Kur godet një katastrofë
NËSE i ke mbijetuar ndonjë katastrofe, ka të ngjarë të kuptosh atë që kanë provuar të mbijetuar të tjerë: tronditje, mohim, çorientim, ankth dhe makthe. Mjaft të mbijetuar zemërlëshuar dhe të rraskapitur nuk kanë më dëshirë të jetojnë.
Nëse edhe ti ke humbur gjithçka për shkak të një katastrofe, ndoshta ndihesh sikur s’mban dot më. Madje mund të dyshosh nëse ia vlen akoma të jetosh. Megjithatë, Bibla shpjegon se ia vlen të jetosh dhe se ke arsye të forta për të shpresuar te një e ardhme më e mirë.
E VËRTETA E BIBLËS NA JEP SHPRESË
Eklisiastiu 7:8 thotë: «Më mirë se fillimi i një çështjeje është ajo që vjen pas saj.» Kur je në hapat e parë të rimëkëmbjes pas një katastrofe, jeta mund të duket e pashpresë. Por, teksa punon me durim për të rindërtuar jetën, gjërat mund të përmirësohen.
Bibla parathotë se do të vijë koha kur «s’do të dëgjohet më asnjë e qarë ose vajtim». (Isaia 65:19) Ky premtim do të plotësohet kur toka të kthehet në parajsë, nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë. (Psalmi 37:11, 29) Katastrofat do t’i përkasin së kaluarës. Çdo kujtim i dhimbshëm dhe traumë do të fshihet njëherë e mirë, sepse Perëndia i Plotfuqishëm ka premtuar: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.»—Isaia 65:17.
Mendo pak: Krijuesi ka marrë masa ‘të të japë një të ardhme dhe një shpresë’—një jetë paqësore nën qeverisjen e Tij të përsosur. (Jeremia 29:11) A të jep një arsye për të jetuar kjo e vërtetë? Seli, e cituar në artikullin e parë, thotë: «Kur sjell ndër mend gjithë gjërat e mrekullueshme që Mbretëria e Perëndisë do të bëjë për ne në të ardhmen, e ke më të lehtë ta hedhësh pas krahëve të shkuarën dhe të jetosh të tashmen.»
Pse të mos mësosh më shumë për ndryshimet që do të sjellë së shpejti Mbretëria e Perëndisë? Teksa pret me padurim një të ardhme pa katastrofa, kjo njohuri do të të japë sigurinë se ia vlen të jetosh, pavarësisht nga ajo që ke kaluar. Ndërkohë, Bibla mund të të ndihmojë të përballosh pasojat e një katastrofe, duke të siguruar këshilla praktike. Shqyrto disa shembuj.