Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

Sa i fortë do të jetë besimi yt?

Sa i fortë do të jetë besimi yt?

«Mos lejoni që zemra juaj të trazohet. Tregoni besim.»—GJONI 14:1.

KËNGA 119 Besimi që mund botën

PËRMBLEDHJE *

1. Cilën pyetje ka të ngjarë t’i bëjmë vetes?

 A TË zë ndonjëherë ankthi kur mendon për ngjarjet që na presin në të ardhmen—shkatërrimi i fesë së rreme, sulmi i Gogut të Magogut dhe lufta e Armagedonit? Ndoshta pyet veten: «A do të arrij t’i përballoj me integritet këto ngjarje të frikshme?» Nëse ndihesh ndonjëherë në ankth për këtë, do të të ndihmojë shumë shqyrtimi i fjalëve të Jezuit që gjenden te shkrimi kryesor i artikullit. Jezui u tha dishepujve të tij: «Mos lejoni që zemra juaj të trazohet. Tregoni besim.» (Gjoni 14:1) Besimi i fortë do të na ndihmojë ta përballojmë të ardhmen me zemër të qetë.

2. Si mund ta forcojmë besimin, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Mund ta forcojmë besimin për sprovat e së ardhmes nëse ndalemi e mendojmë si reagojmë sot përballë sprovave të besimit. Kështu mund të dallojmë ku kemi nevojë ta forcojmë besimin. Pas çdo sprove, besimi ynë bëhet më i fortë. Kjo do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave që kemi para. Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër situata që nxorën në pah se dishepujve të Jezuit u nevojitej më shumë besim. Pastaj do të shohim si mund të përballojmë edhe ne probleme të ngjashme dhe si mund të na përgatitin ato për të ardhmen.

BESIM SE PERËNDIA DO TË NA SIGUROJË GJËRAT E NEVOJSHME

Kur luftojmë me probleme ekonomike, besimi i fortë do të na ndihmojë të përqendrohemi tek adhurimi i Jehovait (Shih paragrafët 3-6)

3. Çfarë bëri të qartë Jezui për besimin, siç tregon Mateu 6:30, 33?

3 Është normale që një kryefamiljar të dojë t’u sigurojë ushqim, veshje e strehim gruas dhe fëmijëve të tij. Ama, kjo nuk është gjithnjë e lehtë në këto kohë të vështira. Disa vëllezër e motra kanë humbur punën dhe, ndonëse përpiqen fort, nuk kanë gjetur dot një punë tjetër. Disa të tjerëve u është dashur të refuzojnë punë që nuk janë të përshtatshme për shërbëtorët e Perëndisë. Në të gjitha këto raste, nevojitet besim i fortë se Jehovai do të kujdeset që të kemi gjërat e nevojshme për familjen. Jezui ua bëri të qartë këtë dishepujve gjatë Predikimit në Mal. (Lexo Mateun 6:30, 33.) Nëse kemi besim të patundur se Jehovai nuk do të na braktisë, do të arrijmë ta përqendrojmë vëmendjen aty ku duhet—te vepra e Mbretërisë. E ndërsa shohim si na ndihmon Jehovai për gjërat e nevojshme, do të afrohemi më shumë me Të dhe do të na forcohet besimi.

4-5. Çfarë e ndihmoi një familje kur ishin në ankth për gjërat e nevojshme?

4 Le të shohim si e pa dorën e Jehovait një familje në Venezuelë kur ishin në ankth për të siguruar gjërat e nevojshme. Më parë familja Kastro fitonte të ardhura modeste duke punuar në fermën e tyre. Mirëpo, një bandë e armatosur ua mori fermën dhe i dëboi nga toka e tyre. Babai, Migeli, thotë: «Tani e nxjerrim bukën e gojës kryesisht duke kultivuar një ngastër toke që na e ka dhënë dikush. Sa agon dita, i lutem Jehovait të kujdeset që të kemi gjërat e nevojshme për atë ditë.» Jeta është e vështirë për këtë familje, por me besim të plotë se Ati i dashur është i aftë t’u sigurojë çdo ditë gjërat e nevojshme, familja Kastro ndjek rregullisht mbledhjet dhe del në shërbim. Ata vënë të parën në jetë Mbretërinë, dhe Jehovai u siguron ç’u nevojitet.

5 Gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë, Migeli dhe e shoqja, Jurai, janë përqendruar te mënyrat si është kujdesur Jehovai për ta. Hera-herës, Jehovai ka përdorur bashkëbesimtarët për t’u siguruar gjërat e domosdoshme ose për ta ndihmuar Migelin të gjejë një punë të përshtatshme. Në raste të tjera, Jehovai ka përdorur zyrën e degës për t’u plotësuar nevojat bazë. Ai s’i ka braktisur kurrë. Si rezultat, u është forcuar besimi si familje. Pasi tregon një rast specifik si i ndihmoi Jehovai, vajza e madhe, Joselina, thotë: «Është prekëse ta shohësh kaq qartë dorën e Jehovait. Për mua, ai është një mik tek i cili mund të mbështetem gjithmonë.» Ajo shton: «Sprovat që kemi kaluar si familje na kanë përgatitur për sprova akoma më të vështira në të ardhmen.»

6. Si mund ta forcosh besimin kur lufton me probleme ekonomike?

6 A po lufton edhe ti me probleme ekonomike? Nëse po, kjo është një periudhë e vështirë për ty. Por mund t’i përdorësh këto rrethana të vështira për të forcuar besimin. Lutju Jehovait, lexo fjalët e Jezuit të dokumentuara te Mateu 6:25-34 dhe medito për to. Mendo për shembuj nga ditët tona që provojnë se Jehovai u siguron ç’u nevojitet atyre që zhyten plotësisht në aktivitetet teokratike. (1 Kor. 15:58) Si rezultat, do të të forcohet siguria se Ati yt qiellor do të të ndihmojë edhe ty, ashtu si ka ndihmuar të tjerë në situata të ngjashme. Ai e di çfarë të nevojitet dhe di si të ta sigurojë. E ndërsa sheh dorën e Jehovait në jetën tënde, do të të forcohet besimi. Kjo do të të ndihmojë t’u bësh ballë sprovave më të rënda në të ardhmen.—Hab. 3:17, 18.

BESIM PËR T’I BËRË BALLË ‘NJË STUHIE TË MADHE’

Besimi i fortë mund të na ndihmojë t’i bëjmë ballë çdo stuhie të madhe, qoftë e mirëfilltë, qoftë e figurshme. (Shih paragrafët 7-11)

7. Sipas Mateut 8:23-26, si u sprovua besimi i dishepujve nga «një stuhi e madhe»?

7 Kur Jezui dhe dishepujt e tij po lundronin në det, shpërtheu befas një stuhi. Jezui e përdori atë ngjarje për t’i ndihmuar të kuptonin se duhej ta forconin besimin. (Lexo Mateun 8:23-26.) Nga stuhia e tërbuar, varka po mbushej me ujë, kurse Jezui flinte i qetë. Të tmerruar, dishepujt e zgjuan dhe i kërkuan t’i shpëtonte. Atëherë Zotëria i qortoi me butësi: «Pse keni frikë? Kaq pak besim keni?» Dishepujt e frikësuar duhej ta dinin se për Jehovain ishte fare e lehtë ta mbronte Jezuin dhe ata që ishin me të. Çfarë mësimi përmban për ne kjo ngjarje? Besimi i fortë mund të na ndihmojë t’i bëjmë ballë çdo ‘stuhie të madhe’, qoftë e mirëfilltë, qoftë e figurshme.

8-9. Si u sprovua besimi i Anelës, dhe çfarë e ndihmoi atë?

8 Të mendojmë për shembullin e Anelës, një motër beqare nga Porto-Rikoja. Besimi i saj u bë më i fortë pasi përballoi një sprovë të rëndë. Për të, ‘stuhia e madhe’ ishte një stuhi e mirëfilltë. Sprova filloi në vitin 2017, kur uragani Maria i shkatërroi shtëpinë. Si pasojë e stuhisë, Anela humbi edhe punën. Ajo pranon: «Gjatë atyre ditëve të vështira ndihesha në ankth. Por mësova të mbështetesha te Jehovai me anë të lutjeve dhe të mos lejoja të më paralizonte ankthi.»

9 Anela përmend edhe diçka tjetër që e ndihmoi ta përballonte sprovën—bindja. Ajo thotë: «Bindja ndaj drejtimit të organizatës më ndihmoi të ruaja qetësinë. E pashë dorën e Jehovait tek inkurajimi dhe te ndihma materiale që më dhanë vëllezërit dhe motrat.» Ajo shton: «Jehovai më dha shumë më tepër nga ç’mund të kërkoja, dhe besimi im u forcua tej mase.»

10. Çfarë mund të bësh nëse po përballon ‘një stuhi të madhe’?

10 A po përballon ‘një stuhi të madhe’ në jetë? Ndoshta po vuan pasojat e një katastrofe natyrore. Ose mund të jetë një stuhi e figurshme, si një problem i rëndë shëndetësor, nga i cili ndihesh i dërrmuar dhe i pasigurt se ç’të bësh. Herë pas here mbase të mbërthen ankthi, por mos lejo që ankthi të të pengojë të mbështetesh te Jehovai. Afrohu me Të nëpërmjet lutjeve të zjarrta. Forco besimin duke medituar për rastet kur ke parë dorën e Jehovait në jetën tënde. (Psal. 77:11, 12) Mund të jesh i sigurt se Jehovai s’ka për të të braktisur asnjëherë—as sot, as kurrë.

11. Pse duhet të jemi të vendosur t’u bindemi atyre që marrin drejtimin?

11 Çfarë tjetër mund të të ndihmojë të përballosh sprovat? Siç e theksoi Anela, bindja. Mëso t’u besosh vëllezërve te të cilët kanë besim Jehovai dhe Jezui. Nganjëherë, vëllezërit përgjegjës mund të japin ndonjë drejtim që s’na duket i logjikshëm. Gjithsesi, Jehovai bekon bindjen. Nga Fjala e tij dhe nga shembujt e shërbëtorëve besnikë e dimë se bindja të shpëton jetën. (Eks. 14:1-4; 2 Kron. 20:17) Medito për shembuj të tillë. Kjo do të të forcojë vendosmërinë që të ndjekësh drejtimin e organizatës së Jehovait tani dhe në të ardhmen. (Hebr. 13:17) Kështu nuk do të kesh asnjë arsye t’i frikësohesh stuhisë më të madhe që do të shpërthejë së shpejti.—Prov. 3:25.

BESIM PËR TË PËRBALLUAR PADREJTËSITË

Kur ngulmojmë në lutje, na forcohet besimi (Shih paragrafin 12)

12. Në harmoni me Lukën 18:1-8, si mund të tregojmë besim kur përballojmë padrejtësi?

12 Jezui e dinte se padrejtësitë do t’ua sprovonin besimin dishepujve të tij. Për t’i ndihmuar t’u bënin ballë, ai bëri një ilustrim që e gjejmë te libri i Lukës. Jezui tregoi historinë e një vejushe që shkonte shpesh te një gjykatës i padrejtë për t’i kërkuar të vinte në vend drejtësinë. Ajo ishte e sigurt se këmbëngulja do t’i shpërblehej. Si përfundim, gjykatësi ia dëgjoi përgjërimet. Mësimi? Jehovai nuk është i padrejtë. Prandaj Jezui tha: «A nuk do ta vërë, pra, Perëndia drejtësinë në vend për të zgjedhurit e vet që i thërrasin ditë e natë për ndihmë?» (Lexo Lukën 18:1-8.) Pastaj Jezui shtoi: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vallë këtë lloj besimi në tokë?» Kur vuajmë nga padrejtësitë, durimi dhe këmbëngulja jonë do të tregojnë se kemi besim të fortë si ai i vejushës. Ky besim na jep sigurinë se, herët a vonë, Jehovai do të na vijë në ndihmë. Duhet të kemi besim edhe te fuqia e lutjes. Hera-herës, lutjet tona mund të sjellin rezultate që na surprizojnë!

13. Si e ndihmoi lutja një familje që vuajti nga padrejtësitë?

13 Të marrim shembullin e një motre që quhej Vero, e cila jeton në Republikën Demokratike të Kongos. Fshatin e tyre e sulmoi një grup milicësh, prandaj Veros iu desh të ikte bashkë me të shoqin që nuk është Dëshmitar dhe me vajzën 15-vjeçare. Rrugës familja arriti te një postbllok, ku milicia i ndaloi dhe i kërcënoi se do t’i ekzekutonte. Veroja filloi të qante, ndaj vajza u përpoq ta qetësonte duke u lutur me zë, e në lutje përdorte shpesh emrin e Jehovait. Kur përfundoi lutjen, komandanti i milicëve e pyeti: «Kush të ka mësuar të lutesh, moj vajzë?» Ajo ia ktheu: «Mamaja më ka mësuar, sipas lutjes model te Mateu 6:9-13.» Komandanti i tha: «Ik e qetë vajzë bashkë me prindërit e tu, dhe ju mbroftë Jehovai, Perëndia juaj!»

14. Çfarë mund të na e sprovojë besimin, dhe ç’do të na ndihmojë të tregojmë qëndrueshmëri?

14 Shembuj të tillë na mësojnë të mos i nënvlerësojmë kurrë lutjet. Po sikur Jehovai të mos u përgjigjet lutjeve të tua në çast ose në ndonjë mënyrë mbresëlënëse? Ashtu si vejusha në ilustrimin e Jezuit, vazhdo të lutesh, i sigurt se Perëndia nuk do të të braktisë dhe se me kohë do t’u përgjigjet lutjeve të tua në një mënyrë a në një tjetër. Përgjëroju pareshtur Jehovait për frymën e tij të shenjtë. (Filip. 4:13) Mbaj në mend se së shpejti Jehovai do të derdhë aq shumë bekime mbi ty, sa ke për t’i harruar vuajtjet e së kaluarës. Ndërsa i përballon sprovat plot besim me ndihmën e Jehovait, do të bëhesh më i fortë për atë që do të sjellë e ardhmja.—1 Pjet. 1:6, 7.

BESIM PËR TË KAPËRCYER PENGESAT

15. Siç tregon Mateu 17:19, 20, çfarë vështirësie hasën dishepujt e Jezuit?

15 Jezui i mësoi dishepujt se besimi do t’i ndihmonte të kapërcenin pengesat. (Lexo Mateun 17:19, 20.) Në një rast, ata nuk arritën të dëbonin një demon, edhe pse herë të tjera ia kishin dalë mbanë. Ku qëndronte problemi? Jezui u shpjegoi se u nevojitej më shumë besim. U tha se po të kishin mjaft besim, do të arrinin të kapërcenin pengesa që dukeshin si male. Edhe ne sot mund të hasim vështirësi që duken të papërballueshme.

Kur e kemi zemrën plagë, besimi na ndihmon të zhytemi tek aktivitetet teokratike (Shih paragrafin 16)

16. Si e ka ndihmuar besimi Gejdin të përballojë një tragjedi dhe plagë të thellë?

16 Të mendojmë për shembullin e Gejdit, një motër nga Guatemala. Bashkëshortin e saj, Edin, e vranë kur po ktheheshin nga mbledhja. Si e ka ndihmuar besimi Gejdin të mos dorëzohet, me gjithë plagën e thellë? Ajo thotë: «Lutja më ndihmon t’ia hedh barrën Jehovait, e kështu ndiej paqe në zemër. E shoh si kujdeset Jehovai për mua me anë të familjes dhe miqve në kongregacion. Zhytem plotësisht te shërbimi, e kjo ma lehtëson dhimbjen dhe më ndihmon t’i marr ditët një nga një, pa u shqetësuar tepër për të nesërmen. Nga gjithë kjo përvojë, kam mësuar se çfarëdolloj sprove të më bjerë në të ardhmen, kam për t’ia dalë mbanë me ndihmën e Jehovait, Jezuit dhe organizatës.»

17. Ç’mund të bësh kur has një pengesë që duket si mal?

17 A je i pikëlluar nga vdekja e një njeriu të dashur? Lër kohë për të forcuar besimin te shpresa e ringjalljes duke lexuar në Bibël historitë e atyre që u kthyen në jetë. A e ke zemrën copë ngaqë të është përjashtuar një familjar? Studio me qëllim që të bindesh se mënyra si disiplinon Perëndia është gjithmonë më e mira. Çfarëdo problemi të kalosh, përdore si një mundësi për të kalitur besimin. Zbrazja zemrën Jehovait. Mos u veço, por qëndro pranë vëllezërve dhe motrave. (Prov. 18:1) Merr pjesë në aktivitete që do të të ndihmojnë të tregosh qëndrueshmëri, edhe pse mes lotësh. (Psal. 126:5, 6) Vazhdo të jesh i rregullt në mbledhje, në shërbim dhe në leximin e Biblës. E vazhdo të bluash në mendje bekimet e mrekullueshme që do të derdhë Jehovai mbi ty. Ndërsa sheh si të ndihmon Jehovai, besimi yt do të bëhet përherë e më i fortë.

«NA JEP MË SHUMË BESIM»

18. Çfarë mund të bësh nëse vëren ndonjë pikë të dobët te besimi yt?

18 Nëse sprovat në të kaluarën ose sot kanë nxjerrë në pah ndonjë pikë të dobët te besimi yt, mos u shkurajo. Shihe këtë si një mundësi për ta forcuar besimin. Imito apostujt që i thanë Jezuit: «Na jep më shumë besim.» (Luka 17:5) Gjithashtu, medito për shembujt që kemi shqyrtuar në këtë artikull. Si Migeli dhe Jurai, kujto çdo rast kur ke parë dorën e Jehovait në jetë. Si vajza e Veros dhe Anela, lutju me zjarr Jehovait, sidomos kur kalon ndonjë sprovë të rëndë. Dhe si Gejdi, dalloje si të jep ndihmën e nevojshme Jehovai me anë të familjes ose miqve. Nëse e lejon Jehovain të të ndihmojë t’u bësh ballë sprovave sot, do të të forcohet siguria se ai do të të ndihmojë të përballosh çdo sprovë në të ardhmen.

19. Për çfarë ishte i sigurt Jezui, dhe për çfarë mund të jesh i sigurt ti?

19 Jezui i ndihmoi dishepujt të dallonin ku kishin nevojë për më shumë besim. Ama nuk dyshoi kurrë se, me ndihmën e Jehovait, do t’ia dilnin t’i përballonin sprovat që kishin para. (Gjoni 14:1; 16:33) Gjithashtu ishte i sigurt se besimi i fortë do ta ndihmonte një shumicë të madhe t’i mbijetonte shtrëngimit të madh në të ardhmen. (Zbul. 7:9, 14) A do të jesh edhe ti mes tyre? Falë mirësisë së pamerituar të Jehovait, do të jesh patjetër, nëse shfrytëzon tani çdo mundësi për ta forcuar besimin!—Hebr. 10:39.

KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»

^ Mezi e presim fundin e këtij sistemi. Por hera-herës ndoshta pyesim veten nëse besimi ynë do të jetë aq i fortë sa t’ia dalim të qëndrojmë deri në fund. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa shembuj dhe mësime që do të na ndihmojnë ta forcojmë besimin.