TEMA KRYESORE | PSE TË JESH I NDERSHËM?
A është jashtë mode ndershmëria?
Hitoshi punonte në zyrën e llogarisë të një agjencie punësimi në Japoni. Teksa kryente një kontroll financiar me shefin e tij, Hitoshit iu kërkua të bënte një raport të falsifikuar. Ai shpjegoi se nuk ia lejonte ndërgjegjja të bënte punë të pandershme. Si pasojë, shefi e kërcënoi se do ta pushonte nga puna dhe, në fund, Hitoshi e humbi vendin e punës.
Në muajt që pasuan, Hitoshit iu prenë shpresat për të gjetur punë. Për shembull, në një intervistë pune, Hitoshi tha se nuk mund të bënte punë të pandershme. Intervistuesi iu përgjigj: «Ti mendoke në mënyrë të çuditshme!» Familja dhe miqtë e Hitoshit e nxitën të vazhdonte të ishte i ndershëm, por ai nisi të kishte dyshime. Për shembull, tha: «Pyesja veten nëse ia vlente të tregohesha i ndershëm për hir të besimit tim.»
Përvoja e Hitoshit është një zile alarmi që na kujton se jo çdokush e vlerëson ndershmërinë. Në fakt, disa e konsiderojnë pengesë, veçanërisht në botën e biznesit. Një grua që punon në Afrikën e Jugut, u shpreh: «Më rrethojnë njerëz të pandershëm dhe ndonjëherë përballem me një presion tejet të madh për t’u bërë si ata.»
Sot, një formë mjaft e përhapur e pandershmërisë është gënjeshtra. Disa vite më parë, një studim nga Robert S. Feldmani, psikolog në Universitetin Masaçusets Emërst, nxori përfundimin se 60 për qind e të rriturve gënjejnë të paktën një herë gjatë një bisede dhjetëminutëshe. Feldmani thotë: «Ishte një rezultat tepër befasues. Nuk prisnim që gënjeshtrat të ishin bërë kaq të zakonshme në jetën e përditshme.» A nuk është e çuditshme që shumë s’e honepsin dot t’i gënjejnë, e megjithatë për vete e kanë si bukë e djathë gënjeshtrën?
Po pse janë kaq të zakonshme sot gënjeshtrat, vjedhjet ose format e tjera të pandershmërisë? Si ndikon pandershmëria në shoqërinë në tërësi? Dhe, ç’është më e rëndësishmja, si mund t’i shmangim këto praktika të pandershme?