Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai

Vëllezër—A po synoni të shërbeni si pleq?

Vëllezër—A po synoni të shërbeni si pleq?

«Kush synon të jetë mbikëqyrës, dëshiron një punë të shkëlqyer.»1 TIM. 3:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shqyrtojmë disa kërkesa nga Shkrimet që duhet të plotësojë një vëlla për të shërbyer si plak.

1-2. Çfarë përfshin ‘puna e shkëlqyer’ e një plaku?

 NËSE po shërben nga ca kohë si shërbëtor kongregacioni, ka shumë të ngjarë t’i kesh zhvilluar shumë nga cilësitë që duhet të ketë një plak. A mund ta synosh këtë «punë të shkëlqyer»?—1 Tim. 3:1.

2 Çfarë përfshin puna e një plaku? Një plak lë shembullin në veprën e predikimit, punon fort që të kujdeset si bari për vëllezërit e motrat dhe t’i mësojë, si edhe u forcon besimin me fjalë e me vepra. Jo më kot Bibla i quan pleqtë e palodhur «dhurata në njerëz».—Efes. 4:8.

3. Ç’duhet të bëjë një vëlla që të kualifikohet si plak? (1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9)

3 Ç’të bësh që të kualifikohesh për të shërbyer si plak? Të kualifikohesh si plak nuk është si të kualifikohesh për një punë në botë. Për të fituar një vend pune, shpesh mjafton të kesh aftësitë që kërkon punëdhënësi. Krejt ndryshe, nëse dëshiron të emërohesh plak, nuk mjafton të jesh i zoti në predikim e në mësimdhënie. Duhet edhe të plotësosh kualifikimet për pleqtë që renditen te 1 Timoteut 3:1-7 dhe te Titit 1:5-9. (Lexoji.) Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë kërkohet nga pleqtë në tri aspekte të rëndësishme: të fitojnë një reputacion të mirë si brenda edhe jashtë kongregacionit, të lënë shembull të mirë si kryefamiljarë dhe të jenë të gatshëm të shërbejnë në kongregacion.

FITO NJË REPUTACION TË MIRË

4. Çfarë do të thotë ‘të jesh i paqortueshëm’?

4 Që të kualifikohesh si plak, duhet ‘të jesh i paqortueshëm’, pra të kesh një reputacion të mirë në kongregacion ngaqë nuk jep shkas ta kritikojnë sjelljen tënde. Veç kësaj, duhet të kesh një «reputacion të mirë në sytë e atyre që nuk janë në besim». Ata që nuk i shërbejnë Jehovait mund të flasin keq për bindjet e tua, ama s’duhet të kenë asnjë bazë për të dyshuar se je njeri i ndershëm dhe i mirë. (Dan. 6:4, 5) Pyet veten: «A kam një reputacion të mirë si brenda edhe jashtë kongregacionit?»

5. Si mund të tregosh se «e do mirësinë»?

5 Nëse «e do mirësinë», do të kërkosh cilësitë e mira te të tjerët dhe do t’i lavdërosh për to. Gjithashtu do të bësh me kënaqësi gjëra të mira për ta, e madje do të bësh më tepër se ç’pritet prej teje. (1 Sel. 2:8) Pse është kaq e rëndësishme që pleqtë ta duan mirësinë? Sepse shpenzojnë goxha nga koha e tyre e vyer që të kujdesen për delet e Jehovait dhe të përmbushin caktimet. (1 Pjet. 5:1-3) Prapëseprapë, lumturia që ndiejnë kur u shërbejnë të tjerëve tejkalon çdo sakrificë.—Vep. 20:35.

6. Në cilat mënyra mund të jesh «mikpritës»? (Hebrenjve 13:2, 16; shihni edhe figurën.)

6 Tregon se je «mikpritës» kur u bën të mira të tjerëve, duke përfshirë edhe ata që nuk i ke miq të ngushtë. (1 Pjet. 4:9) Një vepër referimi thotë për një njeri mikpritës: «Dera e shtëpisë—dhe e zemrës së tij—duhet të jetë e hapur për të huajt.» Pyet veten: «A njihem si njeri që tregohet zemërmirë me ata që vizitojnë kongregacionin?» (Lexo Hebrenjve 13:2, 16.) Një njeri mikpritës e ndan atë që mundet me vizitorët, qofshin njerëz të thjeshtë me pak të ardhura, qofshin shërbëtorë të palodhur të Jehovait, si mbikëqyrësit qarkorë dhe oratorët vizitues.—Zan. 18:2-8; Prov. 3:27; Luka 14:13, 14; Vep. 16:15; Rom. 12:13.

Një çift mikpresin mbikëqyrësin udhëtues dhe gruan e tij (Shih paragrafin 6)


7. Si e tregon një plak se nuk është «lakmues parash»?

7 ‘Nuk duhet të jesh lakmues parash.’ Kjo nënkupton se meraku yt kryesor nuk janë gjërat materiale. Pavarësisht nëse je i pasur ose i varfër, ti vendos Mbretërinë të parën në çdo aspekt të jetës. (Mat. 6:33) I përdor kohën, energjitë dhe të mirat materiale për të adhuruar Jehovain, për t’u kujdesur për familjen e për t’i shërbyer kongregacionit. (Mat. 6:24; 1 Gjon. 2:15-17) Pyet veten: «Sa të rëndësishme janë paratë për mua? A jam i kënaqur me gjërat e nevojshme? Apo dua si e si të bëj pará dhe të kem më tepër gjëra materiale?»—1 Tim. 6:6, 17-19.

8. Në cilat mënyra tregon se je «i përkorë në zakone» dhe «me vetëkontroll»?

8 Të jesh «i përkorë në zakone» dhe «me vetëkontroll» do të thotë të jesh i ekuilibruar në çdo aspekt të jetës. Kjo përfshin të shmangësh ekstremet në të ngrënë e në të pirë, të jesh modest në veshje e paraqitje dhe të zgjedhësh me maturi zbavitjen. Ti nuk imiton ato stile jetese të njerëzve në botë që janë të papërshtatshme për adhuruesit e Jehovait. (Luka 21:34; Jak. 4:4) Ruan gjakftohtësinë, pra qëndron i qetë edhe kur të provokojnë. Gjithashtu ‘nuk duhet të jesh pijanec’ dhe as të kesh namin si njeri që pi me tepri. Pyet veten: «A tregon mënyra si jetoj që jam i përkorë në zakone dhe me vetëkontroll?»

9. Çfarë përfshin të jesh «me mendje të shëndoshë» dhe «i rregullt»?

9 Nëse je «me mendje të shëndoshë», i shqyrton me kujdes çështjet e ndryshme duke u bazuar te parimet e Biblës. Ngaqë mendon thellë për këto parime, ke fituar aftësi për të kuptuar dhe gjykim të thellë. Nuk nxjerr me vrap përfundime, përkundrazi sigurohesh që të dish të gjitha faktet e nevojshme. (Prov. 18:13) Si rezultat, merr vendime të mençura që pasqyrojnë mënyrën si mendon Jehovai. Nëse je «i rregullt», je i organizuar dhe i përpiktë. Njihesh si njeri i besueshëm e që ndjek drejtimin. Të gjitha këto cilësi që shqyrtuam do të të ndihmojnë të fitosh një reputacion të shkëlqyer. Tani le të shohim si mund t’i përmbushësh kualifikimet nga Shkrimet që të jesh shembull si kryefamiljar.

LËR SHEMBULL TË MIRË SI KRYEFAMILJAR

10. Ç’do të thotë ‘ta drejtosh shkëlqyeshëm familjen tënde’?

10 Nëse je i martuar dhe dëshiron të kualifikohesh si plak, edhe familja jote duhet të ketë reputacion të mirë. Ndaj duhet ‘ta drejtosh shkëlqyeshëm familjen tënde’. Duhet të kesh reputacionin si kryefamiljar i dashur dhe i përgjegjshëm. Kjo përfshin të marrësh drejtimin në të gjitha aspektet e adhurimit. Pse është kaq e rëndësishme ta bësh këtë? Apostulli Pavël arsyetoi kështu: «Nëse dikush nuk di të drejtojë familjen e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë?!»—1 Tim. 3:5.

11-12. Pse sjellja e fëmijëve është mjaft e rëndësishme nëse babai dëshiron të shërbejë si plak? (Shihni edhe figurën.)

11 Nëse je baba dhe ke fëmijë të mitur, ata duhet të jenë «të nënshtruar me plot seriozitet». Duhet t’i mësosh e t’i stërvitësh me dashuri. Sigurisht që do të qeshin e do të luajnë si gjithë fëmijët e tjerë. Ama, ngaqë i ke stërvitur mirë, do të jenë edhe të bindur, të respektueshëm dhe të sjellshëm. Veç kësaj, duhet të bësh çmos që t’i ndihmosh fëmijët ta bëjnë mik Jehovain, të jetojnë sipas parimeve të Biblës dhe të përparojnë drejt pagëzimit.

12 Duhet të kesh «fëmijë besimtarë që nuk akuzohen si të shfrenuar ose rebelë». Nëse fëmija besimtar kryen një mëkat serioz, si do të ndikonte kjo te kualifikimet e babait të tij? Në qoftë se ai e ka lënë pas dore stërvitjen dhe disiplinimin e fëmijës, ka shumë gjasa të mos kualifikohet për të shërbyer si plak.—Shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 1996, f. 21, par. 6-7.

Kryefamiljarët i stërvitin fëmijët duke i përfshirë në aspekte të ndryshme të shërbimit të shenjtë (Shih paragrafin 11)


SHËRBEJI ME GATISHMËRI KONGREGACIONIT

13. Si mund të tregosh se je «i arsyeshëm» dhe se nuk je «kryeneç»?

13 Vëllezërit që shfaqin cilësi të shkëlqyera të krishtere janë pasuri për kongregacionin. Një burrë «i arsyeshëm» nxit paqen. Nëse do që të njihesh si njeri i arsyeshëm, dëgjoji të tjerët dhe ji mendjehapur për të kuptuar si mendojnë e si ndihen. Sikur të ishe plak, a do ta mbështetje me gatishmëri vendimin e shumicës në një mbledhje të trupit të pleqve nëse nuk shkelet asnjë ligj a parim nga Bibla? ‘Të mos jesh kryeneç’ do të thotë të mos ngulësh këmbë që gjërat të bëhen siç do ti. Ti e çmon vlerën e shumë këshilltarëve. (Zan. 13:8, 9; Prov. 15:22) Nuk je «grindavec» e as «gjaknxehtë». Kjo do të thotë se nuk je i vrazhdë e nuk ke prirjen të debatosh, por je i butë dhe me takt. Si njeri paqësor, merr iniciativën që të bësh paqe edhe kur situata është e tensionuar. (Jak. 3:17, 18) Fjalët e tua mirëdashëse mund t’i zbutin të tjerët, madje edhe kundërshtarët.—Gjyk. 8:1-3; Prov. 20:3; 25:15; Mat. 5:23, 24.

14. Ç’do të thotë ‘të mos jesh i sapokthyer në besim’ dhe të jesh «besnik»?

14 Një vëlla që kualifikohet të shërbejë si plak ‘nuk duhet të jetë i sapokthyer në besim’. Ndonëse nuk është e nevojshme të kesh shumë vite i pagëzuar, të duhet kohë që të bëhesh i krishterë i pjekur. Para se të emërohesh plak, duhet të tregosh se, ashtu si Jezui, je i përulur dhe i kënaqur të presësh Jehovain për çdo caktim që mund të të japë. (Mat. 20:23; Filip. 2:5-8) Gjithashtu mund të tregosh se je «besnik» ndërsa qëndron i lidhur ngushtë me Jehovain, jeton sipas standardeve të tij dhe ndjek drejtimin që të jep nëpërmjet organizatës.—1 Tim. 4:15.

15. A duhet medoemos që një plak të jetë orator i shkëlqyer? Shpjegoni.

15 Shkrimet e thonë qartë se një mbikëqyrës duhet të jetë «i kualifikuar për të mësuar». A nënkupton kjo se duhet të jesh orator i shkëlqyer? Jo medoemos. Jo të gjithë pleqtë shkëlqejnë si oratorë. Ama mësojnë me efektshmëri në veprën e predikimit dhe në vizita baritore. (Krahaso 1 Korintasve 12:28, 29 dhe Efesianëve 4:11.) Prapëseprapë, duhet të përpiqesh vazhdimisht të përmirësosh aftësitë e tua si mësues. Si mund të bëhesh mësues më i zoti?

16. Si mund të bëhesh mësues më i aftë? (Shihni edhe figurën.)

16 ‘Përmbaju fort fjalës së besueshme.’ Që të bëhesh mësues më i aftë, bazoji mësimdhënien dhe këshillat e tua te Fjala e Perëndisë. Ji studiues i mirë i Biblës dhe i botimeve tona. (Prov. 15:28; 16:23) Ndërsa studion, kushtoju vëmendje të veçantë shpjegimeve që jepen në botime për vargjet e Biblës, që t’i zbatosh siç duhet. Dhe, kur mëson të tjerët, bëj të pamundurën që t’u prekësh zemrën. Mund të bëhesh mësues më i mirë nëse kërkon sugjerime nga pleqtë me përvojë dhe i zbaton. (1 Tim. 5:17) Një plak duhet ‘të jetë në gjendje t’u japë zemër’ vëllezërve e motrave; gjithsesi me raste duhet edhe t’i këshillojë a madje ‘t’i korrigjojë’. Sido që të jetë, duhet të tregohet gjithmonë zemërmirë. Nëse je i butë e i dashur dhe i bazon mësimet te Fjala e Perëndisë, do të jesh mësues i mirë sepse po imiton Mësuesin e Madh, Jezuin.—Mat. 11:28-30; 2 Tim. 2:24.

Një shërbëtor kongregacioni shfrytëzon mundësinë që të mësojë si t’i inkurajojë të tjerët nga Bibla duke parë një plak me përvojë. Gjithashtu ai bën prova para pasqyrës për një fjalim (Shih paragrafin 16)


VAZHDO TË PUNOSH PËR SYNIMIN TËND

17. (a) Çfarë mund t’i ndihmojë shërbëtorët e kongregacionit që të vazhdojnë të përparojnë? (b) Ç’duhet të mbajnë parasysh pleqtë kur shqyrtojnë nëse një vëlla duhet rekomanduar si plak? (Shihni kutinë « Ji modest kur shqyrton të tjerët».)

17 Pasi shqyrtojnë kërkesat për të shërbyer si pleq, disa shërbëtorë kongregacioni ndoshta ndihen sikur nuk do të kualifikohen dot kurrë. Mirëpo mos harro se as Jehovai, as organizata e tij nuk presin që t’i plotësosh në mënyrë të përsosur këto kërkesa. (1 Pjet. 2:21) Veç kësaj, Jehovai të ndihmon me frymën e tij të fuqishme që t’i zhvillosh cilësitë e nevojshme. (Filip. 2:13) A ke dëshirë të përmirësosh ndonjë cilësi specifike? Lutju Jehovait për këtë. Bëj kërkime dhe kërkoji sugjerime një plaku se si të përmirësohesh.

18. Çfarë inkurajohen të bëjnë të gjithë shërbëtorët e kongregacionit?

18 Ju inkurajojmë të gjithëve ju vëllezër, edhe ju që shërbeni si pleq, të vazhdoni t’i zhvilloni cilësitë e shqyrtuara në këtë artikull. (Filip. 3:16) A je shërbëtor kongregacioni? Vazhdo të përparosh! Kërkoji Jehovait të të stërvitë e të të modelojë që të jesh edhe më i dobishëm teksa i shërben atij dhe kongregacionit. (Isa. 64:8) Jehovai i bekoftë dorëhapur përpjekjet e tua që të kualifikohesh për të shërbyer si plak!

KËNGA 101 Shërbejmë në unitet