallë e të bërë shoshë nga plumbat, i cili të nesërmen na çoi në Sierra-Leone. Ndiheshim të lumtur që ishim ende gjallë, por njëkohësisht na brente meraku për vëllezërit dhe motrat në Liberi.

MARRIM FORCË PËR TË PËRBALLUAR NJË SFIDË TË PAPRITUR

Ana: Mbërritëm shëndoshë e mirë në Bethelin e Fritaunit në Sierra-Leone, dhe vëllezërit e motrat atje u kujdesën për ne. Por mua filluan të më vinin në mendje kujtime të frikshme nga Liberia. Gjatë ditës isha si në gjendje alarmi nga frika, dhe çdo gjë përreth dukej e turbullt dhe si në ëndërr. Natën ngrihesha duke u dridhur, e mbuluar nga djersë të ftohta, me frikën se mos ndodhte ndonjë gjë e tmerrshme. Mezi mbushesha me frymë. Poli më shtrëngonte në krahët e tij dhe lutej me mua. Këndonim këngë Mbretërie derisa më pushonin të dridhurat. Më dukej sikur po çmendesha dhe nuk do të shërbeja dot më si misionare.

S’do ta harroj kurrë se ç’ndodhi më pas. Po atë javë, dolën 2 revista. Njëra ishte Zgjohuni! i 8 qershorit 1996 (anglisht), që kishte artikullin «Të përballojmë krizat e panikut». Më në fund e kuptova se çfarë po më ndodhte. Revista tjetër ishte Kulla e Rojës e 15 majit 1996, që përmbante artikullin «Ku e gjejnë forcën?» Aty ndodhej figura e një fluture me krahët e dëmtuar. Artikulli shpjegonte se një flutur mund të ushqehet e të fluturojë edhe kur ka humbur një pjesë të mirë të krahëve. Po njësoj, me ndihmën e frymës së Jehovait ne mund të vazhdojmë t’u bëhemi krah të tjerëve pavarësisht nga plagët emocionale. Për mua ky ishte ushqim besimforcues nga Jehovai fiks në kohën e duhur. (Mat. 24:45) Një gjë tjetër që më ndihmoi, ishte të bëja kërkime dhe të ruaja në një dosje artikuj që flisnin rreth kësaj teme. Me kalimin e kohës, simptomat e stresit post-traumatik u zbehën.

MARRIM FORCË PËR T’U PËRSHTATUR

Poli: Ishim tejet të lumtur sa herë ktheheshim në Liberi. Nga fundi i vitit 2004 kishim pothuajse 20 vjet në këtë caktim. Lufta kishte përfunduar dhe po planifikoheshin disa ndërtime në degë. Por, papritur na kërkuan të shkonim në një caktim tjetër.

Kjo ishte një sfidë e vërtetë për ne. Ishim shumë të lidhur me familjen tonë të besimit, ndaj si ta përballonim këtë ndryshim? Kur lamë familjet tona të shtrenjta për të shkuar në Galad, përjetuam shumë bekime, ngaqë e lamë veten në duart e Jehovait. Ndaj e pranuam caktimin dhe na dërguan në Ganë, një shtet aty afër.

Ana: Derdhëm shumë lot kur lamë Liberinë. Por na habitën fjalët e Frenkut, një vëllai të moshuar e të mençur, kur na tha: «Duhet të na harroni!» Më pas na shpjegoi: «E dimë që nuk do të na harroni kurrë, ama duhet të përfshiheni me gjithë zemër në caktimin tuaj të ri. Vjen nga Jehovai, prandaj përqendrohuni te motrat dhe vëllezërit atje.» Kjo na dha zemër për t’ia nisur nga e para, në një vend për të cilin nuk dinim asgjë dhe shumë pak veta na njihnin.

Poli: Megjithatë nuk kaloi shumë kohë dhe u lidhëm ngushtë me familjen tonë të re në Ganë. Sa shumë Dëshmitarë kishte atje! Mësuam goxha nga qëndrueshmëria dhe nga besimi i fortë i miqve tanë të rinj. Pasi shërbyem për 13 vjet në Ganë, patëm një surprizë tjetër. Na kërkuan të shërbenim në degën e Afrikës Lindore, në Kenia. Edhe pse na merrte shumë malli për miqtë që kishim zënë në caktimet e mëparshme, ndiem menjëherë një lidhje të veçantë me vëllezërit e motrat në Kenia. Akoma jemi duke shërbyer në këtë territor gjigant, ku kemi shumë punë për të bërë.

Me miqtë tanë të rinj në territorin e degës së Afrikës Lindore, 2023

ÇFARË KEMI MËSUAR?

Ana: Gjatë gjithë këtyre viteve kam përjetuar momente të vështira, e madje edhe shumë frikë. Situatat e rrezikshme dhe stresuese mund të na shkaktojnë plagë fizike dhe emocionale. E nuk mund të presim që Jehovai të na mbrojë me ndonjë mrekulli. Kur dëgjoj të shtëna armësh, më bëhet një si lëmsh në stomak dhe më mpihen duart. Megjithatë, kam mësuar të përfitoj plotësisht nga çdo mënyrë që përdor Jehovai për të na forcuar, siç është përkrahja e vëllezërve dhe motrave. Kam parë edhe se kur mbajmë një program të mirë teokratik, Jehovai na ndihmon të mos e lëmë caktimin tonë.

Poli: Disa na pyesin: «A ju pëlqen caktimi?» Një vend mund të jetë i bukur, por mund të bëhet edhe i rrezikshëm e të mos ketë stabilitet. Ndaj, e dini çfarë na pëlqen më shumë te një vend? Motrat dhe vëllezërit tanë të çmuar, familja jonë. Edhe pse vijmë nga kultura të ndryshme, të gjithë e duam fort Jehovain. Mendonim se na kishin caktuar për të inkurajuar bashkëbesimtarët, por e vërteta është se janë ata që na kanë dhënë forcë.

Sa herë që transferohemi, shohim një mrekulli të ditëve tona: familjen mbarëbotërore të besimit. Për sa kohë që jemi pjesë e një kongregacioni, kemi një familje dhe një shtëpi. Jemi të sigurt se, po të vazhdojmë të mbështetemi te Jehovai, ai do të na japë forcën e nevojshme për të përballuar çdo gjë.—Filip. 4:13.

a Shih jetëshkrimin e Xhon Çerukut «I jam mirënjohës Perëndisë dhe Krishtit» në Kullën e Rojës të 15 marsit 1973, anglisht.