Ja pse IA VLEN të jetosh
NË ARTIKUJT e mëparshëm pamë se jeta mund të duket e padurueshme për shkak të ngjarjeve traumatike. Ndërsa po lufton me problemet e tua, mbase dyshon nëse ia vlen të jetosh apo nëse ndokush të vë re. Megjithatë mund të jesh i sigurt se Perëndia të vë re kur përjeton ankth. Ti je i çmuar për të.
Shkrimtari i Psalmit 86 e shprehu besimin te Perëndia me këto fjalë: «Ditën kur të jem në ankth, do të të thërras, sepse ti do të më përgjigjesh.» (Psalmi 86:7) Por, ndoshta pyet veten: «Si do të më përgjigjet Zoti ‘ditën kur të jem në ankth?’»
Ndonëse mund të mos t’i zgjidhë problemet tak-fak, në Fjalën e tij, në Bibël, premton se do të të japë paqe të brendshme që t’i përballosh: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe [mendimet tuaja].» (Filipianëve 4:6, 7) Të lutemi shqyrto vargjet e mëposhtme nga Bibla, të cilat na sigurojnë se Perëndia merakoset vërtet për ne.
Perëndia interesohet vërtet për ty
«Asnjë [harabel] nuk harrohet përpara Perëndisë. . . . Ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Luka 12:6, 7.
NDALU E MENDO: Këta zogj që mund të duken të parëndësishëm, nuk janë të tillë për Perëndinë. Syrit të tij nuk i shpëton asnjë harabel i vockël; secili prej tyre është një krijesë e çmuar. Për Të, njerëzit janë ku e ku më të çmuar se harabelat. Si pjesa më e spikatshme e krijimit të tij në tokë, ata janë bërë sipas «shëmbëlltyrës» së Perëndisë dhe kanë aftësi të zhvillojnë e të shfaqin cilësitë e tij të mrekullueshme.—Zanafilla 1:26, 27.
‘O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh. Shqyrton çdo mendim timin. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë.’—Psalmi 139:1, 2, 23.
NDALU E MENDO: Perëndia të njeh shumë mirë. Ai kupton ndjenjat dhe meraqet që vetëm shpirti yt i di. Edhe kur të tjerët mund të mos e kuptojnë çfarë situate stresuese po kalon, Perëndia ka merak për ty dhe dëshiron të të ndihmojë. Prandaj ia vlen të jetosh!
Jeta jote ka kuptim
«O Jehova, dëgjoje lutjen time! Ardhtë te ti thirrja ime për ndihmë! . . . Ktheje veshin nga unë; ditën kur të të thërras, nxito e m’u përgjigj. . . . Ai do ta dëgjojë lutjen e skamësit.» —Psalmi 102:1, 2, 17.
NDALU E MENDO: Në njëfarë kuptimi, Jehovai ka mbajtur shënim çdo pikë loti që kanë derdhur njerëzit për shkak të vuajtjeve. (Psalmi 56:8) Ka mbajtur shënim edhe lotët e tu. Perëndia nuk i harron gjithë vështirësitë dhe lotët e tu, sepse je i shtrenjtë për të.
«Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt . . . të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’» —Isaia 41:10, 13, NWT, botimi 2013.
NDALU E MENDO: Perëndia është gati të të ndihmojë. Nëse bie, ai do të të ngrejë.
E ardhmja do të jetë më e mirë
«Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.
NDALU E MENDO: Ti ke kaq shumë vlerë për Perëndinë saqë, për të mirën tënde, dha vullnetarisht si flijim Birin e vet, Jezuin. Ky flijim të çel rrugën drejt një jete të pafund, të lumtur e me qëllim. *
Edhe nëse po përjeton ankth dhe të duket sikur s’ke ç’e do jetën, studio me kujdes Fjalën e Perëndisë dhe forco besimin te premtimet e Tij për të ardhmen. Kështu do të jesh i lumtur dhe i sigurt se ia vlen të jetosh.
^ Që të mësosh më shumë si të sjell dobi flijimi i Jezuit, shih videon Të kujtojmë vdekjen e Jezuit te www.pr418.com. Shih te PËR NE > PËRKUJTIMI.