Veçse një keqkuptim i vogël?
Një vajzë e vogël pa tymin që dilte nga oxhaqet e fabrikës teksa formonte shtëllunga që dukeshin si re të pambukta. Nga kjo vogëlushja mendoi se qëllimi i fabrikës ishte të krijonte re. Keqkuptimi i vogël i një fëmije mund të shkaktojë buzëqeshje. Megjithatë, një keqkuptim më i madh mund të sjellë pasoja në jetën tonë. Për shembull, po ta lexojmë gabim etiketën e një kutie ilaçesh, mund të kemi pasoja serioze.
Keqkuptimet për çështjet që lidhen me besimin te Zoti mund të jenë edhe më serioze. Për shembull, disa i keqkuptuan mësimet e Jezuit. (Gjoni 6:48-68) Në vend që të mësonin më shumë, ata hodhën poshtë gjithçka që u mësoi. Çfarë humbjeje!
A e lexon Biblën për drejtim në jetë? Të lumtë! Por, a ekziston rreziku që ta keqkuptosh diçka që ke lexuar? Kjo u ndodh shumë vetave. Shqyrto tri nga keqkuptimet e zakonshme.
-
Disa e keqkuptojnë urdhrin biblik ‘për t’iu frikësuar Perëndisë së vërtetë’. Ata mendojnë se pritet të shfaqin frikë të sëmurë ndaj Zotit. (Eklisiastiu 12:13) Ama, Zoti nuk dëshiron që adhuruesit e tij të ndihen kështu. Ai thotë: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.» (Isaia 41:10) T’i frikësohesh Perëndisë, do të thotë thjesht të ndiesh nderim e respekt të thellë për të.
-
Disa të tjerë i keqinterpretojnë këto fjalë të frymëzuara: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur.» Ata arrijnë në përfundimin se Perëndia ka përcaktuar ditën e vdekjes së çdo njeriu. (Eklisiastiu 3:1, 2) Megjithatë, e vërteta është se këto fjalë përshkruajnë ciklin e jetës dhe nxjerrin në pah se të gjithë jemi të dënuar me vdekje. Fjala e Perëndisë mëson edhe se vendimet që marrim mund të ndikojnë në jetëgjatësinë tonë. Për shembull, në të lexojmë: «Frika nga Jehovai do të shtojë ditë.» (Proverbat 10:27; Psalmi 90:10; Isaia 55:3) Si ka mundësi? Po ja, respekti për Fjalën e Perëndisë do të na ndihmojë të shmangim praktika të dëmshme, si: dehja dhe imoraliteti.—1 Korintasve 6:9, 10.
-
Disa e marrin fjalë për fjalë atë që thotë Bibla se qiejt e toka janë «ruajtur për zjarrin», dhe nxjerrin përfundimin se Zoti do ta shkatërrojë planetin. (2 Pjetrit 3:7) Por, Perëndia ka premtuar se nuk do të lejojë kurrë që të shkatërrohet toka si planet. Perëndia ‘e ka vendosur tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës’. (Psalmi 104:5; Isaia 45:18) Në të vërtetë, ai që do të marrë fund njëherë e mirë si të ishte shkatërruar nga zjarri, është ky sistem botëror i korruptuar, jo vetë planeti. Kur përdoret në kuptimin e mirëfilltë, fjala qiell mund t’i referohet ose qiellit fizik, domethënë universit plot yje, ose vendbanimit të Perëndisë. Asnjë prej tyre nuk do të shkatërrohet.
PSE KEQKUPTOHET NDONJËHERË BIBLA?
Siç shihet nga këta shembuj, njerëzit shpesh i keqkuptojnë vargjet e Biblës. Po pse e ka lejuar Perëndia këtë? Mbase ca arsyetojnë: «Nëse Zoti është tejet i mençur dhe i ditur, do të na kishte dhënë një libër të shkruar kaq qartë, sa çdokush ta kuptonte kollaj. Pse s’e ka bërë këtë?» Shqyrto tri arsye pse Bibla shpesh keqkuptohet.
-
Bibla është shkruar me qëllim që të kuptohet nga ata që janë të përulur dhe të gatshëm për të mësuar. Jezui i tha Atit të tij: «Unë Luka 10:21) Bibla është shkruar në një mënyrë të tillë që mesazhin e saj ta kuptojnë vetëm ata që kanë qëndrimin e duhur. Njerëzit me qëndrim krenar—karakteristikë e ‘të mençurve dhe e të zgjuarve’—priren ta keqkuptojnë Biblën. Kurse njerëzit që kanë qëndrimin e «fëmijëve» kur lexojnë Biblën—të përulur e të etur për të mësuar—shpërblehen me një kuptueshmëri më të qartë të mesazhit të Perëndisë. Sa me mjeshtëri e ka projektuar Perëndia Biblën!
të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ti ua ke fshehur me kujdes këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» ( -
Bibla u drejtohet atyre njerëzve që me sinqeritet kërkojnë ndihmën e Zotit për ta kuptuar. Jezui tregoi se njerëzve do t’u nevojitej ndihmë që t’i kuptonin plotësisht mësimet e tij. Nga do të vinte kjo ndihmë? Jezui shpjegoi: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë gjithçka.» (Gjoni 14:26) Pra, Perëndia ka siguruar frymën e tij të shenjtë—forcën e tij të fuqishme e aktive—që t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë Biblën. Gjithsesi nuk ua jep frymën atyre që nuk mbështeten tek ai për ndihmë. Ja pse Bibla shpesh u duket e pakuptueshme. Fryma e shenjtë i nxit të krishterët me më shumë përvojë që t’i ndihmojnë ata që kërkojnë më tepër kuptueshmëri.—Veprat 8:26-35.
-
Disa pjesë të Biblës mund t’i kuptojmë vetëm në kohën e caktuar. Për shembull, profetit Daniel iu tha të shkruante një mesazh për të ardhmen. Një engjëll i tha: «Daniel, mbaji të fshehta fjalët dhe vulose librin, deri në kohën e fundit.» Përgjatë shekujve, shumë njerëz e kanë lexuar librin biblik të Danielit, por nuk e kanë kuptuar dot. Faktikisht edhe vetë Danieli nuk i kuptoi disa nga gjërat që shkroi. Më përulësi pranoi: «Unë dëgjova, por nuk kuptova.» Në fund njerëzit do ta kuptonin qartë profecinë e Perëndisë që shkroi Danieli, ama vetëm në atë moment të historisë që kishte caktuar Perëndia. Engjëlli shpjegoi: «Shko, Daniel, sepse fjalët janë mbajtur të fshehta dhe të vulosura deri në kohën e fundit.» Kush do t’i kuptojë mesazhet e Perëndisë? «Asnjë i lig nuk do të kuptojë, por ata që kanë gjykim të thellë, do të kuptojnë.» (Danieli 12:4, 8-10) Pra, Zoti nuk e zbulon kuptimin e disa pjesëve të Biblës pa ardhur koha e duhur.
A e kanë keqkuptuar ndonjëherë Biblën Dëshmitarët e Jehovait ngaqë nuk ishte momenti i duhur? Po. Ama, kur erdhi koha që Perëndia t’i qartësonte gjërat, Dëshmitarët me gatishmëri e ndreqën kuptueshmërinë e tyre. Ata besojnë se kështu imitojnë apostujt e Krishtit, të cilët me përulësi e ndreqnin mënyrën si mendonin çdo herë që i korrigjonte Jezui.—Veprat 1:6, 7.
Fantazia e një vogëlusheje për formimin e reve mund të jetë thjesht një keqkuptim i vogël. Megjithatë, ajo që mëson Bibla ka shumë rëndësi për ty. Mesazhi që përmban Bibla është kaq jetësor, sa nuk mjaftojnë vetëm përpjekjet për ta kuptuar vetë. Prandaj kërko ndihmë që të kuptosh çfarë po lexon. Kërko ata që e studiojnë Biblën me qëndrim të përulur, njerëz që mbështeten te fryma e shenjtë e Perëndisë për ta kuptuar, njerëz që janë të bindur se po jetojmë në atë moment të historisë kur Perëndia do që ta kuptojmë Biblën si kurrë më parë. Mos ngurro të flasësh me Dëshmitarët e Jehovait ose të lexosh studimet e tyre të kujdesshme në sitin jw.org. Bibla premton: «Nëse i thërret kuptueshmërisë . . . , do të gjesh njohurinë e Perëndisë.»—Proverbat 2:3-5.