Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 28

Mos ngjall konkurrencë—Nxit paqen

Mos ngjall konkurrencë—Nxit paqen

«Të mos jemi egoistë, të mos ngjallim konkurrencë mes nesh e të mos kemi zili njëri-tjetrin.»—GAL. 5:26.

KËNGA 101 Shërbejmë në unitet

PËRMBLEDHJE *

1. Ç’mund të ndodhë kur disa kanë frymën e konkurrencës?

NË BOTËN e sotme, shumë njerëz motivohen nga fryma e konkurrencës dhe tregohen egoistë. Një biznesmen mund të përdorë taktika të pamëshirshme kundër konkurrentëve të tij që të çajë përpara. Një sportist mund ta dëmtojë me dashje lojtarin e skuadrës kundërshtare që të fitojë lojën. Një nxënës mund të kopjojë në provime me qëllim që të hyjë në një universitet prestigjoz. Si adhurues të Jehovait, e dimë se sjellja të tilla janë të gabuara; janë ‘vepra të trupit mëkatar’. (Gal. 5:19-21) Por, mos ndoshta edhe disa shërbëtorë të Jehovait ngjallin konkurrencë në kongregacion pa e kuptuar? Kjo është një pyetje që duhet t’i kushtojmë rëndësi, sepse fryma e konkurrencës mund të dobësojë unitetin në familjen e Jehovait.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Në këtë artikull do të ndalemi te disa cilësi negative që mund të na shtyjnë të ngjallim konkurrencë mes vëllezërve. Do të shqyrtojmë edhe shembullin e disa shërbëtorëve besnikë të Jehovait të përmendur në Bibël që nuk ushqyen frymën e konkurrencës. Por së pari të shohim si mund të analizojmë motivet tona.

ANALIZO MOTIVET E TUA

3. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

3 Është e mençur që herë pas here të analizojmë motivet tona. Mund të pyesim veten: «A e mat vlerën time duke u krahasuar me të tjerët? A motivohem nga dëshira që të shkëlqej mbi të gjithë apo të paktën që të jem më i mirë se një vëlla a motër? Apo punoj me mish e me shpirt thjesht ngaqë dua të kënaq Jehovain?» Pse duhet t’ia bëjmë këto pyetje vetes?

4. Pse nuk duhet të krahasohemi me të tjerët, siç thotë Galatasve 6:3, 4?

4 Bibla na nxit të mos krahasohemi me të tjerët. (Lexo Galatasve 6:3, 4.) Pse? Nga njëra anë, nëse mendojmë se jemi më të mirë se një vëlla a motër, mund të bëhemi krenarë. Nga ana tjetër, nëse s’na duket vetja aq të zotë në krahasim me të tjerët, ka shumë mundësi të shkurajohemi. Në të dyja rastet nuk do të mendojmë me kthjelltësi. (Rom. 12:3) Një motër që quhet Katerina * dhe që jeton në Greqi, thotë: «Kisha prirjen të krahasohesha me ato motra që më dukeshin më të bukura, më të afta në shërbim dhe më të shkathëta për të zënë miq. Si pasojë, më dukej vetja kot fare.» Të mos harrojmë se Jehovai na tërhoqi drejt vetes jo ngaqë jemi të bukur, njerëz të gojës ose të pëlqyer në shoqëri, por ngaqë e kemi zemrën të butë e të hapur për ta dashur atë dhe për t’iu bindur Birit të tij.—Gjoni 6:44; 1 Kor. 1:26-31.

5. Çfarë mëson nga mënyra si veproi një vëlla që quhet Hjun?

5 Një pyetje tjetër që mund t’i bëjmë vetes është: «A njihem si paqebërës apo shpesh kam mosmarrëveshje me të tjerët?» Të shohim ç’ndodhi me një vëlla që quhet Hjun e që jeton në Korenë e Jugut. Më parë, ndërsa shërbente si plak, i shihte si rivalë disa nga ata që kishin përgjegjësi në kongregacion. Ai thotë: «Kisha qëndrim kritik ndaj atyre vëllezërve. Shpesh nuk isha dakord me atë që thoshin dhe kisha fërkime me ta.» Cila ishte pasoja? «Qëndrimi im shkaktoi përçarje në kongregacion»,—thotë Hjuni. Disa miq e ndihmuan ta pranonte problemin që kishte. Ai bëri ndryshimet e nevojshme dhe sot është një plak shumë i mirë. Nëse kuptojmë se kemi prirjen për të ngjallur konkurrencë e jo për të nxitur paqen, duhet të veprojmë pa vonesë.

MOS USHQE EGOIZMIN DHE ZILINË

6. Sipas Galatasve 5:26, cilat cilësi të shëmtuara ushqejnë frymën e konkurrencës?

6 Lexo Galatasve 5:26. Cilat cilësi të shëmtuara mund të jenë në rrënjë të frymës së konkurrencës? Një cilësi është egoizmi. Njeriu egoist është krenar dhe i përqendruar te vetja. Një cilësi tjetër e keqe është zilia. Njeriu ziliqar jo vetëm dëshiron të ketë atë që ka tjetri, por edhe dëshiron t’ia zhvatë. Në thelb zilia është një lloj urrejtjeje. Duam t’i shmangim këto cilësi të këqija siç do të shmangnim një murtajë!

7. Cili ilustrim tregon çfarë dëmi shkaktojnë egoizmi dhe zilia?

7 Këto cilësi negative, egoizmi dhe zilia, mund të krahasohen me papastërtitë që futen në karburantin e një avioni. Avioni mbase arrin të ngrihet në ajër, por papastërtitë do të bllokojnë tubat e karburantit. Si pasojë, motorët do të humbasin fuqinë pak para uljes dhe avioni do të përplaset. Po njësoj, dikush mund t’i shërbejë Jehovait për njëfarë kohe. Ama, nëse vepron i shtyrë nga egoizmi dhe zilia, ‘do të rrëzohet’. (Prov. 16:18) Nuk do t’i shërbejë më Jehovait dhe do të lëndojë veten e të tjerët. Po çfarë të bëjmë që të mos i ushqejmë egoizmin dhe zilinë?

8. Si mund ta luftojmë egoizmin?

8 Mund ta luftojmë egoizmin duke zbatuar këshillën që u dha apostulli Pavël filipianëve: «Mos bëni asgjë nga fryma e kundërshtimit a nga egoizmi, por me përulësi konsiderojini të tjerët më të lartë se veten.» (Filip. 2:3) Nëse i konsiderojmë të tjerët më të lartë se veten, nuk do të konkurrojmë me ata që mund të jenë më të talentuar ose më të aftë. Përkundrazi, do të jemi të lumtur për ta, sidomos nëse po i përdorin aftësitë për t’i dhënë lavdi Jehovait. E nëse një vëlla a motër që ka shumë aftësi zbaton këshillën e Pavlit, do të përqendrohet te cilësitë tona të mira. Si rezultat, të gjithë do të nxitim paqen dhe unitetin në kongregacion.

9. Si mund ta luftojmë prirjen për të pasur zili?

9 Mund ta luftojmë prirjen për të pasur zili duke zhvilluar modestinë, pra duke mbajtur parasysh kufizimet tona. Nëse jemi modestë, nuk do të përpiqemi të tregojmë se jemi më të talentuar ose më të aftë nga të gjithë. Përkundrazi, do të përpiqemi të mësojmë nga ata që janë më të aftë se ne. Për shembull, nëse një vëlla në kongregacion është orator i shkëlqyer, mund ta pyesim si përgatitet për fjalimet. Nëse një motër është kuzhiniere e zonja, mund t’i kërkojmë ndonjë sugjerim si të gatuajmë më mirë. E një motër a vëlla i ri që e ka të vështirë të zërë miq, mund t’i kërkojë këshilla dikujt që zë miq kollaj. Duke vepruar kështu, nuk do të biem pre e zilisë dhe do të përmirësojmë aftësitë tona.

MËSO NGA PERSONAZHET E BIBLËS

Ngaqë ishte i përulur, Gideoni ruajti paqen me efraimitët (Shih paragrafët 10-12)

10. Në çfarë situate të vështirë u gjend Gideoni?

10 Mendo për incidentin mes Gideonit, që ishte nga fisi i Manaseut, dhe burrave të fisit të Efraimit. Falë mbështetjes së Jehovait, Gideoni dhe 300 luftëtarët e tij kishin korrur një fitore të bujshme dhe mund të ishin mbajtur me të madh për këtë. Burrat e Efraimit shkuan ta takonin Gideonin, jo për ta lavdëruar, por për ta sulmuar me fjalë. Me sa duket ishin lënduar në sedër, sepse ai nuk i kishte thirrur që në fillim të luftonin së bashku kundër armiqve të Perëndisë. Meraku kryesor i efraimitëve ishte të nderohej fisi i tyre, prandaj nuk arrinin të shihnin tablonë e plotë—Gideoni kishte nderuar emrin e Jehovait dhe kishte mbrojtur popullin e Tij.—Gjyk. 8:1.

11. Çfarë u tha Gideoni burrave të Efraimit?

11 Me përulësi, Gideoni u tha burrave të Efraimit: «Po çfarë kam bërë unë në krahasim me ju?» Pastaj u solli një shembull konkret se si i kishte bekuar Jehovai. Pas atyre fjalëve, «ata u qetësuan». (Gjyk. 8:2, 3) Gideoni ishte i gatshëm të gëlltiste krenarinë e vet që të ruante paqen mes popullit të Perëndisë.

12. Çfarë mësojmë nga shembulli i efraimitëve dhe i Gideonit?

12 Çfarë mund të mësojmë nga kjo ngjarje? Shembulli i efraimitëve na mëson se meraku ynë kryesor nuk duhet të jetë të marrim nderim për vete, por të nderojmë Jehovain. Si kryefamiljarë dhe pleq, mund të nxjerrim një mësim nga Gideoni. Nëse dikush është lënduar nga diçka që bëmë, duhet të përpiqemi t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij. Veç kësaj, mund ta lavdërojmë për gjërat e mira që ka bërë. Kjo kërkon të jemi të përulur, sidomos nëse tjetri e ka gabim. Paqja me vëllanë a motrën është më e rëndësishme sesa të provojmë që kemi të drejtë.

Ngaqë kishte besim se Jehovai do ta ndihmonte në sprovë, Hana rifitoi paqen e brendshme (Shih paragrafët 13-14)

13. Çfarë sprove kaloi Hana, dhe si e përballoi?

13 Mendo edhe për shembullin e Hanës. Ajo ishte martuar me një levit që quhej Elkanah, i cili e donte shumë. Por Elkanahu kishte edhe një grua tjetër, Peninën. E ndonëse Elkanahu e donte Hanën më shumë, «Penina kishte fëmijë, kurse Hana nuk kishte». Prandaj Penina «e tallte pa pushim» dhe e lëndonte. Shkrimet thonë se Hana «qante e nuk hante». (1 Sam. 1:2, 6, 7) Mirëpo askund në Bibël nuk lexojmë se Hana u përpoq të hakmerrej ndaj Peninës në ndonjë mënyrë. Në vend të kësaj, ia zbrazi zemrën Jehovait dhe kishte besim se Ai do ta ndihmonte ta përballonte sprovën. A ndryshoi qëndrimi i Peninës ndaj Hanës? Bibla nuk thotë gjë për këtë. Gjithsesi, Hana «nuk dukej më e dëshpëruar». (1 Sam. 1:10, 18) Pra, ajo e rifitoi paqen e brendshme dhe nuk e humbi më.

14. Çfarë mësojmë nga shembulli i Hanës?

14 Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Hanës? Nëse dikush përpiqet të konkurrojë me ty në ndonjë mënyrë, mos harro se ti ke në dorë si do të reagosh. Nuk ka pse të përpiqesh të dukesh më i mirë se ai. Në vend që t’ia kthesh me të njëjtën monedhë, përpiqu të bësh paqe me të. (Rom. 12:17-21) Edhe nëse nuk reagon ndaj përpjekjeve të tua, do të ruash paqen e brendshme.

Ngaqë e kuptonin se punën e tyre e bekonte Jehovai, Apoli dhe Pavli nuk e shihnin njëri-tjetrin si rivalë (Shih paragrafët 15-18)

15. Çfarë gjërash të përbashkëta kishin Apoli dhe Pavli?

15 Në fund të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembulli i dishepullit Apol dhe i apostullit Pavël. Të dy i njihnin në majë të gishtave Shkrimet. Të dy ishin vëllezër të mirënjohur dhe mësues të shkëlqyer. E të dy kishin ndihmuar shumë veta të bëheshin dishepuj. Por asnjë prej tyre nuk e shihte tjetrin si rival.

16. Çfarë aftësish dhe cilësish kishte Apoli?

16 Apoli kishte «lindur në Aleksandri», një qytet që në shekullin e parë ishte vatër e dijes. Ai ishte «gojëtar» dhe «njohës i mirë i Shkrimeve». (Vep. 18:24) Kur shërbente në Korint, disa pjesëtarë të kongregacionit e shprehën hapur se Apoli ishte i preferuari i tyre në krahasim me vëllezërit e tjerë, përfshirë edhe Pavlin. (1 Kor. 1:12, 13) A e ushqeu Apoli këtë frymë përçarëse? As e përfytyrojmë dot që të ketë vepruar ashtu. Në fakt, ca kohë pasi Apoli u largua nga Korinti, Pavli iu lut që të kthehej atje. (1 Kor. 16:12) Po të kishte menduar se ai po përçante kongregacionin, Pavli nuk do t’i ishte lutur kurrsesi të shkonte në Korint. S’ka dyshim se Apoli i përdori për mirë aftësitë që kishte—për të predikuar lajmin e mirë dhe për t’u dhënë forcë vëllezërve. Mund të jemi të sigurt edhe se ai ishte i përulur. Për shembull, Bibla nuk thotë se Apoli u ofendua kur Akuila dhe Prishila «i shpjeguan më saktë udhën e Perëndisë».—Vep. 18:24-28.

17. Si nxiti paqen mes vëllezërve Pavli?

17 Apostulli Pavël i njihte arritjet e Apolit në shërbim dhe punën e tij të shkëlqyer. Por nuk ndihej i kërcënuar nga aftësitë e Apolit. Pavli ishte i përulur, modest dhe i arsyeshëm e kjo duket qartë te këshilla që i dha kongregacionit të Korintit. Ndonëse disa thoshin «unë i përkas Pavlit», atij nuk i përkëdhelej sedra nga kjo. Përkundrazi, e largoi vëmendjen nga vetja e ia dha gjithë meritat Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit.—1 Kor. 3:3-6.

18. Në harmoni me 1 Korintasve 4:6, 7, çfarë mësojmë nga shembulli i Apolit dhe i Pavlit?

18 Çfarë mësojmë nga shembulli i Apolit dhe i Pavlit? Mund të shërbejmë pa u lodhur për Jehovain dhe mund të ndihmojmë shumë veta të përparojnë drejt pagëzimit. Por nuk harrojmë se çdo sukses vjen vetëm falë bekimit të Jehovait. Nga shembulli i Apolit dhe i Pavlit nxjerrim edhe një mësim tjetër—sa më shumë përgjegjësi të kemi në organizatën e Jehovait, aq më shumë mundësi kemi të nxitim paqen. Sa mirënjohës ndihemi kur vëllezërit e emëruar nxitin paqen dhe unitetin! E bëjnë këtë kur i bazojnë këshillat e tyre në Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu nuk përpiqen të spikatin vetë, por na e drejtojnë vëmendjen te shembulli ynë, Krishti Jezu.—Lexo 1 Korintasve 4:6, 7.

19. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh? (Shih edhe kutinë « Mos ngjall konkurrencë».)

19 Secili prej nesh ka talente ose aftësi që ia ka dhuruar Perëndia. Mund t’i përdorim këto dhurata ‘që t’i shërbejmë njëri-tjetrit’. (1 Pjet. 4:10) Mbase na duket se ajo që bëjmë është gjë e vogël. Mirëpo, gjërat e vogla që nxitin unitetin, janë si tegelat e vegjël që bashkojnë disa copa për të formuar një veshje të vetme. Le të përpiqemi fort që të fshijmë nga zemra çdo gjurmë të frymës së konkurrencës. E le të punojmë pa u kursyer që të nxitim paqen dhe unitetin në kongregacion.—Efes. 4:3.

KËNGA 80 ‘Shijojeni vetë sa i mirë është Jehovai’

^ par. 5 Ashtu si një enë balte mund të thyhet kollaj nëse është e krisur, edhe një kongregacion mund të përçahet kollaj nëse disa kanë frymë konkurrence. Nëse kongregacioni nuk është i fortë dhe i bashkuar, s’ka si të jetë një ambient paqësor ku të adhurojmë Perëndinë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse nuk duhet të zhvillojmë një frymë konkurrence dhe çfarë mund të bëjmë që të nxitim paqen në kongregacion.

^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.