Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 36

KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi

‘Bëhu zbatues i fjalës’

‘Bëhu zbatues i fjalës’

«Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.»JAK. 1:22.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ky artikull do të na shtojë dëshirën që jo vetëm ta lexojmë Fjalën e Perëndisë përditë, por edhe ta bluajmë në mendje e ta zbatojmë më plotësisht.

1-2. Pse janë të lumtur adhuruesit e Perëndisë? (Jakovi 1:22-25)

 JEHOVAI dhe Biri i tij i dashur dëshirojnë të jemi të lumtur. Shkrimtari i Psalmit 119:2 thotë: «Lum ata që ua vënë veshin përkujtuesve të tij dhe e kërkojnë me gjithë zemër!» Edhe Jezui na siguroi më tej, kur tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»Luka 11:28.

2 Si adhurues të Jehovait, jemi një popull i lumtur. Pse? Ka arsye të panumërta, por një arsye e rëndësishme është se lexojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe bëjmë çmos ta zbatojmë atë që mësojmë.—Lexo Jakovin 1:22-25.

3. Si nxjerrim dobi kur e zbatojmë atë që lexojmë në Fjalën e Perëndisë?

3 Korrim mjaft dobi kur bëhemi «zbatues të fjalës». Në radhë të parë e dimë se kjo është jetësore për t’i kënaqur zemrën Jehovait. E kur kënaqim Jehovain, lumturohemi edhe vetë. (Ekl. 12:13) Teksa e vëmë në jetë atë që lexojmë në Fjalën e Perëndisë, kemi familje më të lumtur dhe miqësi më të forta me vëllezërit e motrat. Ka shumë të ngjarë t’i kesh shijuar vetë këto dobi. Veç kësaj, shmangim shumë nga telashet ku futen njerëzit që nuk i binden Jehovait. Bashkohemi plotësisht me fjalët e mbretit David, i cili pasi përmendi në këngë ligjin, urdhrat dhe vendimet e Jehovait, tha për to: ‘Të shpërblejnë shumë kur ua vë veshin.’—Psal. 19:7-11.

4. Pse mund të jetë sfidë ta lexojmë e ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë?

4 Për të qenë realistë, nuk është gjithnjë kollaj ta lexojmë e ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë. Por, me gjithë jetën e ngarkuar, duhet të gjejmë kohë për ta lexuar dhe për ta studiuar Biblën, që të kuptojmë çfarë dëshiron Jehovai nga ne. Ndaj le të shohim disa sugjerime që mund të na ndihmojnë t’i lexojmë rregullisht Shkrimet. Gjithashtu do të shohim ç’do të na ndihmojë ta bluajmë në mendje atë që lexojmë dhe në cilat mënyra mund ta zbatojmë në jetën tonë.

LËR KOHË PËR TA LEXUAR FJALËN E PERËNDISË

5. Cilat përgjegjësi na zënë shumë kohë?

5 Shumica e shërbëtorëve të Jehovait janë goxha të zënë. Ne shpenzojmë shumë kohë që të përmbushim përgjegjësitë që kemi sipas Shkrimeve. Për shembull, shumica prej nesh punojnë që të mbajnë veten dhe familjen. (1 Tim. 5:8) Mjaft vëllezër e motra kujdesen për të afërmit e sëmurë ose të moshuar. E të gjithëve na duhet të kujdesemi për shëndetin tonë, çka kërkon kohën e vet. Përveç këtyre përgjegjësive, kemi edhe caktime në kongregacion. Një përgjegjësi e rëndësishme është pjesëmarrja me zell në veprën e predikimit. Me tërë këto detyrime, si mund të gjesh kohë që ta lexosh Biblën rregullisht, të meditosh për atë që lexon dhe ta zbatosh?

6. Si mund t’i japësh përparësi leximit të Biblës? (Shihni edhe figurën.)

6 Leximi i Biblës është një nga «gjërat më të rëndësishme» për adhuruesit e Perëndisë, ndaj duhet t’i japim përparësi. (Filip. 1:10) Psalmi i parë thotë se një njeri i lumtur «gjen ëndje në ligjin e Jehovait dhe e lexon nën zë ditë e natë». (Psal. 1:1, 2) Natyrisht, kjo do të thotë se duhet të programojmë kohë për të lexuar Biblën. Kur është koha më e mirë për ta lexuar? Secili nga ne mund të përgjigjet ndryshe. Gjithsesi, e thënë thjesht, koha më e mirë është ajo kur mund ta lexosh Biblën rregullisht. Një vëlla që quhet Viktor, thotë: «Kam qejf ta lexoj Biblën në mëngjes. Ndonëse s’më pëlqen të zgjohem herët, mëngjesi është koha kur ka më pak shpërqendrime. Mendjen e kam të kthjellët dhe arrij të përqendrohem më mirë.» A mund të jetë kështu edhe për ty? Pyet veten: «Kur është koha më e mirë për mua që ta lexoj Biblën?»

Kur është koha më e mirë për ty që ta lexosh Biblën rregullisht? (Shih paragrafin 6)


BLUAJE NË MENDJE ATË QË LEXON

7-8. Ç’mund të na pengojë të nxjerrim dobi plotësisht nga leximi i Biblës? Ilustrojeni.

7 Mbase e kemi zakon të lexojmë shumë material pa e përvetësuar vërtet. A të ka ndodhur të lexosh diçka e pastaj të mos mbash mend thuajse asgjë? Të gjithëve na ka rastisur. Mjerisht kjo mund të ndodhë edhe kur lexojmë Biblën. Ndoshta vëmë si synim të lexojmë çdo ditë një numër të caktuar kapitujsh. Shkëlqyer! Duhet të vëmë synime dhe të bëjmë çmos t’i arrijmë. (1 Kor. 9:26) Megjithatë leximi i Biblës është thjesht pikënisja—një fillim i mbarë, por vetëm fillimi. Për të nxjerrë dobi plotësisht nga leximi i Fjalës së Perëndisë, duhet diçka më shumë.

8 Mendo për këtë krahasim: uji i shiut është i domosdoshëm për jetën. Por kur bie një rrebesh brenda një kohe të shkurtër, toka mund të tejngopet me ujë. Në raste të tilla, nuk ka asnjë vlerë po të bjerë prapë shi. Toka ka nevojë për kohë që ta thithë ujin, e kështu të nxjerrin dobi bimët. Po njësoj, nuk duhet ta lexojmë Biblën me ngut, pra aq shpejt sa të mos arrijmë ta përvetësojmë, ta kujtojmë dhe ta përdorim atë që lexojmë.—Jak. 1:24.

Ashtu siç i duhet kohë tokës që ta thithë e ta përdorë ujin e shiut, neve na duhet kohë që ta bluajmë në mendje e ta zbatojmë atë që lexojmë në Fjalën e Perëndisë (Shih paragrafin 8)


9. Ç’duhet të bëjmë nëse e kemi zakon ta lexojmë Biblën shpejt e shpejt?

9 A të ndodh ndonjëherë ta lexosh Biblën shpejt e shpejt? Ç’të bësh në raste të tilla? Merre më shtruar. Përpiqu të mendosh për atë që po lexon ose që sapo lexove. Mos e shih meditimin rreth Shkrimeve si një punë kolosale. Nëse të tremb nxitja për të medituar, shihe thjesht si një nxitje që ta mendosh atë që po lexon. Mund të vendosësh ta shtosh kohën e studimit që të kesh mundësi edhe të meditosh. Ose mund të zgjedhësh të lexosh më pak vargje dhe ta përdorësh kohën tjetër për ta bluar në mendje atë që lexove. Viktori, i përmendur më sipër, thotë: «Lexoj pak vargje nga Bibla, ndoshta vetëm një kapitull. Meqë lexoj herët në mëngjes, kam mundësi të reflektoj gjatë gjithë ditës për ato vargje.» Çfarëdo metode të përdorësh, rëndësi ka të lexosh me një ritëm që të jep mundësi ta bluash në mendje atë që lexove.—Psal. 119:97; shih kutinë « Pyetje për t’i menduar».

10. Jep një shembull si mund ta zbatosh atë që mëson. (1 Selanikasve 5:17, 18)

10 Pavarësisht se kur e bën leximin e Biblës ose sa kohë i kushton, sigurohu ta zbatosh atë që lexon. Ndërsa lexon një pjesë nga Fjala e Perëndisë, pyet veten: «Si mund ta zbatoj këtë informacion tani ose në të ardhmen e afërt?» Për ta ilustruar, ta zëmë se gjatë leximit të Biblës arrin te 1 Selanikasve 5:17, 18. (Lexoje.) Pasi i lexon këto dy vargje, mund të ndalesh e të mendosh sa të shpeshta e sa të thella janë lutjet e tua. Gjithashtu mund të reflektosh për ato gjëra që të mbushin me mirënjohje. Ndoshta vendos ta falënderosh Jehovain për tri gjëra specifike. Një meditim i tillë, qoftë edhe për pak minuta, do të të ndihmojë të jesh dëgjues dhe zbatues i Fjalës së Perëndisë. Imagjino sa dobi do të nxjerrësh nëse e bën këtë çdo ditë ndërsa lexon Biblën! Me kohë, do ta zbatosh gjithnjë e më plotësisht Fjalën e Perëndisë. Po nëse të duket sikur s’kanë fund pikat ku duhet të punosh?

VËR SYNIME TË ARSYESHME

11. Pse mund të shkurajohemi hera-herës? Jepni një shembull.

11 Kur lexon Biblën dhe përpiqesh të gjesh mënyra si ta zbatosh, hera-herës mund të shkurajohesh. Të marrim një shembull: imagjino sikur një ditë gjatë leximit të Biblës has këshillën për të mos mbajtur me hatër. (Jak. 2:1-8) Kupton se ka vend për ta përmirësuar mënyrën si i trajton të tjerët dhe vendos të bësh disa ndryshime. Fantastike! Të nesërmen lexon një fragment që thekson sa rëndësi ka ta mbash nën fre gjuhën. (Jak. 3:1-12) Bëhesh i vetëdijshëm se nganjëherë mënyra si flet është disi negative. Prandaj vendos se do të përpiqesh të jesh më pozitiv dhe inkurajues. Ditën tjetër në leximin e Biblës ndesh paralajmërimin që të mos bëhesh mik i botës. (Jak. 4:4-12) Kupton se duhet të jesh më i kujdesshëm kur zgjedh aktivitetet e kohës së lirë. Ditën e katërt mbase të duken si një mal i madh tërë këto ndryshime që duhet të bësh.

12. Pse nuk duhet të shkurajohesh nëse nga leximi i Biblës kupton se duhet të bësh ndryshime? (Shihni edhe shënimin.)

12 Nëse të duhet të bësh disa ndryshime a përmirësime, mos u shkurajo. Kjo tregon se ke një zemër të përulur, me motive të mira. Një njeri që është i përulur dhe i sinqertë me veten, i lexon Shkrimet me synimin që të dallojë ku duhet të përmirësohet. a Mos harro se të veshësh «personalitetin e ri» është një proces i vazhdueshëm. (Kolos. 3:10) Ç’do të të ndihmojë të vazhdosh ta zbatosh Fjalën e Perëndisë?

13. Si mund të tregohesh modest kur vë synime? (Shihni edhe figurën.)

13 Në vend që të përpiqesh të zbatosh njëherazi gjithçka që lexon, tregohu modest duke vënë një numër të arsyeshëm synimesh. (Prov. 11:2) Provo këtë: bëj një listë të pikave ku duhet të punosh dhe zgjidh si fillim një ose dy prej tyre, kurse me të tjerat puno më vonë. Por nga t’ia nisësh?

Në vend që të përpiqesh të zbatosh njëherazi gjithçka që lexon në Bibël, pse të mos tregohesh modest kur vë synime? Ndoshta mund të përqendrohesh vetëm në një a dy pika (Shih paragrafët 13-14)


14. Cilat synime mund të zgjedhësh në fillim?

14 Mund të vendosësh t’ia nisësh me një synim që e ke më kollaj ta arrish. Ose mund të zgjedhësh të punosh në një aspekt ku mendon se ke më shumë nevojë për përmirësim. Pasi ta kesh zgjedhur synimin, bëj kërkime në botimet tona, mbase duke përdorur Treguesin e Botimeve Watch Tower ose Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Lutu për synimin tënd dhe kërkoji Jehovait të të japë ‘si dëshirën, edhe fuqinë që të veprosh’. (Filip. 2:13) Pastaj vëre në praktikë atë që mësove. Kur të kesh bërë përparim në synimin e parë, ka shumë gjasa të ndihesh më i motivuar të punosh me një tjetër. Në fakt, kur përmirëson një cilësi të krishterë ose ndryshon diçka në jetë, shpesh e ke më të lehtë të bësh edhe ndryshime të tjera.

LEJOJE FJALËN E PERËNDISË ‘TË VEPROJË TE TI’

15. Si ndryshojnë shërbëtorët e Jehovait nga shumë lexues të tjerë të Biblës? (1 Selanikasve 2:13)

15 Disa thonë se e kanë lexuar Biblën me dhjetëra herë. Por, a i besojnë vërtet mësimet e saj? A e zbatojnë Biblën ose a e lejojnë të ndikojë në jetën e tyre? Mjerisht, përgjigjja shpesh është «jo». Krejt ndryshe ndodh me shërbëtorët e Jehovait. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ne e pranojmë Biblën «siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë». Jo vetëm kaq, por përpiqemi me mish e me shpirt të tregojmë se po vepron brenda nesh.—Lexo 1 Selanikasve 2:13.

16. Ç’mund të na ndihmojë të bëhemi zbatues të Fjalës?

16 S’është gjithnjë e lehtë ta lexojmë dhe ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë. Ndoshta e kemi të vështirë të gjejmë kohë për ta lexuar. Ose mund ta kemi zakon ta lexojmë me vrap e të përvetësojmë fare pak nga ajo që lexojmë. A mbase na lëshon zemra kur shohim sa shumë ndryshime kemi nevojë të bëjmë. Cilado qoftë sfida jote, nuk është e pakapërcyeshme. Me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalësh mbanë! Le të jemi të vendosur ta pranojmë ndihmën e tij dhe të bëhemi zbatues të Fjalës, jo dëgjues harraqë! S’kemi fije dyshimi se sa më shumë ta lexojmë e ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë, aq më të lumtur do të jemi.—Jak. 1:25.

KËNGA 94 Thellësisht mirënjohës për Fjalën tënde