ARTIKULLI I STUDIMIT 8
KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin
Falja e Jehovait—Si mund ta imitosh?
«Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»—KOLOS. 3:13.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa hapa praktikë që mund të na ndihmojnë ta falim dikë që na ka fyer.
1-2. (a) Kur mund ta kemi veçanërisht të vështirë ta falim dikë? (b) Si e tregoi Denisa se e kishte falur fajtorin?
A E KE të vështirë të falësh? Shumë prej nesh nuk e kanë të lehtë, sidomos kur dikush thotë ose bën diçka që na lëndon thellë. Sidoqoftë është e mundur t’i shërojmë ndjenjat e lënduara dhe të falim. Të marrim rastin e Denisës, a një motër që fali dikë në një mënyrë të jashtëzakonshme. Në vitin 2017, Denisa dhe familja e saj sapo kishin vizituar selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait që ishte hapur për vizitorët. Rrugës për në shtëpi, një shofer humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me makinën e tyre. Denisa humbi ndjenjat nga aksidenti. Kur erdhi në vete, mësoi se fëmijët e saj ishin plagosur rëndë kurse i shoqi, Brajani, kishte vdekur. Ndërsa kujton atë moment, Denisa thotë: «E kisha zemrën copë dhe isha e pështjelluar.» Më pas mori vesh se shoferi nuk kishte qenë as i shpërqendruar, as nën efektin e alkoolit a të drogës. Ndaj iu lut Jehovait t’i jepte paqe, që t’i mbante nën kontroll ndjenjat.
2 Shoferi u arrestua me akuzën për vrasje aksidentale. Po ta dënonin, do të përfundonte në burg. Megjithatë, gjykata e informoi Denisën se vendimi do të varej shumë nga dëshmia e saj. Denisa thotë: «U ndjeva sikur ma hapën prapë plagën e më hodhën një mal me kripë, se më duhej të rijetoja momentet më të tmerrshme të jetës.» Pak javë më vonë, Denisa ishte në sallën e gjyqit, gati për të folur para burrit që i kishte shkaktuar aq dhimbje familjes së saj. Çfarë tha? Denisa i kërkoi gjykatësit të tregonte mëshirë për atë burrë. b Pasi mbaroi së foluri, gjykatësi nuk i mbajti dot lotët dhe tha: «Kam 25 vjet gjykatës, por nuk kam dëgjuar kurrë diçka të tillë në sallën e gjyqit. S’ka ndodhur kurrë që familja e viktimës të më kërkojë t’i tregoj mëshirë të pandehurit. Kurrë nuk dëgjoj fjalë që përcjellin dashuri dhe falje!»
3. Çfarë e nxiti Denisën të falte?
3 Çfarë e ndihmoi Denisën të falte? Ajo mendoi si na fal Jehovai. (Mik. 7:18) Kur na vërshon në zemër mirënjohja për faljen e Jehovait, ndihemi të motivuar t’i falim të tjerët.
4. Çfarë dëshiron Jehovai të bëjmë? (Efesianëve 4:32)
4 Jehovai do që t’i falim të tjerët po aq bujarisht sa na ka falur ai. (Lexo Efesianëve 4:32.) Ai pret të jemi të gatshëm t’i falim ata që na lëndojnë. (Psal. 86:5; Luka 17:4) Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri gjëra që do të na ndihmojnë të falim më shumë.
MOS I SHPËRFILL NDJENJAT E TUA
5. Sipas Proverbave 12:18, si mund të ndihemi kur na lëndon dikush?
5 Ndoshta jemi lënduar thellë nga fjalët a veprimet e dikujt, sidomos nëse është një mik i afërt a një pjesëtar i familjes. (Psal. 55:12-14) Ndonjëherë dhimbja emocionale mund të jetë aq therëse, sa ndihemi sikur kemi marrë një goditje shpate ose thike. (Lexo Proverbat 12:18.) Ndoshta përpiqemi t’i ndrydhim a t’i shpërfillim ndjenjat e lënduara. Por kjo mund të jetë si ta lëmë thikën brenda në plagë. Pra, nuk mund të presim që ndjenjat e lënduara të shërohen thjesht duke i shpërfillur.
6. Si mund të reagojmë kur na fyen dikush?
6 Kur na fyen dikush, reagimi i parë mund të jetë të inatosemi. Bibla e pranon se mund të ndodhë të zemërohemi. Gjithsesi na paralajmëron që të mos e lejojmë zemërimin të na ketë nën kontroll. (Psal. 4:4; Efes. 4:26) Pse? Sepse shpesh ndjenjat kthehen në veprime. E zemërimi s’para sjell rezultate të mira. (Jak. 1:20) Mos harro se të zemërohesh është një reagim, por të mbetesh i zemëruar është një zgjedhje.
Të zemërohesh është një reagim, por të mbetesh i zemëruar është një zgjedhje
7. Çfarë ndjenjash të tjera mund të provojmë kur na lëndon dikush?
7 Kur na trajtojnë keq, mund të provojmë edhe ndjenja të tjera të dhimbshme. Për shembull, një motër që quhet Ana thotë: «Kur isha e vogël, babi e la mamin dhe u martua me dadon time. U ndjeva e braktisur. Kur ata u bënë me fëmijë, më dukej sikur më kishin zëvendësuar. Gjatë gjithë fëmijërisë ndihesha sikur s’më donte kush.» Një motër që quhet Xhorxheta tregon si u ndie kur e tradhtoi i shoqi: «Kishim qenë shokë që fëmijë. Kishim shërbyer bashkë si pionierë. Më ishte bërë zemra copë.» Një motër që quhet Naomi thotë: «S’më kishte shkuar ndonjëherë në mendje se im shoq do të më lëndonte. Prandaj, kur më tregoi se kishte parë fshehurazi pornografi, u ndjeva e mashtruar dhe e tradhtuar.»
8. (a) Cilat janë disa arsye pse duhet të falim? (b) Cilat dobi vijnë kur falim? (Shihni kutinë « Po nëse na ka shkaktuar traumë sjellja e dikujt?»)
8 Nuk e kemi nën kontroll atë që na thonë të tjerët ose mënyrën si sillen, ama mund të mbajmë nën kontroll reagimin tonë. Dhe shpesh reagimi më i mirë është të falim. Pse? Sepse e duam Jehovain, dhe ai dëshiron të falim. Po të mbajmë në zemër inat e të mos falim, ka shumë rrezik të veprojmë marrëzisht e ndoshta edhe të dëmtojmë shëndetin. (Prov. 14:17, 29, 30) Të marrim shembullin e një motre që quhet Kristina. Ajo thotë: «Kur ma brejnë zemrën ndjenjat e lënduara, buzëqesh më rrallë. Kam prirjen të ha ushqime të pashëndetshme dhe nuk fle sa duhet. Veç kësaj, e kam më të vështirë t’i mbaj nën fre ndjenjat, e kjo ndikon për keq te martesa dhe te marrëdhëniet me të tjerët.»
9. Pse duhet ta lëmë pas mërinë?
9 Edhe nëse personi që na lëndoi s’na kërkon kurrë falje, mund ta zbutim dëmin që na shkaktoi. Si? Xhorxheta, që u përmend më sipër, thotë: «M’u desh ca kohë që të mos ushqeja më inat dhe mëri ndaj ish-bashkëshortit. Por pasi e bëra këtë, ndjeva një paqe të papërshkrueshme.» Kur e lëmë pas mërinë, nuk lejojmë të na mbushet zemra me vrer e mllef. Gjithashtu i bëjmë një dhuratë vetes—marrim forcë të ecim para dhe e shijojmë jetën sërish. (Prov. 11:17) Po nëse e ke bërë këtë, por prapë nuk je gati të falësh?
FSHI NGA ZEMRA NDJENJAT NEGATIVE
10. Pse duhet t’i japim kohë vetes për t’u shëruar emocionalisht? (Shihni edhe figurat.)
10 Si mund t’i fshish nga zemra ndjenjat e lënduara? Një mënyrë është duke i dhënë kohë vetes për t’u shëruar. Dikush që dëmtohet rëndë fizikisht, ka nevojë për kujdes mjekësor dhe për kohë që të shërohet. Po njësoj, mund të kemi nevojë për kohë që të shërohemi emocionalisht para se të jemi gati ta falim dikë nga zemra.—Ekl. 3:3; 1 Pjet. 1:22.
11. Si mund të të ndihmojnë lutjet të falësh?
11 Kërkoji Jehovait të të ndihmojë të falësh. c Ana, që u përmend më sipër, tregon si e ndihmuan lutjet. Ajo thotë: «Iu luta Jehovait ta falte secilin prej nesh në familje për gjërat që s’i kishim thënë ose s’i kishim bërë siç duhej. Pastaj u shkrova një letër babait dhe gruas së tij, ku u thashë se i kisha falur.» Ana e pranon se nuk e pati aspak të lehtë ta bënte këtë. Megjithatë shton: «Shpresoj që përpjekjet e mia për të imituar faljen e Jehovait, t’i nxitin babanë dhe gruan e tij që të mësojnë më shumë për Jehovain.» d
12. Pse duhet t’i besojmë Jehovait, jo ndjenjave tona? (Proverbat 3:5, 6)
12 Ki besim te Jehovai, jo te ndjenjat e tua. (Lexo Proverbat 3:5, 6.) Ai e di gjithmonë ç’është më e mira për ne. (Isa. 55:8, 9) E Jehovai s’do të na kërkojë kurrë të bëjmë diçka që na dëmton. Prandaj, kur ia vëmë veshin nxitjes së tij që të falim, mund të jemi të sigurt se do të nxjerrim dobi. (Psal. 40:4; Isa. 48:17, 18) Kurse po t’u besojmë ndjenjave tona, mund të mos arrijmë kurrë të falim. (Prov. 14:12; Jer. 17:9) Naomi, që u përmend më lart, thotë: «Në fillim mendoja se kisha gjithë arsyet e botës të mos e falja tim shoq që kishte parë pornografi. Kisha frikë se do të më lëndonte prapë ose do ta harronte sa dhimbje më kishte shkaktuar. Dhe thosha me vete se Jehovai i kuptonte ndjenjat e mia. Mirëpo dalëngadalë kuptova se thjesht fakti që Jehovai i kupton ndjenjat e mia s’do të thotë se pajtohet me to. Ai e di si ndihem, e di se më duhet kohë të shërohem, ama edhe do që të fal.»
USHQE NDJENJA POZITIVE
13. Sipas Romakëve 12:18-21, çfarë kemi nevojë të bëjmë?
13 Kur e falim dikë që na ka lënduar thellë, vendosim të mos flasim më për atë që ndodhi, ama nuk duam të mjaftohemi me kaq. Nëse personi që na lëndoi është vëllai a motra jonë, kemi synimin të bëjmë paqe. (Mat. 5:23, 24) Zgjedhim ta zëvendësojmë zemërimin me mëshirën dhe mërinë me faljen. (Lexo Romakëve 12:18-21; 1 Pjet. 3:9) Çfarë mund të na ndihmojë ta bëjmë këtë?
14. Çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë, dhe pse?
14 Duhet të përpiqemi ta shohim atë që na lëndoi ashtu siç e sheh Jehovai. Kështu imitojmë Perëndinë tonë që zgjedh të kërkojë të mirën te njerëzit. (2 Kron. 16:9; Psal. 130:3) Zakonisht ajo që dallojmë te njerëzit është ajo që po kërkojmë—qoftë të mirat që kanë, qoftë të këqijat. Kur kërkojmë të mirën te të tjerët, e kemi më të lehtë t’i falim. Për shembull, një vëlla që quhet Xhared thotë: «E kam më kollaj ta fal një vëlla kur e krahasoj gabimin që bëri me listën e gjatë të gjërave që më pëlqejnë tek ai.»
15. Pse është e dobishme t’ia themi dikujt se e kemi falur?
15 Një gjë tjetër e rëndësishme është t’ia thuash personit që të lëndoi se e ke falur. Pse? Të shohim ç’thotë Naomi, që u përmend më sipër: «Im shoq më pyeti: ‘A më ke falur?’ Nisa t’i thosha ‘po, të kam falur’, por më ngecën në fyt ato fjalë. E kuptova se nuk e kisha falur vërtet në zemër. Me kohë, arrita t’ia thosha fjalët e fuqishme ‘të kam falur’. Tim shoqi iu mbushën sytë me lot kur dëgjoi ato fjalë. Ishte i mahnitshëm lehtësimi që ndjeu ai, por edhe paqja që më pushtoi mua vetë. Pas kësaj, mësova të kisha prapë besim te bashkëshorti dhe u bëmë sërish miq të ngushtë.»
16. Çfarë ke mësuar për faljen?
16 Jehovai do që të falim. (Kolos. 3:13) Gjithsesi, mund ta kemi të vështirë ta bëjmë këtë. Por mund t’ia dalim nëse nuk i shpërfillim ndjenjat e lënduara dhe përpiqemi t’i fshijmë nga zemra. Pas kësaj mund të ushqejmë ndjenja të tjera, ndjenja pozitive.—Shih kutinë « Tre hapa për të falur».
PËRQENDROHU TE DOBITË E FALJES
17. Pse duhet të falim?
17 Kemi plot arsye për t’i falur të tjerët. Të kujtojmë vetëm disa. Së pari, imitojmë dhe gëzojmë Atin tonë të mëshirshëm, Jehovain. (Luka 6:36) Së dyti, i tregojmë Jehovait se i jemi vërtet mirënjohës që na fal me aq dashamirësi. (Mat. 6:12) E së treti, kemi shëndet më të mirë dhe i mbajmë të forta miqësitë.
18-19. Çfarë të mirash të papritura mund të vijnë kur falim?
18 Kur falim, mund të vijnë edhe bekime të papritura. Të shohim, për shembull, ç’ndodhi me Denisën, që u përmend më lart. Ndonëse në atë kohë ajo nuk e dinte, burri që shkaktoi aksidentin kishte ndër mend të vriste veten pas gjyqit. Por pastaj e preku aq thellë falja e Denisës, sa filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.
19 Mund të na duket se të falim dikë është një nga gjërat më të vështira që na duhet të bëjmë. Por mund të jetë edhe një nga gjërat më shpërblyese. (Mat. 5:7) Ndaj le të përpiqemi me shpirt që të gjithë të imitojmë Jehovain duke i falur të tjerët.
KËNGA 125 «Lum të mëshirshmit!»
a Disa emra janë ndryshuar.
b Në një situatë të tillë, çdo Dëshmitar duhet të marrë një vendim personal se si do të veprojë.
c Shih në jw.org videot e këngëve «Të falim njëri-tjetrin», «Fal me gjithë zemër» dhe «Prapë miq!»
d Edhe pse shikimi i pornografisë është mëkat dhe e lëndon thellë bashkëshortin e pafajshëm, nuk përbën bazë për divorc sipas Shkrimeve.