Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 44

A e çmon dashurinë besnike të Jehovait?

A e çmon dashurinë besnike të Jehovait?

‘Dashuria besnike e Jehovait zgjat përjetë.’—PSAL. 136:1.

KËNGA 108 Jehova, je plot dashuri besnike

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë na inkurajon të bëjmë Jehovai?

 PËR Jehovain, dashuria besnike është shumë e çmuar. (Hoz. 6:6) Ndaj i inkurajon me ngrohtësi shërbëtorët e tij të kenë të njëjtën pikëpamje. Nëpërmjet profetit Mikea, Perëndia ynë na nxit ‘ta duam dashurinë besnike’. (Mik. 6:8, shën.) Natyrisht, para se ta bëjmë këtë, kemi nevojë të dimë çfarë është dashuria besnike.

2. Cilat janë disa veçori të dashurisë besnike?

2 Çfarë është dashuria besnike? Shprehja «dashuri besnike» del rreth 220 herë në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Sipas «Fjalorthit të termave të Biblës» që gjendet te ky përkthim, dashuria besnike është «dashuri e motivuar nga përkushtimi, integriteti, besnikëria dhe nga një lidhje e ngushtë. Shpesh i referohet dashurisë që ka Perëndia për njerëzit, por këtë dashuri e tregojnë edhe njerëzit për njëri-tjetrin». Jehovai është shembulli suprem i dashurisë besnike. Në këtë artikull do të shohim si tregon Jehovai dashuri besnike për njerëzit. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta imitojmë Jehovain ne, shërbëtorët e tij, duke treguar dashuri besnike për njëri-tjetrin.

JEHOVAI ËSHTË «PLOT DASHURI BESNIKE»

3. Çfarë i zbuloi Jehovai Moisiut për veten?

3 Pak pas eksodit të Izraelit nga Egjipti, Jehovai i zbuloi Moisiut diçka për emrin dhe cilësitë e Tij. Ai tha: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike e të vërtetë, që tregon dashuri besnike për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin.» (Eks. 34:6, 7) Në këtë përshkrim zemërdhënës të cilësive të veta, Jehovai i zbuloi Moisiut një veçori unike të dashurisë së Tij besnike. Cila është kjo veçori?

4-5. (a) Si e përshkruan Jehovai veten? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

4 Jehovai nuk tha thjesht se ka dashuri besnike, por tha se është «plot dashuri besnike». Kjo shprehje del edhe gjashtë herë të tjera në Bibël. (Num. 14:18; Neh. 9:17; Psal. 103:8; 145:8; Joe. 2:13; Jon. 4:2) Në të gjitha rastet, shprehja përdoret vetëm për Jehovain, asnjëherë për njerëzit. A nuk është mbresëlënëse që Jehovai vetë i mëshon kaq fort kësaj cilësie që ka? S’ka dyshim se dashuria besnike është e rëndësishme për të. * Jo më kot mbretit David i buruan këto fjalë nga zemra: «O Jehova, dashuria jote besnike deri në qiej shtrihet . . . Sa e çmuar është dashuria jote besnike, o Perëndi! Nën hijen e krahëve të tu, gjen strehë çdo njeri.» (Psal. 36:5, 7) Po ne, a e çmojmë thellë në zemër si Davidi dashurinë besnike të Perëndisë?

5 Për ta kuptuar më mirë çfarë është dashuria besnike, le të shqyrtojmë dy pyetje: Kujt i tregon dashuri besnike Jehovai? Si nxjerrim dobi nga veprat e dashurisë besnike të Jehovait?

KUJT I TREGON DASHURI BESNIKE JEHOVAI?

6. Kujt i tregon dashuri besnike Jehovai?

6 Kujt i tregon dashuri besnike Jehovai? Bibla thotë se ka shumë gjëra që mund t’i duam, si «disiplinën», «njohurinë», «mençurinë», «jetën»—për të përmendur vetëm disa. (Prov. 12:1; 29:3; 1 Pjet. 3:10) Mirëpo, dashuria besnike nuk tregohet kurrë ndaj gjërave ose koncepteve; ajo shfaqet vetëm ndaj njerëzve. Ama, Jehovai nuk i tregon kujtdo dashuri besnike, por vetëm atyre që kanë një miqësi të ngushtë me të. Perëndia ynë është besnik ndaj miqve të tij dhe ka për ta një qëllim të mrekullueshëm. Dashuria që ndien për miqtë e vet nuk do të reshtë kurrë.

Jehovai i dhuron plot të mira gjithë familjes njerëzore, edhe atyre që nuk e adhurojnë (Shih paragrafin 7) *

7. Si ka treguar dashuri Jehovai për mbarë njerëzimin?

7 Jehovai ka treguar dashuri për mbarë njerëzimin. Jezui i tha një burri që quhej Nikodem: «Perëndia e deshi botën [njerëzimin] aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:1, 16; Mat. 5:44, 45.

Siç shkruanin mbreti David dhe profeti Daniel, Jehovai u tregon dashuri besnike atyre që e njohin, e nderojnë thellësisht, e duan dhe zbatojnë urdhërimet e tij (Shih paragrafët 8-9)

8-9. (a) Pse tregon dashuri besnike Jehovai për shërbëtorët e tij? (b) Ç’do të shqyrtojmë më tej?

8 Siç u tha më sipër, Jehovai tregon dashuri besnike vetëm për ata që kanë një marrëdhënie të miratuar me të—për shërbëtorët e tij. Kjo duket qartë nga fjalët e mbretit David dhe profetit Daniel. Për shembull, Davidi shkroi: «Tregoju pareshtur dashuri besnike atyre që të njohin.» «Dashuria besnike e Jehovait zgjat mot e jetë për ata që e nderojnë thellësisht.» Danieli tha: «O Jehova, Perëndi i vërtetë, [që] u tregon dashuri besnike atyre që të duan e që zbatojnë urdhërimet e tua!» (Psal. 36:10; 103:17; Dan. 9:4) Sipas këtyre fjalëve të frymëzuara, Jehovai tregon dashuri besnike për shërbëtorët e tij sepse ata e njohin, e nderojnë thellësisht, e duan dhe zbatojnë urdhërimet e tij. Pra, Jehovai u tregon dashuri besnike vetëm adhuruesve të tij të vërtetë.

9 Para se t’i shërbenim Jehovait, nxirrnim dobi nga dashuria që tregon ai për mbarë njerëzimin. (Psal. 104:14) Por tani, si adhurues të Jehovait, shijojmë edhe dashurinë e tij besnike. Në fakt, Jehovai i siguron shërbëtorët e vet: «U tregoj dashuri besnike për mijëra breza atyre që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.» (Ligj. 5:10) Siç e provoi vetë Davidi, ‘Jehovai e mban në pëllëmbë të dorës besnikun e tij’. (Psal. 4:3) Si duhet t’i përgjigjemi kësaj përzemërsie të veçantë që na tregon Jehovai? Psalmisti tha: «Kush është i mençur, do t’i dallojë këto gjëra dhe do të bluajë në mendje veprat e dashurisë besnike të Jehovait.» (Psal. 107:43) Duke mbajtur në mendje këto fjalë të frymëzuara, le të shqyrtojmë tri mënyra si nxjerrin dobi shërbëtorët e Jehovait nga veprat e dashurisë së tij besnike.

SI NXJERRIM DOBI NGA VEPRAT E DASHURISË BESNIKE TË JEHOVAIT?

Jehovai u jep akoma më shumë bekime atyre që e adhurojnë (Shih paragrafët 10-16) *

10. Si na sjell dobi siguria se dashuria besnike e Perëndisë zgjat përjetë? (Psalmi 31:7)

10 Dashuria besnike e Perëndisë zgjat përjetë. Ky aspekt i rëndësishëm i dashurisë besnike përmendet 26 herë në Psalmin 136. Në vargun e parë lexojmë: «Falënderoni Jehovain, se është i mirë; dashuria e tij besnike zgjat përjetë.» (Psal. 136:1) Në vargjet 2 deri 26 përsëritet si refren shprehja «se dashuria e tij besnike zgjat përjetë». Ndërsa lexojmë vargjet e këtij psalmi, s’ka si të mos mahnitemi nga mënyrat e larmishme se si tregon pareshtur Jehovai dashuri besnike. Refreni «se dashuria e tij besnike zgjat përjetë» na siguron që dashuria e Perëndisë për adhuruesit e vet nuk luhatet kurrë. Sa na e ngroh zemrën siguria se dashuria e Jehovait për ne nuk shuhet kollaj! Ai lidhet ngushtë me ata që i shërbejnë e u qëndron pranë, sidomos në kohë të vështira. Si nxjerrim dobi: Siguria se Jehovai na qëndron pranë, na jep gëzimin dhe forcën e nevojshme që t’u bëjmë ballë vuajtjeve e të vazhdojmë të ecim në rrugën e jetës.—Lexo Psalmin 31:7.

11. Çfarë e shtyn Jehovain të falë, siç tregon Psalmi 86:5?

11 Dashuria besnike e shtyn Perëndinë të falë. Kur vëren se një mëkatar pendohet dhe largohet nga rruga e gabuar, dashuria besnike e shtyn Jehovain ta falë. Psalmisti David tha për Jehovain: «Ai nuk vepron me ne sipas mëkateve tona e nuk na ndëshkon siç e meritojnë fajet tona.» (Psal. 103:8-11) Davidi e dinte nga përvoja e hidhur sa shumë mund të të torturojnë ndjenjat e fajit. Por njëkohësisht provoi se Jehovai ‘mezi pret të falë’. Çfarë e shtyn Jehovain të falë? Përgjigjja gjendet te Psalmi 86:5. (Lexoje.) Pra, siç tregon lutja e Davidit, ajo që e nxit Jehovain të falë, është dashuria besnike e pakufishme për të gjithë ata që e thërrasin për ndihmë.

12-13. Çfarë do të na lehtësojë nëse na torturojnë ndjenjat e fajit për gabimet e së kaluarës?

12 Kur mëkatojmë, është me vend—e madje na bën mirë—të na brejë ndërgjegjja. Kjo mund të na shtyjë të pendohemi e të veprojmë për t’i ndrequr gabimet. Mirëpo, disa shërbëtorë të Perëndisë i mbytin ndjenjat e fajit për gabimet e së kaluarës. Zemra i dënon dhe, si të thuash, i bind se Jehovai s’mund t’i falë kurrë, sado të penduar qofshin. Nëse lufton me ndjenja të tilla, do të lehtësohesh po të mbash parasysh sa shumë dëshiron Perëndia t’u tregojë dashuri besnike shërbëtorëve të tij.

13 Si nxjerrim dobi: Me gjithë papërsosmëritë tona, mund t’i shërbejmë Jehovait plot gëzim, me një ndërgjegje të pastër. Kjo është e mundur sepse «gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat». (1 Gjon. 1:7) Kur shkurajohesh nga ndonjë papërsosmëri e jotja, sill ndër mend se Jehovai mezi pret të të falë nëse je penduar. Vër re si e lidhi Davidi dashurinë besnike me faljen. Ai shkroi: «Sa madhështorë ngrihen qiejt përmbi tokën, po aq e madhe është dashuria e tij besnike për ata që e nderojnë thellësisht. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë i ka larguar nga ne fajet tona.» (Psal. 103:11, 12) Vërtet, Jehovai ‘fal bujarisht’.—Isa. 55:7.

14. Si e përshkroi Davidi mënyrën si na mbron dashuria besnike e Perëndisë?

14 Dashuria besnike e Perëndisë është një mbrojtje e fortë për integritetin. Davidi i tha Jehovait në lutje: «Ti je streha ku fshihem; ti do të më mbrosh në ditë të zeza e do të më rrethosh me brohoritje çlirimtare. . . . Atë që ka besim te Jehovai, e rrethon dashuria e Tij besnike.» (Psal. 32:7, 10) Ashtu si muret që rrethonin një qytet në lashtësi dhe mbronin banorët e tij, edhe Jehovai na «rrethon» me veprat e dashurisë së tij besnike, e kështu na mbron nga çdo gjë që mund të na thyejë integritetin. Dashuria besnike e nxit Jehovain edhe të na tërheqë drejt vetes.—Jer. 31:3.

15. Pse përshkruhet si një strehë ose kala dashuria besnike e Jehovait?

15 Davidi përdori një figurë tjetër letrare për të ilustruar si i mbron Perëndia shërbëtorët e vet. Ai shkroi: «Ti, o Perëndi, je streha ime e sigurt, Perëndia që më tregon dashuri besnike.» Gjithashtu, Davidi tha për Jehovain: «Ai më tregon dashuri besnike, ai është kalaja ime, streha ime e sigurt, çlirimtari im, mburoja ime, tek ai kam gjetur strehë.» (Psal. 59:17; 144:2) Pse Davidi e krahasoi dashurinë besnike të Jehovait me një strehë dhe me një kala? Sepse kudo që të jetojmë, për sa kohë jemi shërbëtorë të Jehovait, ai do të na sigurojë gjithë mbrojtjen e nevojshme për të ruajtur miqësinë e çmuar me të. E njëjta siguri na jepet te Psalmi 91, ku lexojmë: «Do t’i them Jehovait: ‘Ti je streha dhe kalaja ime.’» (Psal. 91:1-3, 9, 14) Moisiu e krahasoi mbrojtjen e Jehovait me një strehë. (Psal. 90:1) Veç kësaj, nga fundi i jetës, Moisiu theksoi një hollësi që na ngroh zemrën. Ai shkroi: «Perëndia është strehë që nga kohët e lashta, me krahët e tij të përjetshëm të mban.» (Ligj. 33:27) Çfarë na tregon për Jehovain shprehja «me krahët e tij të përjetshëm të mban»?

16. Cilat janë dy bekime që gëzojmë? (Psalmi 136:23)

16 Kur kemi besim se Jehovai është Streha jonë, ndihemi të sigurt. Gjithsesi, mund të ketë ditë që jemi përtokë dhe luftojmë të ngrihemi. Çfarë do të bëjë Jehovai për ne në këto raste? (Lexo Psalmin 136:23.) Me butësi, ai do të na mbajë me krahët e tij dhe do të na ndihmojë të ngrihemi sërish në këmbë. (Psal. 28:9; 94:18) Si nxjerrim dobi: Siguria se mund të mbështetemi gjithmonë te Perëndia ynë, na ndihmon të mbajmë parasysh dy bekime që gëzojmë. Së pari, kudo që të jetojmë, kemi një strehë të sigurt që na mbron. Së dyti, Ati ynë i shtrenjtë ka dashuri të thellë për ne.

TË SIGURT SE DASHURIA BESNIKE E PERËNDISË PËR NE S’DO TË SHUHET KURRË

17. Çfarë sigurie na jep dashuria besnike e Perëndisë? (Psalmi 33:18-22)

17 Siç e kemi parë, kur kalojmë një sprovë mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na qëndrojë pranë, duke na dhënë ndihmën e nevojshme që të ruajmë integritetin. (2 Kor. 4:7-9) Profeti Jeremia tha: «Falë dashurisë besnike të Jehovait, nuk kemi marrë fund, sepse mëshira e tij nuk shteron kurrë.» (Vajt. 3:22) Mund të jemi të sigurt se dashuria besnike e Jehovait për ne s’do të reshtë kurrë, sepse Shkrimet thonë: «Jehovai i mban sytë mbi ata që e nderojnë thellësisht, mbi ata që i varin shpresat te dashuria e tij besnike.»—Lexo Psalmin 33:18-22.

18-19. (a) Çfarë duam të mbajmë në mend? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Çfarë duam të mbajmë në mend, pra? Para se t’i shërbenim Jehovait, nxirrnim dobi nga dashuria që tregon ai për mbarë njerëzimin. Por, si adhurues të Jehovait, shijojmë edhe dashurinë e tij besnike. Kjo dashuri e nxit Jehovain të na përqafojë e të na mbrojë me krahët e tij. Ai do të na mbajë gjithmonë pranë vetes e do ta plotësojë qëllimin që ka për ne. Jehovai dëshiron të jemi përgjithmonë miqtë e tij! (Psal. 46:1, 2, 7) Prandaj, çfarëdo sprove të hasim, Perëndia ynë do të na japë forcën e nevojshme për të mbajtur integritetin.

19 Kemi parë si tregon dashuri besnike Jehovai për shërbëtorët e tij. Me të drejtë, ai pret të tregojmë dashuri besnike për njëri-tjetrin. Si mund ta bëjmë këtë? Në artikullin tjetër do të flasim për këtë temë të rëndësishme.

KËNGA 136 Jehovai të dhëntë shpërblim të plotë

^ Çfarë është dashuria besnike? Kujt i tregon dashuri besnike Jehovai? Si nxjerrim dobi kur Jehovai shfaq këtë cilësi? Këto pyetje do të marrin përgjigje në të parin nga dy artikujt ku shqyrtohet kjo cilësi e shkëlqyer.

^ Ideja që Jehovai është plot dashuri besnike del edhe në vargje të tjera, ku thuhet se dashuria e tij besnike është e madhe ose e pakufishme.—Shih Neheminë 13:22; Psalmin 69:13; 106:7; Isainë 63:7; Vajtimet 3:32.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jehovai tregon dashuri për të gjithë njerëzit, ku përfshihen edhe shërbëtorët e tij. Ikonat sipër grupit të njerëzve tregojnë disa mënyra si e shpreh dashurinë Perëndia. Më e rëndësishmja ndër to është mundësia për të nxjerrë dobi nga shpërblesa.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Atyre që bëhen shërbëtorë të tij dhe tregojnë besim te shpërblesa, Jehovai u tregon përzemërsi të veçantë. Përveç dashurisë që tregon për mbarë njerëzimin, shërbëtorët e Jehovait shijojnë edhe dashurinë e tij besnike. Ikonat paraqesin disa shprehje të dashurisë së tij besnike.