Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Nuk doja të vdisja!

Nuk doja të vdisja!
  • LINDUR: 1964

  • VENDI I LINDJES: ANGLI

  • TË DHËNA: NËNË ADOLESHENTE REBELE

E KALUARA IME:

Linda në Pedington, një zonë me popullsi të dendur në Londër, Angli. Jetoja me mamanë dhe me tri motrat e mëdha. Im atë herë vinte e herë ikte nga shtëpia, ngaqë kishte probleme me alkoolin.

Kur isha fëmijë, mamaja më mësoi të lutesha çdo natë. Kisha një Bibël të vogël që përmbante vetëm Psalmet dhe krijova melodi që t’i këndoja. Më kishte mbetur në mendje një shprehje që kisha lexuar në librat e shkollës: «Një ditë nuk do të ketë të nesërme.» Këto fjalë më lanë zgjuar gjithë natën, duke menduar për të ardhmen. Thosha me vete: «Sigurisht, jeta nuk mund të jetë vetëm kaq. Pse jetoj? Nuk doja të vdisja!

Më tërhiqnin shumë gjërat që lidheshin me magjinë. U përpoqa të flitja me të vdekurit, shkoja te varrezat me shokët e shkollës dhe shihnim filma horror. Mendonim se ishte edhe emocionuese, edhe e frikshme.

Kur isha dhjetë vjeçe, fillova të bëhesha rebele. Nisa duhanin dhe shpejt u bëra e varur ndaj tij. Më vonë kalova te marihuana. Që 11 vjeçe fillova të eksperimentoja me alkoolin. Edhe pse nuk më shijonte, më pëlqente ndjesia që më sillte dehja. Më pëlqenin edhe muzika e kërcimi. Sa herë kisha mundësi, shkoja në festa dhe në klube nate. Dilja tinëz natën dhe po tinëz kthehesha pak para se të zbardhte dita. Të nesërmen isha e vdekur, prandaj vazhdimisht lija orët e mësimit. Kur shkoja në shkollë, shpesh pija alkool ndërmjet orëve të mësimit.

Vitin e fundit të shkollës mora nota shumë të këqija. Mamaja thuajse nuk dinte asgjë për sjelljen time rebele, ndaj u zhgënjye dhe u zemërua kur e mori vesh. U zumë dhe ia mbatha nga shtëpia. Për njëfarë kohe ndenja me të dashurin, Tonin. Ai ishte i përfshirë në krime që konsiderohen të lehta, shiste drogë dhe njihej për sjellje tejet të dhunshme. Shpejt mbeta shtatzënë dhe, kur isha vetëm 16 vjeçe, linda djalin tonë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Dëshmitarët e Jehovait i takova për herë të parë kur jetoja në një pension për mamatë e pamartuara dhe foshnjat e tyre. Autoritetet vendase më dhanë një dhomë. Dy Dëshmitare vizitonin rregullisht disa mama të tjera të reja. Një ditë hyra edhe unë në muhabet. Kisha qëllim të tregoja se Dëshmitarët e kishin gabim. Mirëpo, secilës prej pyetjeve të mia të shumta iu përgjigjën me qetësi dhe qartë nga Bibla. Ishin vërtet të mira e të sjellshme dhe kjo më tërhoqi shumë. Kështu që rashë dakord të studioja Biblën me to.

Shpejt mësova diçka nga Bibla që ma ndryshoi jetën. Që kur isha e vogël, kisha frikë nga vdekja. Ama, tani zbulova se Jezui kishte folur për ringjalljen. (Gjoni 5:28, 29) Mësova edhe se Zoti kujdeset veçanërisht për mua. (1 Pjetrit 5:7) Më prekën sidomos fjalët e Jeremisë 29:11: «Sepse unë e di mirë se ç’mendoj për ju,​—thotë Jehovai,—​mendoj për paqe, dhe jo për gjëmë, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.» Fillova të besoja se mund të kisha shpresën të jetoja përgjithmonë në Parajsë në tokë.​—Psalmi 37:29.

Dëshmitarët e Jehovait më treguan dashuri të sinqertë. Kur ndoqa për herë të parë një mbledhje të tyre, atmosfera ishte e ngrohtë dhe mikpritëse​—të gjithë ishin shumë miqësorë. (Gjoni 13:34, 35) Ishte krejt ndryshe nga mënyra si më kishin trajtuar në një kishë vendëse. Dëshmitarët më mirëpritën, pavarësisht nga lloji i jetës që bëja. Më kushtuan kohë e vëmendje, u kujdesën për mua dhe më ndihmuan shumë edhe nga ana praktike. Ndihesha pjesë e një familjeje të madhe e të dashur.

Nga studimi i Biblës kuptova se duhet të bëja ndryshime që të isha në përputhje me normat e larta morale të Perëndisë. S’e kisha edhe aq të lehtë të hiqja dorë nga duhani. Në të njëjtën kohë kuptova se disa lloje muzike më shtonin dëshirën për marihuanë, ndaj ndryshova llojin e muzikës që dëgjoja. Ngaqë doja të isha esëll, nuk shkoja më në festa e klube nate ku mund të tundohesha për t’u dehur. Gjithashtu kërkova miq të rinj që ndikonin për mirë e që do të më ndihmonin me stilin e ri të jetesës.​—Proverbat 13:20.

Ndërkohë edhe Toni kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ndërsa Dëshmitarët u përgjigjeshin nga Bibla pyetjeve të tij, edhe ai u bind se ato që po mësonte, ishin të vërteta. Bëri ndryshime drastike në jetë: hoqi dorë nga shoqëritë e dhunshme, nuk u mor më me krime dhe la marihuanën. Meqë të dy donim t’i pëlqenim plotësisht Jehovait, e pamë të nevojshme të ndreqnim jetën tonë imorale dhe të krijonim një ambient më të sigurt për çunin. U martuam më 1982.

«Nuk rri më zgjuar natën duke u merakosur për të ardhmen a për vdekjen»

Kujtoj që kërkoja në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! * përvoja të atyre që ia kishin dalë me sukses të bënin ndryshimet që doja të bëja edhe unë. Shembujt e tyre më inkurajuan shumë. U nxita të përpiqesha fort e të mos dorëzohesha. I lutesha rregullisht Jehovait të mos hiqte dorë nga unë. Në korrik 1982 unë dhe Toni u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait.

DOBITË:

Miqësia me Perëndinë Jehova më shpëtoi jetën. Bashkë me Tonin kemi parë edhe ndihmën e Jehovait në kohë të vështira. Kemi mësuar të mbështetemi te Zoti në vështirësi dhe ndiejmë se ai gjithmonë e ka ndihmuar dhe e ka mbështetur familjen tonë.​—Psalmi 55:22.

Jam kënaqur shumë ndërsa ndihmoja djalin dhe vajzën tonë të njihnin Jehovain si unë. Tani ndiej të njëjtin gëzim kur shoh edhe fëmijët e tyre të mësojnë për Perëndinë.

Nuk rri më zgjuar natën duke u merakosur për të ardhmen a për vdekjen. Unë dhe Toni jemi shumë të zënë duke udhëtuar çdo javë nëpër kongregacione të ndryshme të Dëshmitarëve të Jehovait, për t’i inkurajuar. Bashkë me ta mësojmë të tjerë që, nëse besojnë te Jezui, edhe ata do të mund të shijojnë jetën e përhershme.

^ par. 19 Gjithashtu të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait.