Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1 Ndihmë për të shmangur problemet

1 Ndihmë për të shmangur problemet

Bibla thotë se këshillat e saj janë të frymëzuara dhe ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar e për të ndrequr’. (2 Timoteut 3:16) A është vërtet kështu? Le të shqyrtojmë si i ka ndihmuar mençuria e Biblës mjaft veta që t’i shmangnin disa zakone shumë të këqija para se të rrënjoseshin thellë.

KEQPËRDORIMI I ALKOOLIT

Delfina që përmendëm në artikullin e mëparshëm, kuptoi se për shkak të ankthit po jepej gjithnjë e më shumë pas alkoolit. Bibla nuk e dënon përdorimin e tij me karar, megjithatë thotë: «Mos rri me ata që pinë verë me tepri, as me ata që s’kanë të ngopur me mish.» (Proverbat 23:20) Keqpërdorimi i alkoolit sjell probleme të rënda shëndetësore, prish marrëdhëniet me të tjerët dhe shkakton miliona vdekje të parakohshme çdo vit. Shumica e këtyre telasheve do të shmangeshin po të zbatoheshin këshillat e mençura të Biblës.

Delfina i zbatoi. Ajo shprehet: «Kuptova se alkooli nuk ma pakësonte ankthin. Veprova sipas këshillës së mençur te Filipianëve 4:6, 7: ‘Mos jini në ankth për asgjë, por . . . bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja.’ Çdo natë, kur më kaplonin mendimet negative e ankthi, i lutesha Jehovait. I flisja për çdo ndjenjë, për zemërimin, lëndimin e dëshpërimin dhe i përgjërohesha të më ndihmonte të isha më optimiste. Në mëngjes bëja çmos të mos i mbaja më në zemër këto ndjenja negative. Ky zakon më ndihmoi të përqendrohesha tek ajo që kisha, jo tek ajo që s’kisha. E ndava mendjen të mos pija më kurrë alkool, sepse paqja që gjeta, s’kishte të paguar, ndaj s’mund të rrezikoja ta humbitja.»

IMORALITETI

Pak gjëra na e copëtojnë zemrën e na sjellin kaq vuajtje sa imoraliteti. Parimet e Biblës na ndihmojnë t’i shmangim këto probleme duke kuptuar disa nga shkaqet kryesore, si flirtimin e papërshtatshëm dhe pornografinë. Një i ri me emrin Samuel, thotë: «Ishte shumë e lehtë të flirtoje. Ndonjëherë s’më tërhiqte fare një vajzë, por e kuptoja nëse ajo më kishte qejf, dhe flirtimi bëhej goxha zbavitës.» Kaq shpesh e akuzuan se flirtonte, madje edhe kur s’e kishte qëllim, saqë vendosi të flirtonte kastile. Por, ky ves po e shqetësonte. Tani ai thotë: «Është i dëmshëm, sepse të bën shumë egoist.»

Samueli lexoi një artikull për të rinjtë në sitin jw.org. Pastaj mendoi për Proverbat 20:11, që thotë: «Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.» Si e ndihmoi ky parim? Samueli kuptoi se flirtimi nuk ishte veprim as i kulluar, as i drejtë. Ai shprehet: «Gjithashtu mësova se një i ri që flirton, zhvillon cilësi që e bëjnë bashkëshort të keq. Nisa të përfytyroja si do të ndihej bashkëshortja ime e ardhshme po të më shihte tek flirtoja me një grua tjetër. Nga kjo kuptova se flirtimi nuk është zakon i padëmshëm. Fakti që është e lehtë të flirtosh, s’do të thotë se është e drejtë.» Megjithatë, Samueli ndryshoi. Shmangia e flirtimit e ka ndihmuar të shmangë edhe imoralitetin.

Antonio rrezikonte edhe më shumë të kryente imoralitet: kishte krijuar varësi ndaj pornografisë. Ndonëse e donte bashkëshorten, binte herë pas here në këtë ves. Ai thotë se e ka ndihmuar pa masë meditimi për fjalët që gjenden te 1 Pjetrit 5:8: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» Antonio pohon: «Pamjet pornografike gjenden gjithandej dhe të nguliten në mendje. Ky varg më ndihmoi vërtet të mendoja për burimin e këtyre tundimeve. Duhej ta bëja refleks t’i lidhja pamjet e ndyra me burimin e tyre të neveritshëm. Tani e di se vetëm Jehovai mund të më ndihmojë ‘të ruaj gjykimin e të jem syçelë’, që të luftoj kundër këtyre gjërave që më dëmtojnë mendjen, zemrën e martesën.» Antonio mori ndihmën e duhur dhe më në fund është çliruar nga ky ves. Kështu ka shmangur telashe edhe më të mëdha.

Është e qartë se Bibla ka këshilla praktike që na ndihmojnë të shmangim probleme serioze. Por, ç’të themi për problemet që kanë lëshuar rrënjë prej kohësh? Le të shohim si na ndihmon Fjala e Perëndisë t’i zgjidhim probleme të tilla.

Drejtimi praktik i Biblës na ndihmon t’i shmangim disa probleme