Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Si duhet ta shohin Dëshmitarët e Jehovait përdorimin e siteve për të gjetur bashkëshort?

Jehovai pa dyshim dëshiron që burri e gruaja të jenë të lumtur në martesë dhe të kenë një lidhje të ngushtë e jetëgjatë. (Mat. 19:4-6) Po si mund të gjesh një bashkëshort të mirë, nëse dëshiron të martohesh? Si Krijuesi ynë, Jehovai e di ç’duhet të bësh që të kesh sukses qoftë kur njihesh me dikë, qoftë gjatë martesës. Prandaj, nëse zbaton parimet që na jep në Fjalën e tij, do të jesh vërtet i lumtur. Ja disa nga këto parime:

Së pari, duhet të mbajmë parasysh këtë fakt: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jer. 17:9) Dy veta që dëshirojnë të martohen dhe fillojnë të njihen, mund të zhvillojnë shpejt ndjenja të forta për njëri-tjetrin. Kjo mund t’ua mjegullojë gjykimin e shëndoshë. E kur njerëzit e bazojnë vendimin për t’u martuar kryesisht te ndjenjat, shpesh përfundojnë me zemër të copëtuar. (Prov. 28:26) Ja pse nuk është e mençur që dy veta të shprehin ndjenja të thella që në fillim të lidhjes ose të bëjnë premtime para se ta njohin vërtet njëri-tjetrin.

Proverbat 22:3 thotë: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.» Çfarë rreziqesh mund të vijnë nga përdorimi i siteve për të gjetur bashkëshort? Mjerisht, disa i kanë provuar në kurriz pasojat, kur të panjohurit me të cilët po shoqëroheshin online, i kanë mashtruar dhe u kanë hapur plagë emocionale. Veç kësaj, persona të pandershëm krijojnë llogari fallso, për të gënjyer njerëzit naivë dhe për t’u zhvatur paratë. Në disa raste, ata që fshiheshin pas këtyre mashtrimeve mizore, pohonin se ishin Dëshmitarë.

Mendo për një rrezik tjetër. Disa nga këto site përdorin algoritmet, ose llogaritjet matematikore, për të përcaktuar nëse dy vetave u përputhen personalitetet. Gjithsesi nuk ka asnjë provë se metoda të tilla funksionojnë. A është e mençur t’i besosh një formule të sajuar nga njerëzit, për të vendosur diçka kaq të rëndësishme sa zgjedhja e një bashkëshorti të mirë? Formulat matematikore nuk mund të jenë kurrë aq të besueshme sa parimet e Biblës.—Prov. 1:7; 3:5-7.

Një parim që gjendet te Proverbat 14:15 thotë: «Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.» Para se të vendosësh nëse dikush do të jetë bashkëshorti i duhur për ty, duhet ta njohësh mirë. Por, komunikimi online mund ta bëjë të vështirë këtë. Edhe nëse i shihni profilet e njëri-tjetrit dhe kaloni goxha kohë duke këmbyer mesazhe, a mund të thuash se e njeh vërtet atë person? Disa që mendonin se kishin gjetur dashurinë e vërtetë, pësuan një goditje të hidhur nga ajo që zbuluan kur u takuan ballë për ballë.

Psalmisti tha: «Nuk rri me mashtruesit dhe nuk përzihem me njerëzit që e fshehin se ç’janë.» (Psal. 26:4, shën.) Për shumë njerëz është normale të gënjejnë në profilin për lidhjet online, që të duken më tërheqës. Ata mund ta fshehin si janë vërtet. Ose ndoshta cilësitë e tyre të këqija nuk bien në sy kur komunikoni me mesazhe. E ndonëse dikush mund të thotë se është Dëshmitar i Jehovait, a është vërtet Dëshmitar i pagëzuar? A është i krishterë i pjekur? A ka një miqësi të ngushtë me Jehovain? A gëzon respektin e të tjerëve në kongregacion? Apo ndoshta është shembull jo fort i mirë, e madje ‘shoqëri e keqe’? (1 Kor. 15:33; 2 Tim. 2:20, 21) A është i lirë për t’u martuar sipas parimeve të Biblës? Ke nevojë t’i dish përgjigjet e këtyre pyetjeve. Por, zor se do t’i gjesh pa biseduar me Dëshmitarë të tjerë që e njohin mirë atë person. (Prov. 15:22) E patjetër që një shërbëtori besnik të Jehovait as do t’i shkonte nëpër mend të futej «nën të njëjtën zgjedhë» me një jobesimtar.—2 Kor. 6:14; 1 Kor. 7:39.

Pra, përdorimi i siteve për lidhje online ka mjaft rreziqe. Megjithatë ka mënyra më të mira për të kërkuar dhe për t’u njohur me dikë që mund të jetë bashkëshorti i duhur për ty. Cilat janë disa mundësi? Kur grumbullimet publike nuk janë të ndaluara, Dëshmitarët e Jehovait mund të njihen personalisht me dikë ndërsa ndjekin mbledhjet, asambletë, kongreset dhe aktivitete të tjera.

Ndërsa kaloni kohë bashkë, do të kuptosh më qartë nëse keni përparësi dhe synime të ngjashme

Kur këto grumbullime publike janë të ndaluara, si për shembull gjatë pandemisë së COVID-19, përdorim mjete elektronike për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit. Aty ke mundësi të njihesh me Dëshmitarë të tjerë që nuk janë të martuar. Mund t’i dëgjosh kur kanë pjesë në mbledhje e kur shprehin besimin në komentet e tyre. (1 Tim. 6:11, 12) Gjithashtu mund të bisedosh me ta pas mbledhjes në dhomat e bisedave. E në aktivitetet shoqërore virtuale me grupe Dëshmitarësh, mund të shohësh si i trajton të tjerët vëllai a motra që të pëlqen. Kështu mund të kuptosh çfarë personaliteti ka. (1 Pjet. 3:4) Ndërsa njiheni më mirë, mund të kuptosh nëse keni përparësi e synime të ngjashme dhe nëse do të jeni bashkëshortë të mirë për njëri-tjetrin.

Kur ata që nuk janë të martuar e kërkojnë shokun a shoqen e jetës në mënyra që janë në harmoni me parimet e Biblës, ka më shumë të ngjarë të përjetojnë sa i vërtetë është ky proverb: «Kush gjen një grua [ose burrë] të mirë, gjen një margaritar dhe fiton pëlqimin e Jehovait.»—Prov. 18:22.