JETËSHKRIM
«S’kam qenë kurrë vetëm!»
MJAFT rrethana në jetë mund të na bëjnë të ndihemi të vetmuar: humbja e njerëzve të dashur, një ambient i panjohur dhe izolimi fizik. Jeta më ka përballur me të gjitha këto. Prapëseprapë, kur kthej kokën pas, e kuptoj se, në të vërtetë, nuk kam qenë kurrë vetëm. Ja t’ju tregoj pse kam dalë në këtë përfundim.
SHEMBULLI I PRINDËRVE
Babai dhe nëna ishin katolikë të devotshëm. Mirëpo, kur mësuan nga Bibla se Perëndia e ka emrin Jehova, u bënë Dëshmitarë të Jehovait të zellshëm. Babai nuk bëri më ikona të Jezuit. Ai i përdori aftësitë e tij si marangoz për ta kthyer katin e parë të shtëpisë në një Sallë Mbretërie. Kështu shtëpia jonë u bë salla e parë në San-Huan-del-Monte, një zonë periferike e Manilës, kryeqytetit të Filipineve.
Linda në vitin 1952, dhe prindërit nisën të më mësonin për Jehovain, siç kishin bërë edhe me katër vëllezërit dhe tri motrat e mia. Ndërsa rritesha, babai më nxiste të lexoja çdo ditë një kapitull nga Bibla, dhe studiuam bashkë shumë botime të organizatës. Herë pas here, prindërit hapnin shtëpinë për mbikëqyrësit udhëtues dhe për përfaqësuesit e zyrës së degës. Ata na tregonin eksperienca që na gëzonin e na inkurajonin pa masë, e kjo na motivoi ta bënim shërbimin boshtin e jetës.
Prindërit na lanë një trashëgimi të bukur: besimin e fortë. Pasi nëna ime e shtrenjtë vdiq nga një sëmundje, unë dhe babai filluam të shërbenim si pionierë në vitin 1971. Por në vitin 1973, kur isha 20 vjeç, vdiq edhe babai. Humbja e të dy prindërve më krijoi një ndjenjë zbrazëtie e vetmie. Ama shpresa ‘e sigurt dhe e patundur’ e Biblës ishte një spirancë që më mbante stabël emocionalisht dhe të fortë në besim. (Hebr. 6:19) Pak pas vdekjes së tim eti, pranova caktimin si pionier special në ishullin e izoluar të Koronit, në provincën e Palavanit.
I VETËM NË CAKTIME SFIDUESE
Isha 21 vjeç kur shkova në Koron. Si djalë qyteti, u habita kur pashë se në ishull kishte pak shtëpi që furnizoheshin me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm, si edhe nuk kishte shumë automjete. Megjithëse kishte disa Dëshmitarë, nuk kisha shok shërbimi
dhe ndonjëherë duhej të predikoja vetëm. Muajin e parë më mbyste malli për familjen dhe për miqtë. Netëve rrija e vështroja qiellin plot yje e më rridhnin lot. Më vinte ta lija caktimin dhe të kthehesha në shtëpi.Në ato momente vetmie i zbrazja Jehovait gjithë ç’kisha në shpirt. Sillja ndër mend gjërat inkurajuese që kisha lexuar në Bibël dhe në botimet tona. Shpesh kujtoja Psalmin 19:14. Kuptova se Jehovai do të bëhej ‘Shkëmbi im dhe Shpenguesi im’, nëse meditoja për gjërat që e kënaqin, si veprat dhe cilësitë e tij. Veç kësaj, më ndihmoi një artikull i Kullës së Rojës me titull «Nuk je kurrë vetëm». a E lexova kushedi sa herë. Në njëfarë kuptimi isha vetëm me Jehovain dhe mund t’i përdorja ato raste të çmuara që të lutesha, të studioja dhe të meditoja.
Pak pasi vajta në Koron, u emërova plak kongregacioni. Meqë isha i vetmi plak, nisa të drejtoja çdo javë Shkollën e Shërbimit Teokratik, Mbledhjen e Shërbimit, Studimin e Librit në Kongregacion dhe Studimin e Kullës së Rojës. Gjithashtu mbaja çdo javë fjalimin për publikun. Një gjë ishte e sigurt—s’kisha më kohë të ndihesha i vetmuar!
Shërbimi në Koron ishte goxha i frytshëm, dhe disa nga studentët e mi u pagëzuan. Ama kishte edhe sfida. Ndonjëherë duhej të ecja gjysmë dite për te territori dhe nuk e kisha idenë ku do ta kaloja natën. Territori i kongregacionit përfshinte edhe mjaft ishuj të vegjël. Për të vajtur atje, shpesh udhëtoja me motobarkë në detin e stuhishëm, megjithëse nuk dija not. Por Jehovai më mbrojti dhe m’u bë krah në të gjitha vështirësitë. Më vonë e kuptova se Jehovai po më përgatiste për sfidat më të mëdha që më pritnin në caktimin e radhës.
PAPUA GUINEJA E RE
Në vitin 1978 më caktuan në Papua Guinenë e Re. Papua Guineja e Re është një vend malor, me një sipërfaqe gati sa ajo e Spanjës. Ngela gojëhapur kur mora vesh se popullsia prej rreth tre milionë banorësh fliste mbi 800 gjuhë. Sa mirë që shumica e njerëzve mund të flitnin gjuhën pixhine të Melanezisë, që njihet si tok-pisine.
Më caktuan përkohësisht në një kongregacion të gjuhës angleze në kryeqytet, në Port-Moresbi. Por pastaj u transferova në një kongregacion të gjuhës tok-pisine dhe fillova kursin e gjuhës. Ato që mësoja në kurs i përdorja në veprën e predikimit. Kjo më ndihmoi ta mësoja më shpejt gjuhën. S’kaloi shumë dhe arrita të mbaja një fjalim për publikun në gjuhën tok-pisine. Sa u surprizova kur, pa mbushur vitin në Papua Guinenë e Re, më caktuan të shërbeja si mbikëqyrës qarkor për kongregacionet e gjuhës tok-pisine në disa provinca të mëdha.
Ngaqë kongregacionet ishin goxha larg nga njëri-tjetri, duhej të organizoja shumë asamble qarkore dhe të udhëtoja shpesh. Fillimisht u ndjeva mjaft i izoluar në këtë ambient të panjohur. Isha në një vend të ri, me një gjuhë të re dhe me zakone të reja. Për shkak të terrenit të thyer malor nuk kishte rrugë.
Prandaj, për të vizituar kongregacionet, duhej të udhëtoja thuajse çdo javë me avion. Ndonjëherë isha i vetmi pasagjer në ndonjë avion të vogël rrangallë. Ato udhëtime më mbushnin me ankth njësoj si udhëtimet me varkë.Pak njerëz kishin telefona, prandaj me kongregacionet komunikoja përmes letrave. E meqë shpesh mbërrija unë para letrave, duhej të pyesja vërdallë ku ishin Dëshmitarët. Ama, sa herë i takoja, më mirëpritnin me mirënjohje e dashuri të madhe, dhe kjo më kujtonte pse po i bëja tërë ato sakrifica. Provova dorën e Jehovait në sa e sa mënyra dhe u lidha shumë ngushtë me të.
Mbledhjen e parë në ishullin e Buganvilit, m’u afrua një çift i buzëqeshur, të cilët më pyetën: «Na mban mend ne?» M’u kujtua që u kisha dhënë dëshmi kur isha në Port-Moresbi. Kisha filluar të studioja Biblën me ta dhe pastaj ia kisha lënë studimin një vëllai vendës. Tani ishin të dy të pagëzuar. Ky ishte një nga bekimet e shumta që më dha Jehovai gjatë atyre tre viteve në Papua Guinenë e Re.
NJË FAMILJE E VOGËL E ZELLSHME
Para se të largohesha nga Koroni në vitin 1978, njoha Adelën, një motër simpatike dhe të sakrificës. Ajo po shërbente si pioniere e rregullt ndërsa rriste dy fëmijët e saj, Samuelin dhe Shirlin. Njëkohësisht kujdesej edhe për të ëmën e moshuar. Në maj të vitit 1981 u ktheva në Filipine që të martohesha me Adelën. E pas martese vazhduam të dy si pionierë të rregullt ndërsa kujdeseshim për familjen.
Edhe pse tani kisha familje, në vitin 1983 më ricaktuan si pionier special, kësaj here në ishullin e Linapakanit, në provincën e Palavanit. U transferuam si familje në atë vend të izoluar ku nuk kishte asnjë Dëshmitar. Mamaja e Adelës vdiq rreth një vit më vonë. Megjithatë vazhduam të jepeshim pa u kursyer pas shërbimit, dhe kjo na ndihmoi të përballonim humbjen. Në Linapakan nisëm shumë studime që po përparonin, kështu që shpejt lindi nevoja për një Sallë Mbretërie të vogël, të cilën e ndërtuam vetë. Kishim vetëm tre vjet në ishull dhe u kënaqëm tej mase kur në Përkujtim morën pjesë 110 veta, mjaft prej të cilëve më vonë përparuan drejt pagëzimit.
Në vitin 1986 më caktuan në Kulion, një ishull ku jetonte një komunitet pacientësh me lebër. Pas kësaj edhe Adelën e emëruan pioniere speciale. Fillimisht ishim disi në merak t’u predikonim njerëzve të shfytyruar nga lebra. Por lajmëtarët vendës na qetësuan duke na thënë se ata të sëmurë kishin marrë trajtim dhe kishte shumë pak rrezik të infektoheshim. Disa pacientë ndiqnin mbledhjet në shtëpinë e një motre. U përshtatëm shpejt dhe na sillte shumë kënaqësi t’u tregonim për shpresën e Biblës njerëzve që ndiheshin si të flakur tej nga Perëndia dhe nga njerëzit. Sa të lumtur ishim tek shihnim njerëz kaq të sëmurë që fluturonin nga gëzimi Luka 5:12, 13.
kur mësonin se një ditë do të kishin shëndet të përsosur!—Çfarë i ndihmoi fëmijët të përshtateshin me jetën në Kulion? Me Adelën ftuam që të vinin atje dy motra të reja nga Koroni, kështu fëmijët mund të kishin shoqëri të mirë. Samueli, Shirli dhe dy motrat kënaqeshin ndërsa u mësonin të tjerëve të vërtetën. Ata studionin me shumë fëmijë, kurse unë dhe Adela studionim me prindërit e tyre. Madje, për njëfarë kohe po studionim me 11 familje. Kishte kaq shumë studentë që po bënin përparim, sa s’kaloi shumë dhe u formua një kongregacion i ri.
Fillimisht isha i vetmi plak në atë zonë. Prandaj zyra e degës më kërkoi të drejtoja çdo javë mbledhjet për tetë lajmëtarët në Kulion dhe për nëntë lajmëtarët në Marili, një fshat që ishte tri orë larg me varkë. Kur mbaronim mbledhjet, si familje ecnim me orë të tëra nëpër rajonin malor që të drejtonim studime të Biblës në një fshat të quajtur Halsi.
Me kohë, aq shumë njerëz e përqafuan të vërtetën në Marili dhe në Halsi, sa ndërtuam Salla Mbretërie në të dyja fshatrat. Ashtu si në Linapakan, vëllezërit dhe të interesuarit siguruan shumicën e materialeve dhe bënë pjesën më të madhe të punës. Salla në Marili nxinte 200 veta dhe mund të zgjerohej, prandaj mbanim edhe asamble atje.
PROVOJ PIKËLLIM, VETMI DHE SËRISH GËZIM
Në vitin 1993, kur ishin rritur fëmijët, me Adelën filluam të shërbenim në veprën qarkore në Filipine. Pastaj në vitin 2000, ndoqa Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, që të stërvitesha si instruktor për atë shkollë. Ndihesha i paaftë për caktimin e ri, por Adela më jepte zemër pareshtur. Më siguronte se Jehovai do të më jepte forcën e nevojshme që ta përmbushja caktimin. (Filip. 4:13) Adela fliste nga eksperienca, sepse ajo po e kryente më së miri caktimin e saj, pavarësisht nga problemet me shëndetin.
Më 2006, ndërsa shërbeja si instruktor, Adela u diagnostikua me Parkinson. Lajmi na
ra si bombë! Kur i thashë ta linim caktimin që të kujdesesha për të, më tha: «Të lutem, gjej një mjek që të më ndihmojë, dhe jam e sigurt se Jehovai do të na japë forcë të vazhdojmë në caktim.» Gjashtë vitet që pasuan, Adela vazhdoi t’i shërbente Jehovait pa u ankuar. Kur nuk ecte dot më, predikonte nga karrigia me rrota. E kur mezi fliste, komentonte në mbledhje vetëm me një ose dy fjalë. Vëllezërit e motrat i dërgonin vazhdimisht Adelës mesazhe vlerësimi për shembullin e shkëlqyer të qëndrueshmërisë, derisa ajo ra në gjumin e vdekjes në vitin 2013. Për mbi 30 vjet kisha pasur përkrah një shoqe besnike e të dashur, por tani ndjenjat e pikëllimit dhe të vetmisë më vunë sërish përposh.Adela do të kishte dashur të mos hiqja dorë nga caktimi, ndaj ashtu bëra. U dhashë plotësisht pas shërbimit, e kjo më ndihmoi të luftoja vetminë. Në vitet 2014 deri në 2017, më caktuan të vizitoja kongregacionet e gjuhës tagaloge në vende ku vepra ishte e kufizuar. Pas kësaj vizitova kongregacionet e gjuhës tagaloge në Tajvan, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Në 2019-n shërbeva si instruktor për disa klasa të Shkollës për Ungjillëzuesit e Mbretërisë në gjuhën angleze, në Indi dhe në Tajlandë. Të gjitha këto caktime më kanë sjellë gëzim të pamasë. Ndiej lumturi të pakrahasueshme kur jam plotësisht i zënë në shërbim të Jehovait.
S’DO TË NGELEMI KURRË PA NDIHMË
Në çdo caktim të ri lidhem goxha me vëllezërit e motrat, ja pse s’ka qenë asnjëherë e lehtë të ndryshoj caktim. Por, në raste të tilla, kam mësuar t’i besoj plotësisht Jehovait. Ai s’më ka lënë kurrë pa mbështetje, e kjo më ka ndihmuar të pranoj pa ngurruar çdo ndryshim. Tani shërbej si pionier special në Filipine. Ndihem shumë rehat në kongregacionin e ri. Janë bërë për mua një familje që më fal dashuri dhe më qëndron pranë. Gjithashtu jam shumë krenar kur shoh Samuelin dhe Shirlin tek ecin në gjurmët e nënës së tyre besnike.—3 Gjon. 4.
Vërtet nuk e kam pasur jetën fushë me lule; gruaja ime e shtrenjtë vuajti e vdiq nga një sëmundje e tmerrshme. Më është dashur edhe të përshtatem me shumë rrethana të reja. Prapëseprapë, kam parë se Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Vep. 17:27) Dora e Jehovait «nuk është aq e shkurtër» sa të mos mbështetë e të mos u japë forcë shërbëtorëve të tij, madje edhe në territore të izoluara. (Isa. 59:1) I jam tejet mirënjohës Jehovait, Shkëmbit tim, që më ka shoqëruar në çdo hap të jetës. S’kam qenë kurrë vetëm!
a Shih Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1972, f. 521-527, anglisht.