Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Në kërkim të një jete domethënëse

Në kërkim të një jete domethënëse

NDËRSA po lundroja në detin Mesdhe, pashë i tmerruar se varka ime e vjetër po fuste gjithnjë e më shumë ujë. Më pas shpërtheu një furtunë. Më zuri frika dhe për herë të parë pas shumë vitesh iu luta Perëndisë. Si përfundova në atë situatë? Po e nis historinë nga fillimi.

Kur isha shtatë vjeç dhe jetoja bashkë me familjen në Brazil

Linda në Holandë në vitin 1948. Vitin pasues, familja jonë u transferua në San-Paulo, Brazil. Prindërit shkonin shpesh në kishë, dhe si familje lexonim rregullisht Biblën pasi hanim darkë. Pastaj, më 1959 emigruam sërish, por kësaj here në Shtetet e Bashkuara. U vendosëm me banim në shtetin e Masaçusetsit.

Babai punonte fort që të kujdesej për familjen tonë me tetë veta. Herë punonte si shitës ambulant, herë si punëtor në ndërtimin e rrugëve dhe herë si agjent shitjesh në një kompani ajrore ndërkombëtare. Të gjithë në familje u kënaqëm kur babai nisi të punonte te kompania ajrore, sepse mund të udhëtonim gjithandej.

Gjatë shkollës së mesme, pyesja shpesh veten: «Çfarë do të bëj kur të rritem?» Disa nga shokët e mi zgjodhën të shkonin në universitet, të tjerë u futën në ushtri. Por unë as që e çoja nëpër mend të hyja në ushtri. S’më pëlqente as të bëja fjalë me njerëzit, e jo më të luftoja. Vendosa të shkoja në universitet për të shmangur shërbimin ushtarak. Ama, ajo që doja thellë-thellë ishte të ndihmoja të tjerët, sepse mendoja që kjo do t’i jepte vërtet kuptim jetës sime.

JETA NË UNIVERSITET

Për vite me radhë, isha në kërkim të qëllimit të jetës

Në universitet, më tërhiqte shumë antropologjia ngaqë isha kureshtar për origjinën e jetës. Aty na mësonin evolucionin dhe pritej që ta pranonim si fakt. Por disa shpjegime nuk më dukeshin logjike dhe duhej t’i besoje verbërisht. Kjo binte ndesh me metodën shkencore për ta vërtetuar diçka para se ta pranosh si fakt.

Në shkollë, nuk na mësonin të ndiqnim norma morale të larta. Përkundrazi, na nxitnin të shkëlqenim me çdo kusht. Kaloja kohë me shokët në festa dhe eksperimentoja me droga të ndryshme. Kjo më jepte njëfarë kënaqësie, por ishte vetëm një ndjenjë kalimtare. Vrisja mendjen: «A është vërtet një jetë domethënëse kjo?!»

Ndërkohë u transferova në qytetin e Bostonit dhe u regjistrova në një universitet atje. Që të paguaja shkollën, fillova një punë gjatë verës dhe në atë punë takova për herë të parë një Dëshmitar të Jehovait. Një koleg më foli për profecinë e ‘shtatë kohëve’ që gjendet te kapitulli 4 i Danielit dhe më shpjegoi se po jetojmë në ditët e fundit. (Dan. 4:13-17) E kuptova shpejt se po t’i vazhdonim ato biseda dhe t’i mendoja seriozisht gjërat që diskutonim, do të duhej të bëja ndryshime në jetë. Prandaj i shmangesha atij kolegu sa më shumë të ishte e mundur.

Në universitet zgjodha lëndë që do të më përgatitnin për të bërë punë vullnetare në Amerikën e Jugut. Mendoja se po të bëja vepra humanitare, kjo do t’i jepte kuptim jetës sime. Por nuk doli kështu. I zhgënjyer, në fund të semestrit lashë universitetin.

NË KËRKIM TË NJË JETE DOMETHËNËSE NË VENDE TË LARGËTA

Në maj të 1970-s u transferova në Amsterdam, Holandë, që të punoja për të njëjtën kompani ajrore ku kishte punuar babai. Falë kësaj pune, kisha mundësi të udhëtoja shpesh dhe të shkoja në vende të ndryshme të Afrikës, Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, Evropës dhe Lindjes së Largme. Nuk m’u desh shumë të kuptoja se çdo vend kishte probleme të mëdha dhe, me sa duket, askush nuk kishte ndonjë zgjidhje për to. Kjo ma përtëriu dëshirën që të realizoja diçka me vlerë në jetë, ndaj vendosa të kthehesha në Shtetet e Bashkuara e të regjistrohesha përsëri në të njëjtin universitet në Boston.

Mirëpo s’kaloi shumë dhe kuptova se as në universitet nuk po i gjeja përgjigjet e pyetjeve që kisha për jetën. Ngaqë nuk dija ç’të bëja, i kërkova mendim profesorit të antropologjisë. U befasova kur më tha: «E pse të vazhdosh? Pse nuk i lë që tani studimet?» S’kishte nevojë të ma thoshte dy herë. Kaq m’u desh që ta lija universitetin njëherë e mirë.

Jeta më dukej bosh, pa pikë kuptimi, prandaj u bashkova me lëvizjen e hipive, e cila hidhte poshtë vlerat tradicionale të shoqërisë dhe promovonte paqen e dashurinë. Bashkë me disa miq udhëtonim me autostop nëpër Shtetet e Bashkuara e deri në Akapulko, Meksikë. Jetonim në komunitete me hipi, të cilët dukej se bënin një jetë pa kokëçarje. Por ndërsa jetoja me ta, kuptova shpejt se jeta që bënin nuk kishte asnjë kuptim dhe nuk sillte lumturi të qëndrueshme. Përkundrazi ishte plot pandershmëri dhe tradhti.

KËRKIMI VAZHDON NË NJË VARKË ME VELA

Bashkë me një shok, isha në kërkim të një ishulli parajsor

Gjatë kësaj kohe, nisi të më ngacmonte një ëndërr e fëmijërisë. Doja të lundroja në det, jo si marinar, por si kapiten. Por këtë mund ta arrija vetëm nëse kisha varkën time me vela. Meqë shoku im Tomi kishte të njëjtat aspirata, vendosëm të lundronim bashkë përreth botës. Doja të gjeja një ishull tropikal parajsor, ku të isha i pavarur nga rregullat e shoqërisë.

Tomi dhe unë shkuam në qytezën Arens-de-Mar, afër Barcelonës, në Spanjë. Atje blemë një varkë me vela 9,4 metra të gjatë që quhej «Ligra». Filluam ta rregullonim që të ishte gati për lundrim. Ngaqë nuk e kishim me nxitim për të mbërritur në destinacion, hoqëm motorin dhe e përdorëm atë hapësirë për më shumë ujë të pijshëm. E pajisëm varkën edhe me dy rrema nga 5 metra të gjata, që ta manovronim në limane të vogla. Më në fund, nisëm lundrimin për në ishujt Sejshel, në Oqeanin Indian. Plani ynë ishte të udhëtonim përgjatë bregut perëndimor të Afrikës e t’i binim përqark Kepit të Shpresës së Mirë, në Afrikën e Jugut. Për të përcaktuar itinerarin dhe për të mbajtur kursin e duhur, përdorëm një instrument lundrimi që quhet sekstant, yjet, harta yjesh dhe almanakë. Më mahniste fakti që arrinim ta përcaktonim saktësisht pozicionin e varkës.

Mirëpo, s’kaloi shumë dhe kuptuam që ajo varkë e vjetër prej druri nuk bënte për të lundruar, se fuste rreth 22 litra ujë në orë! Siç tregova më sipër, gjatë një stuhie më zuri frika dhe iu luta Perëndisë për herë të parë pas shumë vitesh duke i premtuar se, po të mbijetoja, do të përpiqesha ta njihja. Furtuna u fashit, dhe unë e mbajta premtimin.

Fillova të lexoja Biblën aty në mes të detit. Imagjino të jesh i rrethuar nga ujërat e detit Mesdhe e të soditësh horizontin e pakufishëm dhe peshq e delfinë që kërcejnë nga uji! Mbrëmjeve mbetesha gojëhapur kur vështroja galaktikën Udha e Qumështit. U binda gjithnjë e më shumë se ka një Perëndi që interesohet për njerëzit.

Pas disa javësh në det, vozitëm deri në portin e Alikantes, Spanjë, ku e vumë në shitje varkën që të blinim një më të mirë. S’ishte çudi që nuk shitej kollaj një varkë e vjetër pa motor që fuste ujë! Ama, ajo ishte një kohë e shkëlqyer për të lexuar Biblën.

Sa më shumë e lexoja Biblën, aq më shumë e shihja si një manual që mund të na ndihmojë të kemi sukses në jetë. Më la mbresa sa qartë flet Bibla për një jetë me norma të larta dhe vrisja mendjen pse shumë njerëz—mes të cilëve edhe unë—e konsiderojnë veten të krishterë e ndërkohë e shpërfillnin atë që thotë Bibla.

Isha i vendosur të bëja ndryshime rrënjësore në jetë, prandaj nuk përdora më drogë. Mendova se duhej të kishte njerëz që jetonin sipas normave të larta të Biblës dhe doja t’i takoja. Iu luta për herë të dytë Perëndisë dhe i kërkova të më ndihmonte t’i gjeja.

NË KËRKIM TË FESË SË VËRTETË

Më dukej e logjikshme t’i analizoja fetë një nga një derisa të gjeja fenë e vërtetë. Ndërsa shëtitja në rrugët e Alikantes, pashë plot ndërtesa fetare. Por ngaqë shumica kishte ikona, i fshiva shpejt nga lista.

Një të diel pasdite isha në shpatin e një kodre prej nga dukej porti e po lexoja Jakovin 2:1-5, ku jepet paralajmërimi të mos favorizojmë të pasurit. Kur po kthehesha te varka, kalova pranë një vendi ku dukej se mbaheshin mbledhje fetare. Te hyrja kishte një tabelë: «Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait».

Thashë me vete: «Kam për t’i vënë në provë këta njerëz. Të shohim si do të më trajtojnë.» Prandaj hyra në Sallën e Mbretërisë ashtu këmbëzbathur, me mjekër të parruar dhe me xhinse te grisura. Mikpritësi më shoqëroi për te karrigia dhe pranë meje ishte një grua e moshuar që më ndihmoi me dashamirësi të gjeja shkrimet që përmendte oratori. Pas mbledhjes, më la pa fjalë përzemërsia e atyre që vinin të më takonin. Një burrë më ftoi në shtëpinë e tij që të bisedonim rreth Biblës, por ngaqë nuk e kisha lexuar akoma deri në fund Biblën, i thashë: «Do të të them vetë kur të jem gati.» Ndërkohë fillova t’i ndiqja të gjitha mbledhjet.

Pas disa javësh, shkova te shtëpia e atij burri dhe ai iu përgjigj pyetjeve që kisha nga Bibla. Një javë më vonë më dha një çantë plot me rroba goxha të mira. Më tha se i zoti i tyre ishte burgosur ngaqë i bindej urdhrit të Biblës për të dashur njëri-tjetrin dhe për të mos mësuar më luftën. (Isa. 2:4; Gjoni 13:34, 35) Tani isha i bindur se kisha gjetur atë që po kërkoja—njerëz që ndjekin drejtimin e qartë të Biblës për të bërë një jetë me norma të larta! Synimi im nuk ishte më që të gjeja një ishull parajsor, por që të studioja thellë Biblën. Kështu u ktheva në Holandë.

NË KËRKIM TË NJË PUNE

M’u deshën katër ditë udhëtim me autostop që të arrija në qytetin e Groningenit, në Holandë. Aty duhej të gjeja një punë që të mbaja veten. Kërkova punë te një punishte marangozi. Në formular kërkohej edhe se çfarë feje kisha dhe unë shkrova «Dëshmitar i Jehovait». Mirëpo, kur pronari e lexoi, vura re se i ndryshoi çehrja. Më tha: «Do të të telefonoj unë.» Por s’më mori kurrë në telefon.

Shkova në një punishte tjetër dhe pyeta pronarin nëse kishte nevojë për ndihmë. Më kërkoi diplomën dhe letra referimi. I shpjegova se kisha riparuar një varkë me vela. Për habinë time, më tha: «Mund të nisësh që sot pasdite, ama me një kusht. S’dua të më hapësh probleme në punishte sepse unë jam Dëshmitar i Jehovait dhe jetoj sipas parimeve të Biblës.» I surprizuar, ia ktheva: «Edhe unë!» Ndoshta ngaqë pa flokët e gjatë dhe mjekrën, më tha: «Atëherë kam për të studiuar Biblën me ty.» Me kënaqësi, e pranova ofertën e tij. Në atë moment kuptova pse pronari i punishtes tjetër nuk më mori kurrë në telefon. Jehovai po më plotësonte dëshirat e zemrës. (Psal. 37:4) Punova një vit te punishtja e vëllait. Gjatë asaj kohe, ai më bëri studimin e Biblës. Pastaj, në janar të vitit 1974, u pagëzova.

MË NË FUND, NJË JETË DOMETHËNËSE!

Një muaj më vonë, nisa një karrierë të re—shërbimin e pionierit—që më ka sjellë kënaqësi të paparë. Muajin pasues u transferova në Amsterdam që të mbështetja një grup të ri të gjuhës spanjolle. Çfarë gëzimi të drejtoje studime të Biblës në spanjisht dhe portugalisht! Pastaj, në maj të 1975-ës, u kënaqa kur më emëruan pionier special.

Një ditë, në një nga mbledhjet e gjuhës spanjolle erdhi një pioniere speciale që quhej Ineke, sepse donte të na prezantonte një studente të Biblës nga Bolivia. Unë dhe Ineke vendosëm të njiheshim me letra. S’kaloi shumë dhe kuptuam se kishim të njëjtat synime. Në vitin 1976 u martuam dhe vazhduam shërbimin si pionierë specialë deri më 1982, kur na ftuan të ndiqnim klasën e 73-të të Galadit. Sa u surprizuam dhe u kënaqëm kur na caktuan në Afrikën Lindore! Atje shërbyem për pesë vjet në Mombasë, Kenia. Në vitin 1987 na caktuan në Tanzani, ku vepra nuk ishte më e ndaluar. Shërbyem atje për 26 vjet dhe pastaj u kthyem në Kenia.

Unë dhe gruaja provonim shumë gëzim kur ndihmonim njerëzit në Afrikën Lindore të mësonin të vërtetat e Biblës

Kemi ndihmuar njerëz mirënjohës të mësojnë të vërtetat e Biblës, e kjo i ka dhënë vërtet kuptim jetës sonë. Për shembull, studenti im i parë i Biblës në Mombasë ishte një burrë që e takova gjatë dëshmisë publike. Kur i ofrova dy revista, më tha: «Nëse mbaroj revistat, çfarë të bëj pastaj?» Javës tjetër filluam të studionim Biblën duke përdorur librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, që sapo kishte dalë në gjuhën suahili. Një vit më vonë, ai u pagëzua dhe u bë pionier i rregullt. Që atëherë, bashkë me të shoqen kanë ndihmuar gati 100 veta t’i kushtohen Jehovait e të pagëzohen.

Unë dhe Ineke e kemi provuar si i bekon Jehovai shërbëtorët e tij me një jetë domethënëse

Kur kuptova qëllimin e jetës, në fillim u ndieva si tregtari shëtitës që gjeti një margaritar të veçantë e nuk donte ta humbte në asnjë mënyrë. (Mat. 13:45, 46) Dëshiroja ta përdorja jetën time për t’i ndihmuar të tjerët të gjejnë qëllimin e vërtetë të jetës. Bashkë me gruan time të dashur, e kemi provuar si i bekon Jehovai shërbëtorët e tij me një jetë domethënëse.