Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 38

KËNGA 25 Prona e veçantë e Jehovait

A po ua vë veshin paralajmërimeve?

A po ua vë veshin paralajmërimeve?

«Njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.»MAT. 24:40.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shqyrtojmë tri ilustrime të Jezuit dhe të shohim si lidhen me kohën e gjykimit që presim në fund të këtij sistemi.

1. Çfarë do të bëjë Jezui së shpejti?

 PO JETOJMË në kohë të papërsëritshme! Së shpejti, Jezui do të gjykojë çdo njeri në tokë. Ai na tregoi si ta dallojmë se po afrohet ky gjykim, duke u dhënë dishepujve një ‘shenjë’ të pranisë së tij të padukshme dhe ‘të përfundimit të sistemit’. (Mat. 24:3) Për këtë shenjë flitet në kapitujt 24 e 25 të Mateut, si edhe në tregimet paralele te kapitulli 13 i Markut dhe te kapitulli 21 i Lukës.

2. Ku do të përqendrohemi në këtë artikull, dhe për çfarë do të na ndihmojë kjo?

2 Për të na ndihmuar të jemi gati, Jezui përdori tri ilustrime që përmbajnë paralajmërime. Janë ilustrimi për delet e cjeptë, për virgjëreshat e mençura dhe mendjelehta dhe ilustrimi për talentat. Secili prej tyre na ndihmon të kuptojmë si do të ndikojë sjellja jonë te mënyra si do të na gjykojë Jezui. Ndërsa i shqyrtojmë ilustrimet, të përpiqemi të dallojmë çfarë na mësojnë dhe si mund t’i zbatojmë këto mësime. Të ndalemi në fillim tek ilustrimi për delet dhe cjeptë.

DELET DHE CJEPTË

3. Kur do t’i gjykojë Jezui njerëzit?

3 Në ilustrimin për delet dhe cjeptë, Jezui tha se do t’i gjykojë njerëzit në bazë të mënyrës si reaguan ndaj lajmit të mirë dhe të faktit nëse i mbështetën vëllezërit e mirosur të Krishtit. (Mat. 25:31-46) Ai do ta bëjë këtë gjykim gjatë ‘shtrëngimit të madh’, pak para Armagedonit. (Mat. 24:21) Ashtu siç i ndan një bari delet nga cjeptë, Jezui do t’i ndajë ata që mbështetën besnikërisht të mirosurit nga ata që nuk i mbështetën.

4. Sipas Isaisë 11:3, 4, pse jemi të sigurt se Jezui do t’i gjykojë njerëzit me paanshmëri? (Shihni edhe figurën.)

4 Profecitë e Biblës tregojnë se Jezui, Gjykatësi i emëruar nga Jehovai, do të gjykojë me drejtësi. (Lexo Isainë 11:3, 4.) Ai vëzhgon sjelljen, qëndrimin dhe atë që thonë njerëzit—ku përfshihet mënyra si i trajtojnë vëllezërit e tij të mirosur. (Mat. 12:36, 37; 25:40) Jezui do ta dijë mirë cilët i mbështetën vëllezërit e tij të mirosur dhe veprën e tyre. a Një mënyrë kryesore si i mbështetim vëllezërit e Krishtit është duke i ndihmuar në veprën e predikimit. Ata që i mbështetin në këtë mënyrë vëllezërit e Krishtit, do të gjykohen si ‘të drejtë’ dhe do të kenë perspektivën e ‘jetës së përhershme’ në tokë. (Mat. 25:46; Zbul. 7:16, 17) Sa shpërblim i mrekullueshëm për ata që mbajnë integritetin! Falë besnikërisë që do të tregojnë gjatë shtrëngimit të madh e më pas, emrat e tyre do të mbeten në «librin e jetës».—Zbul. 20:15.

Në të ardhmen e afërt, Jezui do të gjykojë nëse njerëzit kanë treguar se janë si dele apo si cjep (Shih paragrafin 4)


5. Çfarë mësimi përmban ilustrimi për delet e cjeptë, dhe cilët duhet t’i kushtojnë vëmendje?

5 Trego besim dhe besnikëri. Ilustrimi i Jezuit për delet dhe cjeptë përqendrohet kryesisht te njerëzit që kanë shpresë tokësore. Ata e tregojnë besimin qoftë duke i ndihmuar vëllezërit e Krishtit në veprën e predikimit, qoftë duke ndjekur me besnikëri drejtimin e grupit të vogël të vëllezërve të mirosur që ka zgjedhur Jezui. (Mat. 24:45) Megjithatë, edhe ata me shpresë qiellore duhet t’ia vënë veshin mesazhit paralajmërues të këtij ilustrimi. Pse? Sepse Jezui i kushton vëmendje sjelljes, qëndrimit dhe fjalëve të tyre. Edhe ata duhet ta tregojnë me vepra besimin. Në fakt, Jezui bëri dy ilustrime të tjera që përmbajnë paralajmërime enkas për të mirosurit. Ato janë dokumentuar edhe në kapitullin 25 të Mateut. Le të shohim tani ilustrimin për virgjëreshat e mençura dhe mendjelehta.

VIRGJËRESHAT E MENÇURA DHE MENDJELEHTA

6. Si treguan pesë virgjëresha se ishin të mençura? (Mateu 25:6-10)

6 Në ilustrimin për virgjëreshat, Jezui foli për dhjetë virgjëresha që dolën të takonin një dhëndër. (Mat. 25:1-4) Të gjitha shpresonin ta shoqëronin dhëndrin në dasmë. Pesë prej tyre Jezui i quajti «të mençura», kurse pesë të tjerat «mendjelehta». Virgjëreshat e mençura ishin të përgatitura dhe vigjilente. Ato ishin gati ta pritnin dhëndrin për sa kohë të ishte e nevojshme, edhe sikur të mbërrinte natën vonë. Ndaj morën me vete llamba me vaj, që të bënin dritë kur të errej. Madje morën edhe vaj rezervë në rast se dhëndri vonohej. Kështu ishin të përgatitura që t’i mbanin llambat ndezur. (Lexo Mateun 25:6-10.) Kur erdhi dhëndri, virgjëreshat e mençura hynë bashkë me të në dasmë. Po njësoj, të krishterët e mirosur që tregojnë se janë gati duke qëndruar vigjilentë e besnikë deri kur të vijë Krishti, do të konsiderohen të denjë të bashkohen me Dhëndrin, Jezuin, në Mbretërinë e tij qiellore. b (Zbul. 7:1-3) Po pesë virgjëreshat mendjelehta?

7. Ç’ndodhi me pesë virgjëreshat mendjelehta, dhe pse?

7 Ndryshe nga virgjëreshat e mençura, pesë mendjelehtat nuk ishin gati kur erdhi dhëndri. Llambat e tyre po shuheshin dhe nuk kishin me vete vaj rezervë. Kur morën vesh se pas pak do të vinte dhëndri, duhej të shkonin të blinin vaj. E kur erdhi dhëndri, nuk ishin kthyer ende. Kurse «virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë, e dera u mbyll». (Mat. 25:10) Më vonë, virgjëreshat mendjelehta u kthyen dhe donin të hynin, por dhëndri u tha: «Unë nuk ju njoh.» (Mat. 25:11, 12) Ato virgjëresha nuk u përgatitën që ta pritnin dhëndrin për sa kohë të ishte e nevojshme. Cili është mësimi për të mirosurit?

8-9. Çfarë mësimi nxjerrin të mirosurit nga ilustrimi i virgjëreshave? (Shihni edhe figurën.)

8 Ji i përgatitur dhe vigjilent. Jezui nuk po parathoshte se do të kishte dy grupe të mirosurish—një grup që ishte i përgatitur të priste deri në fund të sistemit dhe një tjetër që nuk ishte i përgatitur. Në vend të kësaj, po theksonte se nëse të mirosurit s’do të ishin të përgatitur të qëndronin besnikë deri në fund, nuk do ta merrnin shpërblimin. (Gjoni 14:3, 4) Një paralajmërim që të shkund! Pavarësisht nëse shpresojmë të jetojmë në qiell apo në tokë, të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje paralajmërimit që jepet tek ilustrimi i virgjëreshave. Secili nga ne duhet të rrijë syçelë dhe të jetë i përgatitur, gati të qëndrojë deri në fund.—Mat. 24:13.

9 Pasi Jezui përdori ilustrimin e virgjëreshave për të theksuar se duhet të jemi të përgatitur dhe vigjilentë, tregoi ilustrimin e talentave. Nëpërmjet tij theksoi sa rëndësi ka të jemi të papërtuar.

Secili nga ne duhet ta marrë seriozisht paralajmërimin e ilustrimit të virgjëreshave, duke qenë i përgatitur dhe vigjilent, gati të qëndrojë deri në fund (Shih paragrafët 8-9)


TALENTAT

10. Si u treguan besnikë dy nga skllevërit? (Mateu 25:19-23)

10 Në ilustrimin e talentave, Jezui foli për dy skllevër që ishin besnikë ndaj zotërisë së tyre dhe për një skllav që nuk ishte besnik. (Mat. 25:14-18) Dy skllevërit e treguan besnikërinë duke punuar pa u lodhur për t’i shtuar të ardhurat e zotërisë. Para se të ikte në dhé të huaj, ai u besoi talentat e veta—një shumë të madhe parash. Dy skllevërit besnikë ishin të papërtuar dhe i përdorën me mençuri paratë. Rezultati? Kur u kthye zotëria, i kishin dyfishuar paratë. Ai i lavdëroi dhe ata ‘gëzuan me zotërinë e tyre’. (Lexo Mateun 25:19-23.) Po skllavi i tretë ç’bëri me paratë që i kishte dhënë zotëria?

11. Ç’ndodhi me skllavin «përtac», dhe pse?

11 Skllavi i tretë mori një talentë, por ishte «përtac». Zotëria priste prej tij që ta përdorte me mençuri talentën. Mirëpo ai vajti dhe e groposi. Kur u kthye zotëria, skllavi nuk kishte fituar kurrgjë dhe kishte një qëndrim të keq. Në vend që të kërkonte falje që nuk i kishte shtuar të ardhurat, e quajti pa të drejtë zotërinë «njeri kërkues». Ai skllav nuk fitoi miratimin e zotërisë së tij. Jo vetëm kaq, por ia morën talentën dhe e flakën jashtë shtëpisë së zotërisë.—Mat. 25:24, 26-30.

12. Cilët paraqesin sot dy skllevërit besnikë?

12 Dy skllevërit besnikë paraqesin të mirosurit besnikë. Zotëria, Jezui, i fton që ‘të gëzohen me zotërinë e tyre’. Ata marrin shpërblimin qiellor, duke u kthyer në jetë në ringjalljen e parë. (Mat. 25:21, 23; Zbul. 20:5b) Kurse te shembulli i keq i skllavit përtac gjejmë një paralajmërim për të mirosurit. Çfarë paralajmërimi?

13-14. Çfarë mësimi nxjerrin të mirosurit nga ilustrimi i talentave? (Shihni edhe figurën.)

13 Ji i papërtuar dhe i zellshëm. Sikurse në ilustrimin e virgjëreshave, edhe në ilustrimin e talentave Jezui nuk po parathoshte se të mirosurit do të bëheshin përtacë. Përkundrazi, po shpjegonte se ç’do të ndodhte sikur t’u ftohej zelli: nuk do ta kishin më të sigurt «thirrjen dhe zgjedhjen» e tyre e nuk do t’u lejohej të ishin pjesë e Mbretërisë qiellore.—2 Pjet. 1:10.

14 Ilustrimet e Jezuit për virgjëreshat dhe për talentat tregojnë qartë se të gjithë të krishterët e mirosur duhet të jenë të përgatitur e vigjilentë, si edhe të papërtuar e të zellshëm. Por, a u dha ndonjë paralajmërim tjetër Jezui të mirosurve? Po. Edhe fjalët e tij te Mateu 24:40, 41 lidhen me gjykimin përfundimtar të të mirosurve.

Jezui sheh me vëmendje nëse të mirosurit janë të papërtuar dhe të zellshëm (Shih paragrafët 13-14) d


CILËT ‘DO TË MERREN’?

15-16. Si e thekson Mateu 24:40, 41 se është jetësore që të mirosurit të jenë syçelë?

15 Para se të bënte tri ilustrimet, Jezui foli për një gjykim përfundimtar të të mirosurve, që do të tregonte cilët ishin të miratuar. Ai foli për dy burra që po punonin në arë dhe për dy gra që po punonin në mulli. Në secilin rast, duket se dy burrat dhe dy gratë po bënin të njëjtën punë, por Jezui tha se një prej tyre ‘do të merrej dhe tjetri [tjetra] do të lihej’. (Lexo Mateun 24:40, 41.) Pas kësaj i nxiti dishepujt e vet: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» (Mat. 24:42) Jezui tha diçka të ngjashme edhe në fund të ilustrimit të virgjëreshave. (Mat. 25:13) A kanë lidhje me njëra-tjetrën këto komente? Duket që po. Jezui ‘do të marrë’ në Mbretërinë qiellore vetëm ata që janë vërtet të mirosur dhe besnikë.—Gjoni 14:3.

16 Qëndro syçelë. Një i mirosur që nuk qëndron syçelë, nuk do të mblidhet bashkë me «të zgjedhurit». (Mat. 24:31) Në fakt, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, pavarësisht nga shpresa që kanë, duhet t’i shohin fjalët e Jezuit si një paralajmërim për të qëndruar syçelë e besnikë.

17. Pse nuk duhet të merakosemi nëse Jehovai ka zgjedhur të mirosë disa në ditët tona?

17 Ne e njohim mirë Jehovain, ndaj kemi besim te gjykimi i tij. Nuk merakosemi nëse ai ka zgjedhur të mirosë disa besnikë në ditët tona. c Kujtojmë çfarë tha Jezui për punëtorët e orës së 11-të kur bëri ilustrimin e vreshtit. (Mat. 20:1-16) Ata që u ftuan të punonin në vresht në një orë më të vonë të ditës, morën të njëjtën pagë si ata që e nisën punën më herët. Po njësoj, pavarësisht nga koha kur zgjidhen, të mirosurit do të marrin shpërblimin qiellor nëse qëndrojnë besnikë.

VËRUA VESHIN PARALAJMËRIMEVE

18-19. Cilat mësime dhe paralajmërime kemi shqyrtuar?

18 Çfarë kemi shqyrtuar? Për ata që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë, ilustrimi për delet e cjeptë thekson sa rëndësi ka të vazhdojnë të tregojnë besim dhe besnikëri ndaj Jehovait—tani dhe gjatë shtrëngimit të madh që presim. Kur të vijë ajo kohë, Jezui do t’i konsiderojë të denjë besnikët që të marrin «jetën e përhershme».—Mat. 25:46.

19 Shqyrtuam edhe dy ilustrime që përmbajnë paralajmërime për të mirosurit. Në ilustrimin e Jezuit për virgjëreshat e mençura dhe mendjelehta, pesë virgjëreshat e mençura ishin të përgatitura dhe vigjilente, gati ta pritnin dhëndrin për sa kohë të ishte e nevojshme. Kurse virgjëreshat mendjelehta ishin të papërgatitura. Si pasojë, dhëndri nuk i pranoi në dasmë. Edhe ne duhet të jemi të përgatitur për të pritur sado kohë të jetë e nevojshme, derisa Jezui t’i japë fund këtij sistemi. Veç kësaj, në ilustrimin për talentat folëm për shembullin e dy skllevërve besnikë që ishin të papërtuar dhe të zellshëm. Ata punuan pa u lodhur për zotërinë dhe fituan miratimin e tij. Kurse skllavi përtac nuk e fitoi miratimin e zotërisë dhe e flakën tej. Mësimi? Duhet ta mbajmë ndezur deri në fund zellin në shërbim të Jehovait. E në përfundim pamë se të mirosurit duhet të qëndrojnë syçelë, që Jezui ‘t’i marrë’ për të gëzuar shpërblimin qiellor. Ata presin me zjarr ‘të mblidhen bashkë’ me Jezuin në qiell. Pas luftës së Armagedonit, ata do të jenë në martesën e Qengjit, Jezuit, si nusja e tij.—2 Sel. 2:1; Zbul. 19:7, 9.

20. Ç’do të bëjë Jehovai për ata që ua vënë veshin paralajmërimeve të tij?

20 Ndonëse gjykimi po afrohet me shpejtësi, s’ka pse të na mbërthejë frika. Po të qëndrojmë besnikë, Ati ynë i dashur qiellor do të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, në mënyrë që ‘t’ia dalim mbanë të qëndrojmë para Birit të njeriut’. (2 Kor. 4:7; Luka 21:36) Pavarësisht nëse shpresojmë të jetojmë në qiell apo në tokë, do ta kënaqim Atin tonë nëse ua vëmë veshin paralajmërimeve të ilustrimeve të Jezuit. E falë mirësisë së pamerituar të Jehovait, do ta kemi «emrin të shkruar» në librin e jetës.—Dan. 12:1; Zbul. 3:5.

KËNGA 26 E keni bërë për mua

a Shih artikullin «Çfarë dimë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai njerëzit së shpejti?» në Kullën e Rojës të majit 2024.

b Për më shumë informacion, shih artikullin «A do të qëndroni ‘vigjilentë’?» në Kullën e Rojës të 15 marsit 2015.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kopertina: Një motër e mirosur studion Biblën me një grua që ka takuar në shërbim.