Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 46

KËNGA 49 Do t’ia gëzoj zemrën Jehovait

Vëllezër—A po synoni të bëheni shërbëtorë kongregacioni?

Vëllezër—A po synoni të bëheni shërbëtorë kongregacioni?

«Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»VEP. 20:35.

FOKUSI I ARTIKULLIT

T’i inkurajojë vëllezërit e pagëzuar të synojnë të bëhen shërbëtorë kongregacioni dhe të punojnë për t’u kualifikuar.

1. Si ndihej apostulli Pavël për shërbëtorët e kongregacionit?

 SHËRBËTORËT e kongregacionit kryejnë punë goxha të rëndësishme në kongregacion. Nga Shkrimet është e qartë se apostulli Pavël i çmonte këta vëllezër besnikë. Për shembull, kur u shkroi të krishterëve në Filipi, ai i përshëndeti në mënyrë specifike shërbëtorët e kongregacionit krahas pleqve.—Filip. 1:1.

2. Si ndihet Luisi për caktimin e tij si shërbëtor kongregacioni?

2 Shumë vëllezër të pagëzuar, të çfarëdo moshe qofshin, provojnë shumë gëzim ndërsa shërbejnë si shërbëtorë kongregacioni. Për shembull, Devani ishte 18 vjeç kur u emërua. Kurse një vëlla që quhet Luis, u emërua shërbëtor kongregacioni në fillim të të 50-ave. Ja si i përmblodhi ai ndjenjat e shumë vëllezërve: «Ndihem jashtëzakonisht i nderuar të kryej detyrat e një shërbëtori kongregacioni, sidomos kur mendoj sa shumë dashuri më kanë treguar vëllezërit e motrat!»

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Nëse je vëlla i pagëzuar dhe nuk je bërë akoma shërbëtor kongregacioni, a mund ta vësh këtë synim? Çfarë mund të të motivojë? Dhe cilat kërkesa duhet të plotësosh sipas Shkrimeve? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i shqyrtojmë gjatë artikullit. Por në fillim, le të shohim çfarë roli luan një shërbëtor kongregacioni.

ÇFARË ROLI LUAN NJË SHËRBËTOR KONGREGACIONI?

4. Çfarë roli ka një shërbëtor kongregacioni? (Shihni edhe figurën.)

4 Një shërbëtor kongregacioni është një vëlla i pagëzuar që emërohet nga fryma e shenjtë për të ndihmuar pleqtë duke kryer shumë detyra praktike në kongregacion. Disa shërbëtorë kongregacioni sigurohen që lajmëtarët të kenë territoret dhe literaturën e nevojshme për shërbimin. Të tjerë ndihmojnë me pastrimin dhe mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Shërbëtorët e kongregacionit shërbejnë edhe si mikpritës dhe vënë në punë pajisjet audio-video gjatë mbledhjeve. Ata bëjnë kryesisht punë praktike. Ama, mbi gjithçka, shërbëtorët e kongregacionit janë vëllezër me besim të fortë; ata e duan Jehovain dhe jetojnë sipas standardeve të tij të drejta. Gjithashtu i duan nga zemra vëllezërit e motrat. (Mat. 22:37-39) Si mund ta arrijë një vëlla i pagëzuar synimin për t’u kualifikuar si shërbëtor kongregacioni?

Shërbëtorët e kongregacionit imitojnë Jezuin duke u shërbyer të tjerëve pa u kursyer (Shih paragrafin 4)


5. Si mund ta arrijë një vëlla synimin për t’u bërë shërbëtor kongregacioni?

5 Bibla na tregon cilat kualifikime duhet të plotësojë një vëlla për të qenë shërbëtor kongregacioni. (1 Tim. 3:8-10, 12, 13) Ti mund ta arrish synimin për t’u bërë shërbëtor kongregacioni duke i studiuar këto kualifikime dhe duke punuar pa u lodhur që t’i përmbushësh. Por në fillim duhet të shqyrtosh me kujdes se çfarë të motivon që ta kesh këtë synim.

Ç’DUHET TË TË MOTIVOJË QË TA KESH KËTË SYNIM?

6. Çfarë duhet të të motivojë që t’u shërbesh në çfarëdo mënyre vëllezërve e motrave? (Mateu 20:28; shihni edhe figurën.)

6 Çfarë e motivonte Jezu Krishtin, shembullin tonë më të madh, që të punonte pa u lodhur e të kryente me përulësi punë të rëndomta për të mirën e të tjerëve? Dashuria për Jehovain dhe dashuria për njerëzit. (Lexo Mateun 20:28; Gjoni 13:5, 14, 15) Nëse edhe ti motivohesh nga dashuria, Jehovai do të të bekojë dhe do të të ndihmojë ta arrish synimin për t’u bërë shërbëtor kongregacioni.—1 Kor. 16:14; 1 Pjet. 5:5.

Me shembullin e tij Jezui i mëson apostujt t’u shërbejnë me përulësi të tjerëve, jo të përpiqen të spikatin mbi ta (Shih paragrafin 6)


7. Pse duhet të ruhet një vëlla nga ambicia egoiste?

7 Në botë, shpesh njerëzit që e reklamojnë veten admirohen. Ama nuk është kështu në organizatën e Jehovait. Një vëlla që motivohet nga dashuria, ashtu si Jezui, nuk është i etur për pushtet, autoritet a pozitë. Ç’do të ndodhte po të emërohej në kongregacion një person ambicioz? Ka shumë gjasa që s’do të pranonte të bënte punët e rëndomta që nevojiten për t’u shërbyer deleve të shtrenjta të Jehovait. Ndoshta do t’i dukej vetja tepër i rëndësishëm për punë të tilla. (Gjoni 10:12) Jehovai nuk do t’i bekojë përpjekjet e dikujt që motivohet nga krenaria ose ambicia egoiste.—1 Kor. 10:24, 33; 13:4, 5.

8. Çfarë këshille u dha Jezui apostujve të tij?

8 Ndonjëherë edhe miqtë e ngushtë të Jezuit synuan disa privilegje nisur nga motive të gabuara. Të kujtojmë pak një ngjarje që lidhet me dy apostuj të Jezuit—Jakovin dhe Gjonin. Ata i kërkuan Jezuit t’u jepte poste të rëndësishme në Mbretërinë e tij. Jezui nuk i lavdëroi për atë ambicie. Përkundrazi, i këshilloi të 12 apostujt: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi i të gjithëve.» (Mar. 10:35-37, 43, 44) Vëllezërit që kanë motivin e duhur—pra dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve—do të jenë një bekim për kongregacionin.—1 Sel. 2:8.

SI TA USHQESH DËSHIRËN PËR TË PASUR KËTË SYNIM?

9. Si mund ta ushqesh dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve?

9 Pa diskutim që ti e do Jehovain dhe ke dëshirë t’u shërbesh të tjerëve. Gjithsesi, ndoshta nuk dëshiron të marrësh mbi supe punën që kërkohet nga një shërbëtor kongregacioni. Si mund ta ushqesh dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve? Pse të mos ndalesh të mendosh për gëzimin që do të ndiesh ndërsa u shërben vëllezërve e motrave? Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Vep. 20:35) E ai jetoi sipas këtij parimi. Jezuit i gëzonte zemra kur u shërbente të tjerëve, dhe kështu do të ndihesh edhe ti.

10. Si e tregoi Jezui se për të ishte kënaqësi t’u shërbente të tjerëve? (Marku 6:31-34)

10 Të shohim një shembull se si e tregoi Jezui që për të ishte kënaqësi t’u shërbente të tjerëve. (Lexo Markun 6:31-34.) Në një rast, Jezui dhe apostujt e tij ishin të lodhur. Kështu u nisën për në një vend të veçuar që të pushonin pak. Mirëpo një turmë shkoi atje para tyre, me shpresë që të dëgjonin mësimet e Jezuit. Jezui mund t’u kishte thënë «jo». Fundja atij dhe shokëve të tij «s’u dilte koha as për të ngrënë». Ose Jezui mund t’u tregonte vetëm nja dy të vërteta e t’u thoshte të iknin. Por ai motivohej nga dashuria, prandaj «nisi t’u mësonte shumë gjëra». E vazhdoi t’i mësonte derisa ‘u bë vonë’. (Mar. 6:35) Këtë nuk e bëri ngaqë ishte i detyruar, por ngaqë «u prek thellë» ose «ndjeu keqardhje për ta». Ai dëshironte t’i mësonte sepse i donte me gjithë zemër. Jezui ndiente gëzim të madh kur u shërbente të tjerëve.

11. Si i ndihmoi Jezui dëgjuesit e tij në mënyrë praktike? (Shihni edhe figurën.)

11 Jezui i shërbeu turmës jo vetëm duke i mësuar për Perëndinë, por edhe duke u kujdesur për nevojat e tyre fizike. Me një mrekulli siguroi ushqim për ta dhe pastaj u kërkoi dishepujve ta shpërndanin. (Mar. 6:41) Në këtë mënyrë u mësoi dishepujve të tij si t’u shërbenin të tjerëve. Gjithashtu u tregoi se detyrat praktike—si ato që kryejnë shërbëtorët e kongregacionit—janë të rëndësishme. Imagjino gëzimin e apostujve ndërsa bashkëpunonin me Jezuin për të shpërndarë atë ushqim të siguruar me një mrekulli derisa «të gjithë hëngrën dhe u ngopën». (Mar. 6:42) Patjetër, ky nuk ishte i vetmi rast kur Jezui e vuri interesin e të tjerëve para të vetit. Ai e përdori gjithë jetën e tij në tokë për t’u shërbyer njerëzve. (Mat. 4:23; 8:16) Jezuit i gufonte zemra nga gëzimi kur i mësonte të tjerët dhe kur kujdesej me përulësi për nevojat e tyre. Nëse të motivon dashuria altruiste që të bëhesh shërbëtor kongregacioni, mos ki dyshim se edhe ti do të ndiesh gëzim të madh.

Dashuria për Jehovain dhe dëshira për t’u shërbyer të tjerëve do të të motivojnë të kryesh çfarëdo pune për të mirën e vëllezërve dhe motrave (Shih paragrafin 11) a


12. Pse askush nuk duhet të ndihet sikur nuk ka ç’të japë për kongregacionin?

12 Nëse mendon se nuk ke ndonjë aftësi kushedi, mos u shkurajo. Pa dyshim, ti ke cilësi që mund t’i përdorësh për të mirën e kongregacionit. Mund të nxjerrësh dobi duke lexuar arsyetimin e Pavlit te 1 Korintasve 12:12-30 dhe duke iu lutur Jehovait të të ndihmojë ta kuptosh si zbatohet për ty. Fjalët e Pavlit e bëjnë të qartë se ti, si çdo shërbëtor tjetër i Jehovait, je i nevojshëm dhe i çmuar në kongregacion. Nëse për momentin nuk i plotëson kualifikimet për të qenë shërbëtor kongregacioni, mos u dorëzo! Përkundrazi, bëj çdo gjë që ke në dorë që të jesh i dobishëm për Jehovain dhe për njerëzit. Ji i sigurt se pleqtë do t’i shqyrtojnë aftësitë e tua për të parë në çfarë caktimi mund jenë të dobishme.—Rom. 12:4-8.

13. Ç’mund të thuhet për shumicën e kualifikimeve që duhet të përmbushin burrat e emëruar?

13 Mendo edhe për një arsye tjetër pse duhet të synosh që të kualifikohesh si shërbëtor kongregacioni: shumica e kualifikimeve vlejnë për të gjithë adhuruesit e Jehovait. Në fakt, të gjithë ne duhet të afrohemi me Jehovain, të provojmë gëzim duke u dhënë të tjerëve dhe të jetojmë siç i pëlqen Perëndisë. Po ç’duhet të bëjë konkretisht një vëlla që të kualifikohet?

SI TA ARRISH SYNIMIN?

14. Çfarë do të thotë ‘të jesh serioz’? (1 Timoteut 3:8-10, 12)

14 Le të shohim disa nga kualifikimet e përmendura te 1 Timoteut 3:8-10, 12. (Lexoje.) Një shërbëtor kongregacioni duhet ‘të jetë serioz’. Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «meriton të respektohet», «me dinjitet» ose «i nderuar». Kjo nuk do të thotë që s’mund të qeshësh a të zbavitesh kurrë. (Ekl. 3:1, 4) Por njëherazi duhet t’i marrësh seriozisht të gjitha përgjegjësitë e tua. Nëse ke reputacionin si njeri i besueshëm, do të fitosh respektin e vëllezërve dhe motrave në kongregacion.

15. Çfarë nënkuptojnë shprehjet «jo me dy fytyra» dhe ‘të mos jesh lakmitar për të nxjerrë fitime të pandershme’?

15 Të mos jesh «me dy fytyra» do të thotë se je i sinqertë, i ndershëm dhe se mund të të zihet besë. Ti e mban fjalën dhe nuk i mashtron të tjerët. (Prov. 3:32) ‘Të mos jesh lakmitar për të nxjerrë fitime të pandershme’ do të thotë se je i ndershëm kur bën biznes dhe në çështje të tjera që lidhen me paratë. Ti nuk do t’i shfrytëzoje kurrë marrëdhëniet e mira që ke me vëllezërit e motrat për të mbushur xhepin tënd.

16. (a) Ç’do të thotë ‘të mos jepesh pas verës së shumtë’? (b) Çfarë nënkupton të kesh «ndërgjegje të pastër»?

16 ‘Të mos jepesh pas verës së shumtë’ do të thotë se nuk je tepër i dhënë pas pijeve alkoolike dhe as nuk njihesh si njeri që pi me tepri. Të kesh «ndërgjegje të pastër» nënkupton se jeton sipas standardeve të Jehovait. Edhe pse nuk je i përsosur, ke paqe në mendje e në zemër ngaqë gëzon një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.

17. Si mund ta tregojë një vëlla se është i besueshëm ndërsa ‘provohet nëse është i kualifikuar’? (1 Timoteut 3:10; shihni edhe figurën.)

17 Shprehja «le të provohen më parë nëse janë të kualifikuar» nënkupton se duhet të kesh treguar që mund të të besohen përgjegjësi. Prandaj, kur pleqtë të japin një caktim, ndiqi me kujdes udhëzimet e tyre dhe ato të organizatës. Sigurohu se e kupton mirë çfarë përfshin ai caktim dhe kur duhet të përfundojë. Ndërsa kryen me zell çdo caktim, të tjerët në kongregacion do ta vërejnë përparimin tënd të shkëlqyer. Ju pleq sigurohuni që t’i stërvitni vëllezërit e pagëzuar. (Lexo 1 Timoteut 3:10.) A ka vëllezër të pagëzuar në kongregacionin tuaj që janë nga fillimi i adoleshencës, pra 10 deri në 14 vjeç, ose edhe më të vegjël? A kanë zakone të mira studimi? A komentojnë rregullisht në mbledhje dhe a marrin pjesë rregullisht në shërbim? Nëse po, jepuni caktime të përshtatshme për moshën dhe për rrethanat e tyre. Kështu këta vëllezër të rinj ‘do të provohen nëse janë të kualifikuar’. Pastaj kur të jenë nga fundi i adoleshencës, pra 17 deri në 19 vjeç, ka shumë gjasa të kualifikohen si shërbëtorë kongregacioni.

Duke u dhënë caktime vëllezërve të pagëzuar, pleqtë mund t’i provojnë «nëse janë të kualifikuar» (Shih paragrafin 17)


18. Çfarë do të thotë të jesh ‘i lirë nga çdo akuzë’?

18 Të jesh ‘i lirë nga çdo akuzë’ do të thotë se kundër teje s’mund të bëhet asnjë akuzë me baza për ndonjë shkelje të rëndë. Sigurisht, adhuruesit e Jehovait mund t’i akuzojnë në mënyrë të rreme. Vetë Jezuin e përbaltën me akuza të rreme, dhe ai paratha se dishepujve të tij do t’u ndodhte e njëjta gjë. (Gjoni 15:20) Gjithsesi, nëse mban një sjellje të pastër ashtu si Jezui, do të fitosh reputacion të mirë në kongregacion.—Mat. 11:19.

19. Çfarë përfshin të jesh ‘burrë i një gruaje të vetme’?

19 ‘Burrë i një gruaje të vetme.’ Nëse je i martuar, duhet të respektosh standardin që vendosi në fillim Perëndia për martesën—një burrë dhe një grua. (Mat. 19:3-9) Një burrë që adhuron Jehovain nuk duhet të kryejë kurrë imoralitet seksual. (Hebr. 13:4) Por jo vetëm kaq. Duhet edhe t’i qëndrojë besnik gruas së vet, duke mos u kushtuar kurrë vëmendje të papërshtatshme grave të tjera.—Jobi 31:1.

20. Në ç’mënyrë ‘e drejton shkëlqyeshëm’ një burrë familjen e vet?

20 ‘T’i drejtosh shkëlqyeshëm fëmijët e familjen.’ Nëse je kryefamiljar, duhet t’i marrësh seriozisht përgjegjësitë e tua. Drejtoje rregullisht adhurimin familjar. Dil në shërbim me çdo pjesëtar të familjes sa më shpesh të jetë e mundur. Ndihmoji fëmijët të zhvillojnë një marrëdhënie personale me Jehovain. (Efes. 6:4) Një burrë që kujdeset për familjen e vet tregon se mund të kujdeset edhe për kongregacionin.—Krahaso 1 Timoteut 3:5.

21. Çfarë mund të bësh nëse nuk je akoma shërbëtor kongregacioni?

21 Nëse je vëlla i pagëzuar dhe nuk je akoma shërbëtor kongregacioni, të lutemi shqyrtoje me kujdes artikullin dhe lutu për këtë synim. Studio kualifikimet për shërbëtorët e kongregacionit dhe puno me gjithë shpirt që t’i përmbushësh. Mendo sa fort e do Jehovain, sa fort i do vëllezërit e motrat dhe thelloje dëshirën për t’u shërbyer. (1 Pjet. 4:8, 10) Do të provosh gëzim të madh teksa i shërben familjes sate të besimit. Jehovai i bekoftë dorëhapur përpjekjet e tua për t’u bërë një ditë shërbëtor kongregacioni!—Filip. 2:13.

KËNGA 17 «Po, dua!»

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Majtas, Jezui u shërben me përulësi dishepujve të tij; djathtas, një shërbëtor kongregacioni ndihmon një vëlla të moshuar.