Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për të studiuar rregullisht

Ndihmë për të studiuar rregullisht

A E KE të vështirë ta bësh rregullisht dhe ta shijosh studimin e Biblës? Mund të na ndodhë të gjithëve. Por mendo pak për gjëra të tjera që i bëjmë rregullisht, si për shembull të lahemi në dush. Kjo kërkon kohë e përpjekje, ama sa të freskuar ndihemi më pas! Studimi i Biblës krahasohet me një ‘larje me ujë nëpërmjet fjalës’, ndaj mund të jetë po kaq freskues. (Efes. 5:26) Ja disa sugjerime që mund të të ndihmojnë:

  • Bëj një program. Studimi i Biblës është ndër «gjërat më të rëndësishme» që nuk duhet t’i lëmë pas dore. (Filip. 1:10) Çfarë mund të të ndihmojë ta respektosh programin që ke bërë? Ndoshta mund ta vendosësh në një vend ku e sheh shpesh, si për shembull te dera e frigoriferit. Ose mund të vësh një zile në celular që të të kujtojë pak para orarit të studimit.

  • Përshtate programin me nevojat e tua. A e ke më kollaj të përqendrohesh për një periudhë të gjatë apo për disa periudha të shkurtra? Ti e di ç’është më e mira për ty. Përshtate kohëzgjatjen e studimit me rrethanat që ke. Nëse në orarin e programuar nuk të vjen të studiosh, pse të mos e provosh vetëm për dhjetë minuta? Edhe në kaq pak kohë mund të përfitosh diçka. E pasi të kesh filluar, mbase do të kesh dëshirë të studiosh edhe ca.—Filip. 2:13.

  • Zgjidh që më parë çfarë do të studiosh. Nëse ulesh për të studiuar e pastaj vret mendjen ç’të studiosh, nuk po ‘e shfrytëzon sa më mirë kohën’. (Efes. 5:16) Pse të mos bësh një listë me artikuj ose me tema që do të kishe qejf t’i studioje? Sa herë të të lindë ndonjë pyetje, mbaje shënim. E në fund të studimit, mund t’i shtosh ide të reja listës së gjërave që dëshiron të studiosh.

  • Ji elastik. Përpiqu të jesh elastik, si për shembull në lidhje me kohën që i kushton studimit ose me temat që zgjedh. Ajo që ka rëndësi, nuk është kur, sa gjatë ose çfarë studion, por sa rregullisht studion.

Studimi i rregullt na sjell goxha dobi: afrohemi me Jehovain, mësojmë të veprojmë me mençuri dhe ndihemi të përtërirë.—Jos. 1:8.