Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 6

KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën

Falja e Jehovait—Pse e çmojmë?

Falja e Jehovait—Pse e çmojmë?

«Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur.»GJONI 3:16.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të thellojmë mirënjohjen për faljen e Jehovait, duke kuptuar më mirë mbi ç’bazë na i fal mëkatet.

1-2. Në ç’kuptim ngjason situata e njerëzimit me atë të djalit të përmendur në paragrafin 1?

 IMAGJINO një djalë që është rritur në një familje të pasur. Një ditë ndodh një tragjedi: prindërit e tij vdesin në një aksident. Ç’goditje e rëndë për të! Por lajmet e këqija s’kanë marrë fund. Ai mëson se prindërit i kanë harxhuar kot gjithë paratë dhe janë zhytur në borxhe. Merre me mend: në vend që t’i linin trashëgim pasurinë, i kanë lënë trashëgim borxhe, dhe kreditorët kërkojnë që t’i paguajë pa vonesë. Aq i madh është ai borxh, sa nuk e shlyen dot tërë jetën.

2 Në njëfarë kuptimi, situata jonë ngjason me situatën e këtij djali. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, ishin të përsosur dhe jetonin në një parajsë të bukur. (Zan. 1:27; 2:7-9) Kishin perspektivën të bënin një jetë domethënëse që s’do të merrte fund kurrë. Mirëpo gjërat morën një kthesë të tmerrshme. Adami dhe Eva e humbën shtëpinë e tyre, Parajsën, si edhe mundësinë që të jetonin përgjithmonë. Çfarë trashëgimie u lanë fëmijëve të tyre? Bibla thotë: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, e kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Rom. 5:12) Trashëgimia që na la Adami është mëkati, që sjell si pasojë vdekjen. Ky mëkat i trashëguar është një borxh i stërmadh që askush prej nesh s’e lan dot.—Psal. 49:8.

3. Pse mëkatet tona mund të krahasohen me «borxhet»?

3 Jezui i krahasoi mëkatet me «borxhet». (Mat. 6:12, shën.; Luka 11:4) Kur mëkatojmë, është sikur hyjmë në borxh me Jehovain. Na duhet të paguajmë për mëkatet që bëjmë. E sikur këto borxhe të mos paguheshin, do t’i shlyenim me vdekjen tonë, pa pasur shpresë të jetonim më kurrë.—Rom. 6:7, 23.

4. (a) Ç’do të ndodhte me gjithë njerëzit mëkatarë po të mos i ndihmonte kush? (Psalmi 49:7-9) (b) Çfarë kuptimesh ka në Bibël fjala «mëkat»? (Shihni kutinë « Mëkati».)

4 A është e mundur të rifitojmë gjithçka që humbën Adami dhe Eva? Të vetëm, as që bëhet fjalë. (Lexo Psalmin 49:7-9.) Pa një ndihmë, njerëzit s’do të kishin fare shpresë të jetonin pa fund ose të ringjalleshin. Në fakt, fundi i jetës sonë do të ishte njësoj si fundi i kafshëve.—Ekl. 3:19; 2 Pjet. 2:12.

5. Si na ka ndihmuar Ati ynë i dashur ta shlyejmë borxhin, mëkatin e trashëguar? (Shih figurën.)

5 T’i kthehemi shembullit të djalit të përmendur në fillim. Si do të ndihej ai nëse një i pasur do të ofrohej t’i paguante gjithë borxhet? S’do mend që do t’i ishte jashtëzakonisht mirënjohës e do ta pranonte atë dhuratë bujare. Po njësoj, Ati ynë i dashur, Jehovai, na ka bërë një dhuratë që shlyen borxhin tonë, mëkatin e trashëguar nga Adami. Ja si e shpjegoi Jezui këtë: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Falë kësaj dhurate, kemi mundësi edhe të gëzojmë një marrëdhënie të mirë me Jehovain.

Jezui predikoi lajmin e mirë për faljen e Jehovait që bazohet te flijimi shpërblyes. (Gjoni 3:16) Pastaj dha me gatishmëri jetën për të siguruar shpërblesën (Shih paragrafin 5)


6. Cilët terma nga Bibla do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse?

6 Si mund të nxjerrim dobi nga kjo dhuratë e mrekullueshme, e cila bën të mundur të na falen gjithë mëkatet ose «borxhet»? Përgjigjja gjendet te disa terma që përdor Bibla: pajtimi, shlyerja, shpërblesa, shpengimi dhe shpallja të drejtë. Gjatë artikullit do të shqyrtojmë një për një domethënien e këtyre termave. E ndërsa mendojmë mbi ç’bazë na fal Jehovai, do të na thellohet mirënjohja për të.

SYNIMI: PAJTIMI

7. (a) Çfarë humbën tjetër Adami dhe Eva? (b) Për çfarë kemi tmerrësisht nevojë si pasardhës të Adamit dhe Evës? (Romakëve 5:10, 11)

7 Përveç perspektivës së jetës së përhershme, Adami dhe Eva humbën edhe marrëdhënien e vyer me Atin e tyre, Jehovain. Para kësaj, ata kishin qenë pjesë e familjes së Perëndisë. (Luka 3:38) Por ngaqë nuk iu bindën Jehovait, u dëbuan nga familja e tij para se të bëheshin me fëmijë. (Zan. 3:23, 24; 4:1) Ndaj, si pasardhës të tyre, ne kemi nevojë të pajtohemi me Jehovain. (Lexo Romakëve 5:10, 11.) Me fjalë të tjera, kemi nevojë të zhvillojmë një marrëdhënie të mirë me të. Sipas një vepre referimi, fjala greke e përkthyer «pajtoj» në këto vargje, mund të ketë kuptimin «ta kthesh një armik në mik». Sa e mrekullueshme është që iniciativën për këtë pajtim e mori Jehovai! Si?

MASA: SHLYERJA

8. Çfarë është shlyerja?

8 Shlyerja është masa që ka marrë Jehovai për të rivendosur një marrëdhënie të mirë mes tij dhe njerëzve mëkatarë. Të shlyesh do të thotë ta këmbesh diçka me diçka tjetër që ka të njëjtën vlerë. Kështu mund të rifitohet ose të zëvendësohet një gjë që kishte humbur a ishte shkatërruar. Gjithashtu, falë shlyerjes kemi mundësi të pajtohemi me Perëndinë dhe të gëzojmë një marrëdhënie paqësore me të.—Rom. 3:25, shën.

9. Cilën masë të përkohshme mori Jehovai që të falte mëkatet e izraelitëve?

9 Për t’u dhënë mundësi izraelitëve të kishin një marrëdhënie të mirë me të, Jehovai mori një masë të përkohshme që t’u faleshin mëkatet. Në Izrael kremtohej vit për vit Dita e Shlyerjes. Atë ditë, kryeprifti paraqiste kafshë si flijime për popullin. Natyrisht, ato flijime nuk mund t’i shlyenin plotësisht mëkatet e tyre, sepse kafshët s’kanë të njëjtën vlerë me njerëzit. Ama, për sa kohë që izraelitët e penduar paraqitnin flijimet që kërkonte Jehovai, ai ishte i gatshëm t’ua falte mëkatet. (Hebr. 10:1-4) Veç kësaj, ajo masë dhe blatimet që bënin rregullisht për mëkatet u ngulitnin në mendje izraelitëve sa serioze ishte gjendja e tyre mëkatare dhe sa nevojë kishin për një zgjidhje të përhershme.

10. Cilën masë të përhershme mori Jehovai që të na falte mëkatet?

10 Jehovai kishte ndër mend një zgjidhje të përhershme që të na falte mëkatet. Ai mori masa që Biri i tij i shtrenjtë ‘të flijohej një herë të vetme për të mbartur mëkatet e shumë vetave’. (Hebr. 9:28) Jezui dha «jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mat. 20:28) Çfarë është shpërblesa?

ÇMIMI: SHPËRBLESA

11. (a) Sipas Biblës, pse duhej paguar një shpërblesë? (b) Cilat kushte duhej të plotësonte ai që do të paguante shpërblesën?

11 Sipas Biblës, shpërblesa është çmimi që u pagua për të na u shlyer mëkatet dhe për t’u pajtuar me Perëndinë. a Në sytë e Jehovait, kjo është baza për të rikthyer atë që humbi. Të kujtojmë se Adami dhe Eva humbën jetën e përsosur dhe perspektivën që të jetonin përgjithmonë. Pra, shpërblesa duhej të ishte një çmim me vlerë të barabartë me atë që humbën. (1 Tim. 2:6) Atë çmim mund ta paguante vetëm një i rritur që (1) ishte i përsosur, (2) kishte potencialin të jetonte përgjithmonë në tokë dhe (3) ishte i gatshëm të jepte jetën për ne. Vetëm po të plotësoheshin këto kushte, jeta e atij personi do të zëvendësonte ose do të bënte shlyerjen për jetën e humbur.

12. Pse Jezui ishte në gjendje të paguante çmimin e shpërblesës?

12 Të shohim tri arsye pse Jezui ishte në gjendje të paguante çmimin e shpërblesës. (1) Ai ishte i përsosur—«nuk kreu asnjë mëkat». (1 Pjet. 2:22) (2) Si i tillë kishte potencialin të jetonte përgjithmonë në tokë. (3) Ai ishte i gatshëm të vdiste dhe të jepte jetën për ne. (Hebr. 10:9, 10) Jezui ishte njeri i përsosur, tamam siç ishte njeriu i parë, Adami, para se të mëkatonte. (1 Kor. 15:45) Ndaj me vdekjen e tij, Jezui ishte në gjendje të shlyente mëkatin e Adamit, pra ta zëvendësonte atë që humbi Adami. (Rom. 5:19) Kështu Jezui u bë «Adami i fundit». Nuk ka nevojë të vijë ndonjë njeri tjetër i përsosur për të paguar atë që humbi Adami. Jezui vdiq «një herë e mirë».—Hebr. 7:27; 10:12.

13. Ku ndryshon masa e shlyerjes nga shpërblesa?

13 Ku ndryshon, pra, masa e shlyerjes nga shpërblesa? Masa e shlyerjes është veprimi që ndërmori Perëndia për të rivendosur marrëdhënien e mirë mes tij dhe njerëzimit. Shpërblesa është çmimi që u pagua për t’u shlyer mëkatet e njerëzimit. Ky çmim është gjaku i çmuar që derdhi Jezui për ne.—Efes. 1:7; Hebr. 9:14.

REZULTATET: SHPENGOHEMI DHE SHPALLEMI TË DREJTË

14. Çfarë do të shqyrtojmë tani, dhe pse?

14 Cilat janë dobitë e masës së shlyerjes? Bibla përdor disa shprehje për t’i nxjerrë në pah këto dobi. Ndonëse kanë kuptime të ngjashme, ato theksojnë aspekte të veçanta të masës së shlyerjes, e cila hap rrugën që Jehovai të na falë. Ndërsa ndalemi te dy prej tyre, do të shohim edhe si nxjerrim dobi personalisht nga falja e Jehovait.

15-16. (a) Çfarë kuptimi ka në Bibël fjala «shpengim»? (b) Si ndihemi që kemi mundësi të çlirohemi nga mëkati dhe vdekja?

15 Në Bibël, shpengimi nënkupton çlirimin, ose shfajësimin, që sjell pagimi i shpërblesës. Apostulli Pjetër e shpjegoi kështu: «Ju e dini se u çliruat [fjalë për fjalë «u shpenguat»] nga mënyra e kotë e jetesës që ju lanë si trashëgimi paraardhësit, jo me gjëra të prishshme, me argjend ose ar, por me gjak të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, po, të Krishtit.»—1 Pjet. 1:18, 19; shën.

16 Falë flijimit shpërblyes, mund të çlirohemi nga skllavëria e rëndë e mëkatit dhe vdekjes. (Rom. 5:21) Pa diskutim që u jemi pa fund mirënjohës Jehovait dhe Jezuit që bënë të mundur të shpengohemi nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezuit.—1 Kor. 15:22.

17-18. (a) Ç’do të thotë të shpallemi të drejtë? (b) Si na sjell dobi kjo?

17 Gjithashtu jemi shpallur të drejtë. Me fjalë të tjera, akuzat kundër nesh kanë rënë dhe «dosja jonë penale» është pastruar. Duke e bërë këtë, Jehovai nuk i shkel standardet e veta të drejtësisë. Ai nuk na shpall të drejtë ngaqë e meritojmë, e as i mbyll sytë para mëkateve tona. Por falë shpërblesës që pagoi Jezui dhe besimit tonë te masa e shlyerjes, Jehovai ka një bazë për të na i falur mëkatet.—Rom. 3:24; Gal. 2:16.

18 Si na sjell dobi kjo personalisht? Ata që janë zgjedhur për të qeverisur me Jezuin në qiell, janë shpallur tashmë të drejtë si fëmijë të Perëndisë. (Titit 3:7; 1 Gjon. 3:1) Mëkatet e tyre janë falur. Nuk kanë më një «dosje penale», e kështu kualifikohen që të jenë pjesë e Mbretërisë. (Rom. 8:1, 2, 30) Ata që kanë shpresë tokësore janë shpallur të drejtë si miq të Perëndisë dhe u janë falur mëkatet. (Jak. 2:21-23) Para shumicës së madhe, që do t’i mbijetojë Armagedonit, shpaloset perspektiva që të mos vdesin kurrën e kurrës. (Gjoni 11:26) «Të drejtët» dhe «të padrejtët» që kanë rënë në gjumin e vdekjes kanë shpresën të ringjallen. (Vep. 24:15; Gjoni 5:28, 29) Në fund, të gjithë adhuruesit besnikë të Jehovait në tokë do të kenë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Çfarë bekimi i mahnitshëm na pret—pajtim i plotë me Atin tonë, Jehovain!

19. Si ka ndryshuar për mirë situata jonë? (Shihni edhe kutinë « Çfarë përfshin falja e Jehovait».)

19 Vërtet, dikur situata jonë ishte e pashpresë, si ajo e djalit të përmendur në fillim, i cili humbi gjithçka dhe trashëgoi një borxh kolosal që s’mund ta lante dot kurrë. Mirëpo Jehovai s’na ka lënë pa ndihmë. Situata jonë ka ndryshuar falë masës së shlyerjes dhe shpërblesës që pagoi Jezui. Besimi ynë te Jezu Krishti hap rrugën që të shpengohemi, ose të çlirohemi, nga mëkati dhe vdekja. Gjithashtu kur na fal, Jehovai na fshin «dosjen penale», pra është sikur mëkatet tona të mos kenë ndodhur kurrë. Por mbi gjithçka, tani kemi një marrëdhënie të mirë me Atin tonë të dashur, Jehovain.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Ndërsa bluajmë në mendje gjithë sa kanë bërë për ne Jehovai dhe Jezui, na brof zemra nga mirënjohja. (2 Kor. 5:15) Pa ndihmën e tyre s’do të kishim kurrfarë shprese! Por si ndikon te ne personalisht falja e Jehovait? Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.

KËNGA 10 Të lëvdojmë, Jehova!

a Në disa gjuhë, fjala «shpërblesë» përkthehet me një shprehje që fjalë për fjalë do të thotë «çmim për jetën» ose «shumë e paguar».