Një pyetje e thjeshtë që mund ta bëjmë të gjithë
Meri me të shoqin, Xhonin, a jetojnë në një vend ku kanë mundësi t’u flasin për lajmin e mirë shumë filipinasve që banojnë e punojnë aty. Gjatë pandemisë së COVID-19, Meri filloi të studionte Biblën me njerëz që jetojnë jo vetëm në atë vend, por edhe në vende të tjera të botës. Si e arriti këtë?
Meri i pyeste studentet e saj: «A njeh dikë tjetër që ka qejf të studiojë Biblën?» E nëse përgjigjeshin «po», i pyeste nëse mund t’ia prezantonin. Kjo pyetje e thjeshtë sjell shpesh rezultate të mira. Pse? Sepse kush i vlerëson të vërtetat e Fjalës së Perëndisë, zakonisht dëshiron t’ua tregojë edhe familjarëve e miqve të zemrës. Atëherë, çfarë rezultatesh ka sjellë pyetja e Merit?
Jasmina, një prej studenteve, e prezantoi Merin me katër veta që dëshironin të studionin Biblën. Njërës prej tyre, Kristinës, i pëlqente kaq shumë studimi sa i kërkoi Merit të studionin dy herë në javë. Kur Meri e pyeti nëse njihte ndonjë tjetër që donte të studionte Biblën, Kristina i tha: «Po, kam ca shoqe, do të t’i prezantoj.» Brenda pak javësh Kristina e prezantoi Merin me katër shoqe që dëshironin të studionin. Më vonë e prezantoi me shoqe të tjera, disa prej të cilave e drejtuan te të interesuar të tjerë.
Kristina donte që edhe familja e saj në Filipine të mësonte për Biblën. Prandaj foli me të bijën, Andrean. Fillimisht Andrea mendonte: «Dëshmitarët janë sekt, nuk besojnë te Jezui dhe përdorin vetëm Dhiatën e Vjetër.» Mirëpo mjaftoi vetëm një seancë studimi dhe të gjitha idetë e gabuara që kishte, u qartësuan. Sa herë që studionte, Andrea thoshte: «Nëse këtë e thotë Bibla, s’diskutohet që është e vërtetë!»
Pas ca kohësh Andrea e prezantoi Merin me dy shoqe dhe një kolege, të cilat nisën studimin. Veç kësaj, Meri nuk e dinte se ndërsa bënin studimin me Andrean, dëgjonte dhe Anxhela, halla e saj e verbër. Një ditë Anxhela i kërkoi Andreas që ta pyeste Merin nëse mund të studionte Biblën edhe me të. Anxhelës i pëlqente shumë ajo që po mësonte. Brenda një muaji mësoi përmendsh goxha shkrime dhe kërkoi të studionte katër herë në javë. Gjithashtu, me ndihmën e Andreas, filloi të ndiqte rregullisht mbledhjet me anë të videokonferencës.
Meri mori vesh se i shoqi i Kristinës, Xhoshua, dëgjonte ndërsa ato bënin studimin,
ndaj e pyeti nëse kishte qejf të studionte edhe ai. Xhoshua i tha: «Unë vetëm do të dëgjoj, por mos më bëj pyetje, se po më bëre pyetje, ika.» Pa kaluar as pesë minuta nga fillimi i studimit, ai bëri më shumë pyetje se Kristina dhe shprehu dëshirën për të studiuar.Pyetja e thjeshtë e Merit i çeli rrugën fillimit të shumë studimeve të Biblës. Ajo mori masa që disa prej tyre ta vazhdonin studimin me Dëshmitarë të tjerë. Meri filloi gjithsej 28 studime në katër vende të ndryshme.
Jasmina, studentja e parë e përmendur në këtë eksperiencë, u pagëzua në prill 2021. Kristina u pagëzua në maj 2022 dhe është kthyer në Filipine që të jetë pranë familjes. Edhe dy studente të tjera, që e njohën Merin nëpërmjet Kristinës, u pagëzuan. Anxhela u pagëzua pak muaj pas Kristinës dhe tani shërben si pioniere e rregullt. I shoqi i Kristinës, Xhoshua, vajza e tyre, Andrea, si edhe disa të tjerë po vazhdojnë të studiojnë dhe të forcojnë miqësinë me Jehovain.
Në shekullin e parë lajmi i mirë përhapej shpejt mes familjarëve dhe miqve. (Gjoni 1:41, 42a; Vep. 10:24, 27, 48; 16:25-33) Pse të mos i pyesësh studentët e tu ose të interesuarit: «A njeh dikë tjetër që ka qejf të studiojë Biblën?» Kushedi sa studime mund të fillosh si rezultat i kësaj pyetjeje të thjeshtë!
a Emrat janë ndryshuar.