A i dëgjon Zoti lutjet?
A ke dyshuar ndonjëherë se Zoti nuk të dëgjon kur i lutesh? Nëse po, nuk je i vetmi. Shumë i janë lutur për probleme të ndryshme, por përsëri nuk kanë marrë zgjidhje. A do të thotë kjo se Zoti i shpërfill lutjet tona? Jo! Bibla na siguron se ai na dëgjon kur i lutemi siç duhet. Të shohim çfarë thotë Bibla.
ZOTI NA DËGJON VËRTET.
«O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijnë njerëz nga çdo cep i tokës.»—Psalmi 65:2.
Disa njerëz luten sepse kjo i bën të ndihen më mirë, edhe pse nuk besojnë se dikush po i dëgjon. Por lutja nuk është thjesht terapi për të përballuar problemet. Bibla na siguron se «Jehovai * u rri pranë tërë atyre që e thërrasin, po, tërë atyre që e thërrasin me sinqeritet. . . . I dëgjon thirrjet e tyre për ndihmë».—Psalmi 145:18, 19.
Prandaj mund të jemi të sigurt se Perëndia Jehova i dëgjon lutjet e adhuruesve të tij. Nga dashuria na thotë: «Ju do të më thërritni për ndihmë, do të vini tek unë dhe do të më luteni, e unë do t’ju dëgjoj.»—Jeremia 29:12.
ZOTI DO QË T’I LUTESH.
«Ngulmoni në lutje.»—Romakëve 12:12.
Në Bibël nxitemi që ‘të lutemi vazhdimisht’ dhe «në çdo rast». Është e qartë se Jehovai do që t’i lutemi.—Mateu 26:41; Efesianëve 6:18.
Pse Zoti do që t’i lutemi? Mendo: cili baba nuk do të donte që fëmija i vet t’i thoshte: «Babi, më ndihmon pak?» Normalisht që babai mund ta dijë fare mirë si ndihet fëmija dhe për çfarë ka nevojë. Por, kur i dëgjon ato fjalë, e kupton se fëmija ka besim tek ai dhe se ka një lidhje të ngushtë me të. Po njësoj, kur i lutemi Perëndisë Jehova, i tregojmë se kemi besim tek ai dhe se duam të kemi një lidhje të ngushtë me të.—Proverbat 15:8; Jakovi 4:8.
ZOTI MERAKOSET PËR TY.
«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai merakoset për ju.»—1 Pjetrit 5:7.
Zoti dëshiron t’i lutemi ngaqë na do dhe merakoset për ne. Është plotësisht i vetëdijshëm për problemet dhe shqetësimet tona dhe dëshiron të na ndihmojë.
Gjatë gjithë jetës, mbreti David iu lut Perëndisë Jehova për ndihmë dhe iu hap për ndjenjat dhe mendimet e tij. (Psalmi 23:1-6) Çfarë ndiente Perëndia për Davidin. E donte Davidin dhe e dëgjonte teksa lutej shpesh. (Veprat 13:22) Po njësoj, Zoti i dëgjon lutjet tona, sepse merakoset për ne.
«SA E DUA JEHOVAIN, SE ZËRIN DHE PËRGJËRIMET M’I DËGJON!»
Këto janë fjalët e një prej shkrimtarëve të Psalmeve në Bibël. Ai ishte i sigurt se Zoti ia dëgjonte lutjet, dhe kjo e ndihmoi shumë. Ndihej më afër tij dhe gjeti forcën e nevojshme për të përballuar vështirësitë dhe ankthet e jetës.—Psalmi 116:1-9.
Kur jemi të sigurt se Perëndia na i dëgjon lutjet, do të vazhdojmë të flasim me të. Të shohim rastin e Pedros që jeton në Spanjën Veriore. Ai humbi djalin 19-vjeçar në një aksident automobilistik. I pikëlluar ia zbrazi zemrën Perëndisë dhe u lut vazhdimisht për ngushëllim e mbështetje. Çfarë ndodhi? «Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia nëpërmjet ngushëllimit dhe mbështetjes që morëm unë dhe gruaja nga të bashkëkrishterët»,—thotë Pedro.
Ndonëse lutjet nuk ia sollën përsëri në jetë të birin, ato e ndihmuan shumë Pedron dhe familjen e tij. Bashkëshortja, Maria del Karmen, thotë: «Lutjet më ndihmuan të përballoja hidhërimin. E dija se Perëndia Jehova më kuptonte sepse, sa herë që lutesha, ndieja paqe e qetësi.»
Nga Bibla dhe këto eksperienca, kuptojmë se pa dyshim Zoti i dëgjon lutjet. Gjithsesi është fare e qartë se Zoti nuk u përgjigjet të gjitha lutjeve. Pse për disa lutje Zoti përgjigjet e për disa jo?
^ par. 5 Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.