A e dini?
Si e mbështet një mbishkrim i lashtë atë që thotë Bibla?
NË MUZEUN e Vendeve të Biblës në Jerusalem, mund të shohësh një bllok guri që ka një mbishkrim të bërë rreth viteve 700-600 p.e.s. Guri u gjet në një shpellë varrimi jo larg Hebronit, në Izrael. Mbishkrimi thotë: «Mallkuar qoftë Hagafi, biri i Hagavit, nga Jahve Sabaoti!» Si e mbështet ky mbishkrim atë që thotë Bibla? Ai tregon se emri i Perëndisë, Jehova ose Jahve, që në hebraishten e lashtë shkruhej JHVH, njihej gjerësisht në kohët kur u shkrua Bibla dhe përdorej në jetën përditshme. Nëpër shpella varrimi janë zbuluar edhe mbishkrime të tjera të bëra nga njerëzit që mblidheshin ose fshiheshin në to. Ata shkruanin shpesh në mure emrin e Perëndisë dhe emra individësh që përmbanin ndonjë formë të emrit hyjnor.
Dr. Rejçëll Nabulsi, nga Universiteti i Xhorxhias, tha për këto mbishkrime: «Është domethënëse që emri JHVH përdorej dendur. . . . Vargjet [e Biblës] dhe mbishkrimet tregojnë çfarë vendi të rëndësishëm zinte JHVH në jetën e Izraelit dhe të Judës.» Ky fakt mbështet Biblën, pasi aty emri i Perëndisë—që në hebraisht shkruhej JHVH—del me mijëra herë. Veç kësaj, shumë emra njerëzish e kishin pjesë të tyre emrin hyjnor.
Fjalët «Jahve Sabaot», që janë skalitur në bllokun e gurit, do të thonë «Jehovai i ushtrive». Pra, me sa duket, në kohët kur u shkrua Bibla përdorej gjerësisht qoftë emri i Perëndisë, qoftë shprehja «Jehovai i ushtrive». Edhe kjo mbështet Biblën, pasi shprehja «Jehovai i ushtrive» del mbi 250 herë në Shkrimet Hebraike, kryesisht në librin e Isaisë, të Jeremisë dhe të Zakarisë.