Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 44

KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time

Si t’u bësh ballë padrejtësive

Si t’u bësh ballë padrejtësive

«Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.»ROM. 12:21.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si t’i përballosh padrejtësitë dhe si të reagosh në një mënyrë që nuk i përkeqëson gjërat.

1-2. Me cilat padrejtësi mund të përballemi të gjithë?

 JEZUI tregoi një ilustrim për një vejushë që i kërkonte orë e çast një gjykatësi t’i jepte të drejtën që i takonte. Pa dyshim, shumë dishepuj të Jezuit e kuptonin mirë si ndihej ajo grua, sepse në atë kohë njerëzit e thjeshtë binin shpesh viktima të padrejtësive. (Luka 18:1-5) Kjo histori është domethënëse edhe për ne sot, pasi të gjithë kemi provuar padrejtësi në jetë.

2 Jetojmë në një botë ku paragjykimet, pabarazia dhe shtypja janë diçka e zakonshme, prandaj nuk çuditemi kur na trajtojnë padrejtësisht. (Ekl. 5:8) Ama një gjë që ndoshta nuk e presim, është të na gjykojë e të na trajtojë padrejtësisht një vëlla a motër; por edhe kjo mund të ndodhë. Natyrisht, ndryshe nga kundërshtarët e së vërtetës, vëllezërit e motrat nuk e bëjnë këtë me dashje. Thjesht janë të papërsosur. Ne mund të mësojmë shumë nga mënyra si reagoi Jezui ndaj padrejtësive që i bënë armiqtë keqdashës. Nëse jemi të duruar me kundërshtarët që na keqtrajtojnë, sa më shumë duhet të jemi të duruar me bashkëbesimtarët! Si ndihet Jehovai kur na bëjnë padrejtësi, qoftë jashtë, qoftë brenda kongregacionit? A i intereson ç’po kalojmë?

3. Nga e dimë se Jehovait i intereson kur na bëjnë padrejtësi?

3 Jehovait i intereson shumë si na trajtojnë të tjerët. Ai «e do drejtësinë». (Psal. 37:28) Jezui na siguron se në momentin e duhur, Jehovai «do ta vërë në vend drejtësinë pa vonesë». (Luka 18:7, 8) E së shpejti, Ai do të zhdukë një herë e mirë çdo lloj padrejtësie dhe do të shërojë çdo plagë që na kanë hapur ato.—Psal. 72:1, 2.

4. Si po na ndihmon Jehovai sot?

4 Ndërsa presim kohën kur do të triumfojë drejtësia, Jehovai na ndihmon t’u bëjmë ballë padrejtësive. (2 Pjet. 3:13) Ai na mëson si të reagojmë kur na bëjnë padrejtësi, që të mos e përkeqësojmë situatën. Nëpërmjet shembullit të përsosur të Birit të tij, na ka treguar si t’i përballojmë padrejtësitë. Gjithashtu na jep këshilla praktike si të veprojmë kur na trajtojnë padrejtësisht.

BËJ KUJDES SI REAGON NDAJ PADREJTËSIVE

5. Pse duhet të bëjmë kujdes se si reagojmë ndaj padrejtësive?

5 Padrejtësitë mund të na stresojnë e të na lëndojnë tej mase. (Ekl. 7:7) Kështu u ndien edhe disa shërbëtorë besnikë, si Jobi dhe Habakuku. (Jobi 6:2, 3; Hab. 1:1-3) Edhe pse ndjenja të tilla janë normale, duhet të kemi kujdes si reagojmë që të mos bëjmë diçka të pamend.

6. Ç’na mëson shembulli i Absalomit? (Shihni edhe figurën.)

6 Kur dikush na bën një padrejtësi, ndoshta na vjen t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë. Mirëpo një reagim i tillë mund ta rëndojë situatën. Të marrim shembullin e Absalomit, djalit të mbretit David. Kur gjysmëvëllai, Amnoni, i përdhunoi të motrën, Tamarën, Absalomi vlonte nga zemërimi. Sipas Ligjit të Moisiut, Amnoni e kishte hak të vdiste për atë që kishte bërë. (Lev. 20:17) Por, edhe pse Absalomi u zemërua me të drejtë, nuk i takonte atij ta vinte në vend drejtësinë.—2 Sam. 13:20-23, 28, 29.

Absalomi nuk i vuri fre zemërimit që ndiente për padrejtësinë që iu bë së motrës, Tamarës (Shih paragrafin 6)


7. Si reagoi në fillim psalmisti për shkak të padrejtësive?

7 Kur ata që bëjnë padrejtësi duket se ia hedhin pa u lagur, mund të dyshojmë nëse ia vlen të bëjmë atë që është e drejtë. Të mendojmë për rastin e psalmistit që pa se të ligjtë rronin në bollëk në kurriz të të drejtëve. Ai tha: «Këta janë të ligjtë: . . . gjërat u shkojnë gjithnjë vaj.» (Psal. 73:12) Kaq shumë ia trazonin shpirtin ato padrejtësi, sa gati-gati u bind se nuk ia vlente më t’i shërbente Jehovait. Psalmisti u shpreh: «Edhe pse vrisja mendjen që të kuptoja, më dukej tepër e vështirë.» (Psal. 73:14, 16) Madje pranoi: «Unë gati-gati u largova nga udha e drejtë, për pak më shkanë këmbët.» (Psal. 73:2) Diçka e ngjashme ndodhi me një vëlla që do ta quajmë Alberto.

8. Si ndikoi te një vëlla padrejtësia që i bënë?

8 Alberton e akuzuan pa të drejtë se kishte vjedhur nga fondet e kongregacionit. Për pasojë, humbi privilegjet dhe respektin e shumë pjesëtarëve të kongregacionit që e morën vesh këtë. Alberto kujton: «Isha plot mllef, zemërim e zhgënjim.» Ai lejoi që plaga emocionale t’i dëmtonte marrëdhënien me Jehovain, e madje u bë joaktiv për pesë vjet. Rasti i tij ilustron ç’mund të ndodhë nëse lejojmë të na e pushtojë zemrën inati kur na bëjnë padrejtësi.

IMITO REAGIMIN E JEZUIT NDAJ PADREJTËSIVE

9. Çfarë padrejtësish duroi Jezui? (Shihni edhe figurën.)

9 Jezui la një model të përsosur se si t’i përballojmë padrejtësitë. Mendo çfarë padrejtësish hoqi ai, qoftë nga familjarët, qoftë nga të panjohurit. Të afërmit jobesimtarë e akuzuan se kishte luajtur mendsh, krerët fetarë e akuzuan se bashkëpunonte me demonët dhe ushtarët romakë u tallën me të, e torturuan e në fund e vranë. (Mar. 3:21, 22; 14:55; 15:16-20, 35-37) Gjithsesi, Jezui i duroi tërë ato padrejtësi e mjaft të tjera pa u hakmarrë. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i tij?

Jezui na la një shembull të përsosur se si t’i përballojmë padrejtësitë (Shih paragrafët 9-10)


10. Si i përballonte Jezui padrejtësitë? (1 Pjetrit 2:21-23)

10 Lexo 1 Pjetrit 2:21-23. a Jezui na la një model të përsosur se si të reagojmë kur na bëjnë padrejtësi. Ai dinte kur të heshtte dhe kur të fliste. (Mat. 26:62-64) Kur të tjerët thoshin gënjeshtra për të, kishte raste që vendoste të mos bënte zë. (Mat. 11:19) E kur fliste, Jezui as i fyente, as i kërcënonte ata që e përndiqnin. Ai tregonte vetëkontroll, sepse «e linte veten në duart e Atij që gjykon me drejtësi». Jezui e dinte se gjëja kryesore ishte si e shihte Jehovai atë që po ndodhte. Ai kishte besim se Jehovai do të ndreqte çdo padrejtësi në kohën e duhur.

11. Në cilat raste duhet ta mbajmë nën kontroll gjuhën? (Shihni edhe figurat.)

11 Mund ta imitojmë Jezuin duke bërë kujdes ta mbajmë nën kontroll gjuhën kur na trajtojnë padrejtësisht. Disa padrejtësi janë të vogla, prandaj thjesht mund t’i anashkalojmë. Ose ndoshta mund të zgjedhim të rrimë në heshtje për të mos thënë diçka që mund ta përkeqësojë situatën. (Ekl. 3:7; Jak. 1:19, 20) Në raste të tjera, mund të jetë e nevojshme të flasim kur dikujt po i bëjnë padrejtësi ose kur duhet të mbrojmë të vërtetën. (Vep. 6:1, 2) E kur flasim, duhet të përpiqemi fort ta bëjmë këtë me qetësi dhe respekt.—1 Pjet. 3:15. b

Kur na bëjnë padrejtësi, mund të imitojmë Jezuin duke peshuar me kujdes kur dhe si të flasim (Shih paragrafët 11-12)


12. Si e lëmë veten në duart e «Atij që gjykon me drejtësi»?

12 Mund ta imitojmë Jezuin edhe duke e lënë veten në duart e «Atij që gjykon me drejtësi». Kur të tjerët na gjykojnë ose na trajtojnë padrejtësisht, kemi besim se Jehovai di çdo gjë që ka ndodhur. Siguria se me kohë ai do të ndreqë gjithçka, na ndihmon t’i durojmë padrejtësitë. Duke i lënë gjërat në dorë të Jehovait, nuk lejojmë që zemërimi ose mllefi të na helmojnë zemrën. Këto ndjenja mund të na shtyjnë të veprojmë në mënyrë të pamend, mund të na vjedhin gëzimin dhe mund të na dëmtojmë marrëdhënien me Jehovain.—Psal. 37:8.

13. Për çfarë mund të jesh i sigurt nëse e ke të vështirë t’i durosh padrejtësitë?

13 Dihet që është e pamundur ta ndjekim përsosmërisht shembullin e Jezuit. Hera-herës mund të themi a të bëjmë gjëra për të cilat më vonë bëhemi pishman. (Jak. 3:2) Gjithashtu, disa padrejtësi hapin plagë emocionale e fizike që ndoshta s’do të mbyllen deri në fund të këtij sistemi. Nëse të ka ndodhur kjo, ji i sigurt se Jehovai e di ç’po heq. Gjithashtu, Jezui mund ta kuptojë mirë si ndihesh, sepse edhe ai vuajti pa të drejtë. (Hebr. 4:15, 16) Përveç shembullit të përsosur të Jezuit, Jehovai na ka dhënë këshilla praktike që na ndihmojnë të përballojmë padrejtësitë. Le të shohim si mund të na ndihmojnë dy vargje nga libri i Romakëve.

‘LËRI VEND ZEMËRIMIT TË TIJ TË FURISHËM’

14. Si ‘i lëmë vend zemërimit të furishëm të Perëndisë’? (Romakëve 12:19)

14 Lexo Romakëve 12:19. Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët ‘t’i linin vend zemërimit të furishëm të Perëndisë’. I lëmë vend zemërimit të furishëm të Jehovait kur lejojmë ta vërë në vend drejtësinë në kohën dhe në mënyrën që vendos ai. Një vëlla që quhet Xhon u shpreh kështu pasi i bënë një padrejtësi: «Luftoja me veten që të mos e vija në vend drejtësinë sipas mënyrës sime. Romakëve 12:19 më ndihmoi të prisja Jehovain.»

15. Pse është gjithmonë më mirë të presim Jehovain për të ndrequr një problem?

15 Nxjerrim dobi kur presim Jehovain ta ndreqë një problem. Nëse presim Perëndinë, i kursejmë vetes gjithë stresin dhe zhgënjimin që vjen kur përpiqemi ta zgjidhim problemin vetë. Jehovai tregohet i gatshëm të na ndihmojë. Është sikur na thotë: ‘Ma lër mua në dorë, do të merrem unë me këtë padrejtësi.’ Nëse i besojmë premtimit të Jehovait «unë do të shpaguaj», mund ta heqim mendjen nga problemi që na mundon, të sigurt se ai do ta zgjidhë në mënyrën më të mirë. Pikërisht kjo e ndihmoi Xhonin që u përmend më sipër. Ai tha: «Nëse pres Jehovain, rezultati do të jetë ku e ku më i mirë sesa po të përpiqem ta ndreq vetë situatën.»

«VAZHDO TA MUNDËSH TË KEQEN ME TË MIRËN»

16-17. Si mund të na ndihmojnë lutjet ‘të vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’? (Romakëve 12:21)

16 Lexo Romakëve 12:21. Pavli i nxiti bashkëbesimtarët edhe ‘të vazhdonin ta mundnin të keqen me të mirën’. Jezui tha në Predikimin në Mal: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mat. 5:44) E Jezui veproi pikërisht ashtu. Ka shumë të ngjarë të kemi menduar për vuajtjet tij kur ushtarët romakë e gozhduan në shtyllë. Ama s’mund t’i kuptojmë plotësisht dhimbjet që ndjeu dhe poshtërimin e padrejtësitë që duroi.

17 Jezuin nuk e vunë poshtë padrejtësitë që hoqi. Ai nuk i mallkoi ushtarët që e keqtrajtuan, por u lut: «O Atë, fali se nuk dinë ç’po bëjnë.» (Luka 23:34) Kur lutemi për ata që na keqtrajtojnë, barra e mërisë dhe inatit lehtësohet, e madje mund të ndryshojnë edhe ndjenjat tona karshi atyre që na kanë lënduar.

18. Si i ndihmuan lutjet Alberton dhe Xhonin që t’u bënin ballë padrejtësive?

18 Lutjet i ndihmuan dy vëllezërit e përmendur në këtë artikull t’u bënin ballë padrejtësive. Alberto shprehet: «Lutesha për vëllezërit që më trajtuan në mënyrë të padrejtë. I kërkova disa herë Jehovait të më ndihmonte ta shkulja nga zemra mllefin që ndieja nga ajo padrejtësi.» Sa bukur që sot ai po i shërben besnikërisht Jehovait. Xhoni thotë: «U luta shumë herë për vëllanë që më lëndoi. Ato lutje më ndihmuan ta shihja me sy më realist, pa e gjykuar. E falë atyre lutjeve, fitova edhe paqe mendore.»

19. Ç’duhet të bëjmë derisa të marrë fund ky sistem? (1 Pjetrit 3:8, 9)

19 Nuk i dihet çfarë padrejtësish mund të përballojmë derisa të marrë fund ky sistem. Çfarëdo që të na ndodhë, le t’i lutemi pareshtur për ndihmë Jehovait. Gjithashtu të imitojmë mënyrën si reagonte Jezui ndaj padrejtësive dhe të vazhdojmë të jetojmë sipas parimeve të Biblës. Nëse veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se ‘do të trashëgojmë bekimin e Perëndisë’.—Lexo 1 Pjetrit 3:8, 9.

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

akapitujt 2 dhe 3 të letrës së tij të parë, apostulli Pjetër përmend raste kur disa të krishterë duruan padrejtësi nga zotërinjtë e tyre të egër ose nga bashkëshortët jobesimtarë.—1 Pjet. 2:18-20; 3:1-6, 8, 9.

b Shih në jw.org videon Si na ndihmon të kemi paqe dashuria.