Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 45

KËNGA 138 Kurora e bukur e flokëve të bardhë

Mësime nga fjalët e fundit të burrave besnikë

Mësime nga fjalët e fundit të burrave besnikë

«A nuk kanë mençuri të moshuarit, dhe a nuk vjen me moshën aftësia për të kuptuar?»JOBI 12:12.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Bindja ndaj Perëndisë Jehova u çel udhën bekimeve tani dhe jetës përgjithmonë në të ardhmen.

1. Pse mund të mësojmë nga të moshuarit?

 TË GJITHË kemi nevojë për drejtim kur marrim vendime të rëndësishme në jetë. Një pjesë e mirë e këtij drejtimi na vjen nga pleqtë dhe nga të krishterë të tjerë të pjekur. E nëse janë goxha më të mëdhenj se ne në moshë, të mos nxjerrim me vrap përfundimin se këshillat e tyre nuk janë të kohës. Jehovai dëshiron të mësojmë nga të moshuarit. Ata kanë më tepër vite mbi supe, ndaj kanë fituar eksperiencë, aftësi për të kuptuar dhe mençuri.—Jobi 12:12.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Në kohët kur u shkrua Bibla, Jehovai përdori disa të moshuar besnikë që ta inkurajonin e ta udhëhiqnin popullin e tij. Le të mendojmë për shembullin e Moisiut, të Davidit dhe të apostullit Gjon. Ata jetuan në kohë e në rrethana krejt të ndryshme. Teksa jetës së tyre u afrohej fundi, u dhanë më të rinjve këshilla të mençura. E secili nga këta të moshuar besnikë theksoi sa e rëndësishme është t’i bindesh Perëndisë. Jehovai i ka ruajtur për ne fjalët e tyre të mençura. Qofshim të rinj a të moshuar, të gjithë mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar këto këshilla. (Rom. 15:4; 2 Tim. 3:16) Gjatë artikullit do të ndalemi te fjalët e fundit të këtyre tre burrave të moshuar dhe te mësimet që përmbajnë ato.

«DO TË JETONI GJATË»

3. Në ç’mënyra i shërbeu Moisiu Perëndisë dhe popullit të Tij?

3 Moisiu ishte i përkushtuar me gjithë shpirt ndaj Jehovait. Ai ishte profet, gjykatës, komandant dhe historian. Moisiu kishte fituar përvojë të pasur në jetë. Ai e udhëhoqi kombin e Izraelit kur Jehovai i çliroi nga skllavëria e Egjiptit dhe ishte dëshmitar okular i shumë prej mrekullive të Tij. Jehovai e përdori që të shkruante pesë librat e parë të Biblës, Psalmin 90 e ndoshta edhe Psalmin 91. Ka shumë të ngjarë që Moisiu të ketë shkruar edhe librin e Jobit.

4. Kujt i dha zemër Moisiu, dhe pse?

4 Pak para se të vdiste në moshën 120-vjeçare, Moisiu i mblodhi të gjithë izraelitët që t’u sillte ndër mend gjërat që kishin parë e përjetuar. Në rini, disa nga dëgjuesit e tij kishin parë shenjat e mrekullitë e shumta të Jehovait dhe si e kishte ndëshkuar Egjiptin. (Eks. 7:3, 4) Kishin ecur në tokë të thatë kur Jehovai ndau ujërat e Detit të Kuq dhe kishin parë shkatërrimin e ushtrisë së faraonit. (Eks. 14:29-31) Në shkretëtirë kishin provuar mbrojtjen dhe kujdesin e Jehovait. (Ligj. 8:3, 4) Tani që kombi ishte në prag të Tokës së Premtuar, Moisiu e shfrytëzoi këtë mundësi të fundit për t’u dhënë zemër. a

5. Çfarë sigurie u dhanë izraelitëve fjalët e fundit të Moisiut te Ligji i përtërirë 30:19, 20?

5 Çfarë tha Moisiu? (Lexo Ligjin e përtërirë 30:19, 20.) Kombin e Izraelit e priste një e ardhme e ndritur. Me bekimin e Jehovait, izraelitët mund të jetonin gjatë në vendin që u kishte premtuar ai. Çfarë vendi i bukur dhe i begatë që ishte! Ja si ua përshkroi Moisiu: «Një vend me qytete të mëdha e të bukura që nuk i ndërtove vetë, me shtëpi me gjithë të mirat për të cilat nuk punove vetë, me sterna që nuk i gërmove vetë, me vreshta dhe ullinj që nuk i mbolle vetë.»—Ligj. 6:10, 11.

6. Pse lejoi Perëndia që kombet e tjera ta pushtonin Izraelin?

6 Moisiu i dha kombit edhe një paralajmërim. Që të vazhdonin të jetonin në tokën e tyre të begatë, duhej t’u bindeshin urdhërimeve të Jehovait. Moisiu i nxiti ‘të zgjidhnin jetën’, duke e dëgjuar Jehovain dhe «duke u lidhur ngushtë me të». Prapëseprapë, ata i kthyen shpinën Perëndisë. Ja pse me kohë, ai lejoi që asirianët e më vonë babilonasit, t’i mundnin e t’i çonin në mërgim.—2 Mbret. 17:6-8, 13, 14; 2 Kron. 36:15-17, 20.

7. Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Moisiut? (Shihni edhe figurën.)

7 Mësimi për ne? Bindja sjell jetë. Ashtu si izraelitët që ishin në kufi të Tokës së Premtuar, ne jemi në prag të botës së re që na ka premtuar Perëndia. Së shpejti do ta shohim tokën të kthehet në parajsë. (Isa. 35:1; Luka 23:43) Djalli dhe demonët e tij nuk do të jenë aty. (Zbul. 20:2, 3) S’do të ketë më asnjë fe të rreme që t’i largojë njerëzit nga Jehovai. (Zbul. 17:16) Nuk do të ekzistojnë më qeveritë njerëzore që i shtypin nënshtetasit e tyre. (Zbul. 19:19, 20) Në parajsë nuk do të ketë vend për njerëz rebel. (Psal. 37:10, 11) Në çdo cep të tokës, njerëzit do t’u binden ligjeve të drejta të Jehovait të cilat nxitin unitetin dhe paqen. Si rrjedhojë, të gjithë do ta duan e do t’i besojnë njëri-tjetrit. (Isa. 11:9) Ç’e ardhme fantastike! Madje, po t’i bindemi Jehovait, mund të jetojmë në tokën parajsore jo thjesht për disa shekuj, por për gjithë përjetësinë.—Psal. 37:29; Gjoni 3:16.

Nëse i bindemi Jehovait, mund të jetojmë në tokën parajsore jo thjesht për disa shekuj, por për gjithë përjetësinë (Shih paragrafin 7)


8. Si e ndihmoi premtimi i jetës së përhershme një misionar? (Juda 20, 21)

8 Po ta mbajmë të gjallë në mendje premtimin e Jehovait se do të jetojmë përgjithmonë, do të na shtohet dëshira të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Të përballë çdo sprove. (Lexo Judën 20, 21.) Ky premtim mund të na japë fuqinë e nevojshme edhe për të luftuar dobësitë personale. Një vëlla që ka shërbyer prej kohësh si misionar në Afrikë e që luftonte vazhdimisht me një dobësi, u shpreh: «Kuptova se ishte në rrezik perspektiva ime për të jetuar përgjithmonë. Kjo ma forcoi vendosmërinë që ta luftoja atë dobësi dhe t’i përgjërohesha me zjarr Jehovait. Falë ndihmës së tij, ia dola mbanë.»

«DO TË KESH SUKSES»

9. Çfarë peripecish kaloi Davidi në jetë?

9 Davidi ishte një mbret i shkëlqyer. Ishte edhe muzikant, poet, luftëtar dhe profet. Ai kaloi sa e sa peripeci. Vite me radhë jetoi në arrati për t’i shpëtuar xhelozisë së mbretit Saul. Edhe pasi u bë mbret, Davidit iu desh t’ia mbathte që të shpëtonte kokën kur i biri, Absalomi, u përpoq t’i rrëmbente fronin. Mirëpo edhe pse hoqi goxha në jetë dhe bëri disa gabime të rënda, Davidi i qëndroi besnik Perëndisë derisa mbylli sytë. Vetë Jehovai e quajti «një njeri siç ma do zemra». Ndaj kemi çdo arsye që t’ua vëmë veshin këshillave të tij.—Vep. 13:22; 1 Mbret. 15:5.

10. Pse e këshilloi Davidi birin e tij, Solomonin, para se të hipte në fron?

10 Le të ndalemi, për shembull, te këshillat që i dha Davidi të birit dhe trashëgimtarit të fronit, Solomonit. Jehovai e zgjodhi atë të ri që të çonte para adhurimin e pastër dhe t’i ndërtonte një tempull për ta nderuar. (1 Kron. 22:5) Solomoni do të përballej me vështirësi. Çfarë porosish i la Davidi? Le ta shohim.

11. Sipas 1 Mbretërve 2:2, 3, për çfarë e siguroi Davidi Solomonin, dhe si dolën të vërteta ato fjalë? (Shihni edhe figurën.)

11 Çfarë tha Davidi? (Lexo 1 Mbretërve 2:2, 3.) Davidi i tha të birit se po t’i bindej Jehovait, do të kishte sukses në jetë. Në fakt, Solomoni pati mjaft sukses si mbret për vite me radhë. (1 Kron. 29:23-25) Ndërtoi tempullin madhështor, shkroi disa libra të Biblës, dhe fjalët e tij i gjejmë edhe në vende të tjera në Shkrime. Ai fitoi famë për mençurinë dhe pasurinë e tij. (1 Mbret. 4:34) Por siç shpjegoi Davidi, Solomoni do të kishte sukses vetëm për aq kohë sa do t’i bindej Perëndisë Jehova. Mjerisht, nga fundi i jetës Solomoni nisi të adhuronte perëndi të tjera. Ai e humbi miratimin e Jehovait, e rrjedhimisht edhe mençurinë për të qeverisur me drejtësi e paanësi.—1 Mbret. 11:9, 10; 12:4.

Fjalët e fundit që i tha Davidi të birit, Solomonit, na kujtojnë se po t’i bindemi Jehovait, Ai do të na japë mençuri që të marrim vendime të mira (Shih paragrafët 11-12) b


12. Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Davidit?

12 Mësimi për ne? Bindja sjell sukses. (Psal. 1:1-3) Sigurisht, Jehovai nuk na ka premtuar pasurinë dhe lavdinë e Solomonit. Ama, nëse i bindemi Perëndisë tonë, ai do të na japë mençuri që të marrim vendime të mira. (Prov. 2:6, 7; Jak. 1:5) Parimet e tij mund të na drejtojnë në çështje të jetës së përditshme, si puna, arsimimi, zbavitja dhe paratë. Zbatimi i këshillave të mençura të Jehovait, do të na mbrojë nga çdo gjë që na vë në rrezik miqësinë me të dhe perspektivën që të jetojmë përgjithmonë. (Prov. 2:10, 11) Gjithashtu do të lidhim miqësi të forta dhe do të kemi drejtimin që na nevojitet për të pasur një familje të lumtur.

13. Çfarë e ndihmoi Karmenin të kishte sukses në jetë?

13 Karmeni, e cila jeton në Mozambik, e shihte arsimimin e lartë si çelësin e suksesit në jetë. Kështu u regjistrua në universitet dhe nisi studimet për arkitekturë. Karmeni shkroi: «Më pëlqente shumë ajo që po mësoja. Por më merrte goxha kohë dhe m’i shteronte energjitë. Shkoja në shkollë në 7.30 të mëngjesit e dilja në 6.00 të darkës. E kisha të vështirë t’i kapja mbledhjet, dhe miqësia ime me Jehovain sa vinte e dobësohej. Thellë brenda vetes e kuptoja se po përpiqesha t’u shërbeja dy zotërinjve.» (Mat. 6:24) Karmeni u lut për situatën e saj dhe bëri kërkime në botimet tona. Ajo shtoi: «Pas këshillave të mençura nga vëllezër të pjekur dhe nga mamaja ime, vendosa ta lija universitetin që t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë. Kjo më ndihmoi të merrja vendimet më të mençura të jetës sime, e s’jam bërë hiç pishman.»

14. Cili ishte thelbi i fjalëve të Moisiut dhe të Davidit?

14 Moisiu dhe Davidi e donin Jehovain dhe e kuptonin mirë sa rëndësi kishte që t’i bindeshin. Me fjalët që thanë pak para se të vdisnin, i nxitën dëgjuesit të ndiqnin shembullin e tyre duke qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain. Veç kësaj, të dy paralajmëruan se kush i kthente krahët Jehovait, do të humbiste miratimin dhe bekimet që u kishte premtuar. Këshillat e tyre kanë vlerë edhe për ne sot. Shekuj më vonë, një shërbëtor tjetër i Jehovait tregoi sa rëndësi ka t’i qëndrojmë besnikë Atij.

«MË BËHET ZEMRA MAL»

15. Çfarë përjetoi apostulli Gjon gjatë jetës së tij?

15 Gjoni ishte një apostull që Jezu Krishti e kishte veçanërisht për zemër. (Mat. 10:2; Gjoni 19:26) Ai e shoqëroi Jezuin gjatë gjithë shërbimit në tokë, ishte dëshmitar i mrekullive të tij dhe i qëndroi besnik në kohë të vështira. Gjoni ishte i pranishëm edhe gjatë ekzekutimit të Jezuit dhe e pa pasi u ringjall. Gjithashtu ishte dëshmitar i përhapjes së krishterimit në shekullin e parë. Ai jetoi që nga koha kur kishte veç një grusht besnikësh e derisa lajmi i mirë «iu predikua të gjitha krijesave nën qiell».—Kolos. 1:23.

16. Cilët kanë nxjerrë dobi nga letrat e Gjonit?

16 Teksa jetës së tij të gjatë i afrohej fundi, Gjoni pati nderin të shkruante disa libra të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Ai hodhi me shkrim «zbulesën e Jezu Krishtit», një pjesë mbresëlënëse e Biblës. (Zbul. 1:1) Veç kësaj, shkroi Ungjillin që mban emrin e tij dhe tri letra të frymëzuara. Letrën e tretë ia drejtoi Gajit, një të krishteri besnik, që e donte si fëmijën e tij. (3 Gjon. 1) Në atë kohë duhet të ketë pasur mjaft të krishterë që Gjoni i shihte si fëmijët e vet. Fjalët e këtij të moshuari besnik u kanë dhënë zemër të gjithë dishepujve të Jezuit deri sot e kësaj dite.

17. Sipas 3 Gjonit 4, çfarë sjell gëzim të madh?

17 Çfarë shkroi Gjoni? (Lexo 3 Gjonit 4.) Gjoni shkroi për gëzimin që sjell bindja ndaj Perëndisë. Kur shkroi letrën e tretë, disa po përhapnin mësime të rreme dhe po shkaktonin përçarje në kongregacion. Megjithatë, të tjerë po vazhdonin ‘të ecnin në të vërtetën’. Ata i bindeshin Jehovait dhe ‘ecnin sipas urdhërimeve të tij’. (2 Gjon. 4, 6) Këta të krishterë besnikë ia bënë zemrën mal jo vetëm Gjonit, por edhe Jehovait.—Prov. 27:11.

18. Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Gjonit?

18 Mësimi për ne? Besnikëria sjell gëzim. (1 Gjon. 5:3) Jemi të lumtur, për shembull, kur e dimë se po bëjmë të lumtur Jehovain. Ai gëzon tek na sheh që u rezistojmë tundimeve të kësaj bote dhe i bindemi zërit të tij. (Prov. 23:15) Edhe engjëjt në qiell gëzojnë. (Luka 15:10) Gjithashtu na bëhet zemra mal kur shohim vëllezërit e motrat të qëndrojnë besnikë, sidomos përballë sprovave e tundimeve. (2 Sel. 1:4) E kur ky sistem të marrë fund, do të na gufojë zemra nga gëzimi që u treguam besnikë ndaj Jehovait edhe në një botë të sunduar nga Satanai.

19. Si ndihet Rejçëlli kur u mëson të tjerëve të vërtetën? (Shihni edhe figurën.)

19 Ndihemi tejet të lumtur kur u flasim të tjerëve për të vërtetat e Biblës. Rejçëlli, që jeton në Republikën Domenikane, e konsideron një privilegj të papërshkrueshëm t’u tregojë të tjerëve për Perëndinë e mrekullueshëm të cilit i shërbejmë. Kur sjell ndër mend ata që ka ndihmuar të marrin të vërtetën, ajo shprehet: «S’kam fjalë të përshkruaj gëzimin që provoj kur shoh si u shtohet në gji dashuria për Jehovain, si mbështeten pa rezerva tek ai dhe si bëjnë ndryshime në jetë që t’ia kënaqin zemrën. Ky gëzim tejkalon shumëfish çdo përpjekje e sakrificë që mund të kem bërë për t’i mësuar.»

Ndihemi tejet të lumtur kur u mësojmë të tjerëve ta duan Jehovain e t’i binden (Shih paragrafin 19)


NXIRR DOBI NGA FJALËT E FUNDIT TË BURRAVE BESNIKË

20. Ç’të përbashkëta kemi me Moisiun, Davidin dhe Gjonin?

20 Moisiu, Davidi dhe Gjoni jetuan në kohë e rrethana të ndryshme nga tonat. Gjithsesi kemi goxha të përbashkëta. Ata i shërbyen Perëndisë së vërtetë, njësoj si ne. Ashtu si ata, edhe ne i lutemi Jehovait, mbështetemi tek ai dhe kërkojmë drejtimin e tij në jetë. E sikurse ata besnikë të lashtësisë, s’kemi pikë dyshimi se Jehovai i bekon me bollëk ata që i binden.

21. Cilat bekime i presin ata që ua vënë veshin këshillave të të moshuarve besnikë, si Moisiu, Davidi dhe Gjoni?

21 Le t’ua vëmë veshin këshillave të këtyre burrave të moshuar, duke iu bindur urdhërimeve të Jehovait. Atëherë do të kemi sukses të vërtetë në gjithçka që bëjmë. ‘Do të jetojmë gjatë’, po, përgjithmonë! (Ligj. 30:20) E do të na gëzojë zemra që po kënaqim Atin tonë të dashur, i cili na shpërblen përtej çdo gjëje që mund të presim a të imagjinojmë.—Efes. 3:20.

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

a Shumica e izraelitëve që panë mrekullitë e Jehovait në Detin e Kuq nuk hynë në Tokën e Premtuar. (Num. 14:22, 23) Jehovai vendosi që të gjithë meshkujt e regjistruar nga 20 vjeç e lart, të vdisnin në shkretëtirë. (Num. 14:29) Megjithatë, Josiu, Kalebi dhe mjaft veta nga brezi më i ri e nga fisi i Levit, vazhduan të jetonin dhe panë si e përmbushi Jehovai premtimin e tij kur Izraeli kaloi lumin Jordan dhe hyri në Kanan.—Ligj. 1:24-40.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS Faqja 11: Majtas: Në prag të vdekjes, Davidi i jep disa këshilla të mençura të birit, Solomonit. Djathtas: Studentët në Shkollën e Shërbimit për Pionierë nxjerrin dobi nga arsimimi teokratik.