Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | PSE VUAJTI E VDIQ JEZUI?

A ka ndodhur vërtet?

A ka ndodhur vërtet?

Pranverën e vitit 33 të e.s. Jezu nazareasi u ekzekutua. E akuzuan pa të drejtë për nxitje kryengritjeje, e rrahën mizorisht dhe e gozhduan në shtyllë. Vdiq me dhembje torturuese. Por, Perëndia e ktheu në jetë dhe, pas 40 ditësh u ngjit në qiell.

Këtë tregim të jashtëzakonshëm e gjejmë në katër ungjijtë e Shkrimeve të Krishtere Greke, që në përgjithësi njihen si Dhiata e Re. A ndodhën vërtet këto gjëra? Kjo është pyetje me vend që duhet marrë seriozisht. Nëse nuk kanë ndodhur, besimi i krishterë do të ishte i kotë dhe shpresa për jetën e përhershme në Parajsë do të ishte veçse ëndërr në diell. (1 Korintasve 15:14) Por, nëse kanë ndodhur vërtet, na pret një e ardhme e shkëlqyer, pjesë e së cilës mund të jesh edhe ti. Atëherë, ungjijtë janë histori të vërteta apo përralla?

ÇFARË THONË FAKTET

Ndryshe nga legjendat që janë pjellë e imagjinatës, në ungjij gjejmë saktësi të pashoqe dhe u jepet rëndësi hollësive. Për shembull, kanë plot emra vendesh që kanë ekzistuar vërtet, shumë prej të cilave mund t’i vizitojmë edhe sot. Flasin për njerëz realë, ekzistenca e të cilëve është vërtetuar nga historianët.​—Luka 3:1, 2, 23.

Vetë Jezui përmendet nga shkrimtarët e shekullit të parë e të dytë. * Mënyra si u ekzekutua, përkon me mënyrën që përdornin romakët në atë kohë. Për më tepër, ngjarjet tregohen në bazë të fakteve dhe me sinqeritet, madje pa fshehur as të metat e disa dishepujve të Jezuit. (Mateu 26:56; Luka 22:24-26; Gjoni 18:10, 11) Të gjithë këta faktorë janë dëshmi e fortë se shkrimtarët e ungjijve ishin të sinqertë dhe të saktë kur shkruan për Jezuin.

Ç’TË THEMI PËR RINGJALLJEN E JEZUIT

Ekzistenca dhe vdekja e Jezuit besohen gjerësisht, por kur vjen puna te ringjallja e tij . . . As apostujt nuk e besuan herën e parë që dëgjuan se ishte ringjallur. (Luka 24:11) Megjithatë, çdo dyshim ra kur ata dhe dishepuj të tjerë e panë Jezuin e ringjallur në raste të ndryshme. Në fakt, në një rast kishte më tepër se 500 dëshmitarë okularë.​—1 Korintasve 15:6.

Edhe pse dishepujt rrezikonin të arrestoheshin e të vriteshin, ringjalljen e Jezuit ua shpallën me guxim të gjithëve, madje edhe atyre që e kishin ekzekutuar. (Veprat 4:1-3, 10, 19, 20; 5:27-32) A do të kishin aq shumë guxim gjithë ata dishepuj po të mos ishin plotësisht të bindur se Jezui ishte ringjallur vërtet? Në fakt, kaq e vërtetë është ringjallja e Jezuit, sa falë saj krishterimi ka ndikuar goxha te njerëzimi edhe atëherë, edhe tani.

Vetë tregimet e ungjijve për vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit dëshmojnë mjaftueshëm se janë dokumentime autentike dhe të bazuara në fakte. Nëse i lexon me kujdes, do të bindesh se këto ngjarje kanë ndodhur vërtet. Do të bindesh edhe më shumë po të kuptosh pse ndodhën. Kjo do të shpjegohet në artikullin tjetër.

^ par. 7 Taciti, lindur rreth vitit 55 të e.s., shkroi se «Krishti, nga i cili rrjedh emri [i të krishterëve], u ekzekutua nga prokurori Ponc Pilati, gjatë mbretërimit të Tiberit». Jezui përmendet edhe nga Suetoni (shekulli i parë), Jozefi, historian jude (shekulli i parë) dhe Plini i Riu, guvernator i Bitinisë (fillimi i shekullit të dytë).