Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur të vdes një njeri i dashur

Kur të vdes një njeri i dashur

«M’u prenë krahët kur vëllai im i madh vdiq papritur. Edhe muaj më pas ndieja dhembje sa herë që më kujtohej. Ishte si një thikë që më ngulej në zemër. Me raste edhe zemërohesha. Pse duhej të vdiste? Ndihesha fajtore që nuk kisha ndenjur më shumë me të.»​—Vanesa, Australi.

NËSE të ka vdekur një njeri i dashur, mbase edhe ti ke provuar lloj-lloj ndjenjash. Mund të jesh ndier i pikëlluar, i vetmuar dhe i pafuqishëm, si edhe i zemëruar, fajtor ose i frikësuar. Madje, ndoshta ke dyshuar nëse ia vlen ende të jetosh.

Ji i sigurt se pikëllimi nuk është shenjë dobësie, por tregon sa shumë e doje njeriun tënd të shtrenjtë. Gjithsesi, a mund të lehtësohesh disi nga hidhërimi?

SI IA KANË DALË DISA

Ndërsa dhembja duket se s’mbaron kurrë, mund të ngushëllohesh nëse merr parasysh këto sugjerime:

MOS E NDRYDH PIKËLLIMIN

Mënyra dhe kohëzgjatja e pikëllimit ndryshon nga njëri te tjetri. Megjithatë, dhembja mund të të lehtësohet disi po të qash. Vanesa që përmendet më sipër, thotë: «Vetëm qaja; kisha nevojë të shfreja dhembjen.» Sofia, së cilës i vdiq motra papritur, tregon: «Ndiej dhembje kur mendoj për atë që ndodhi. Është sikur po hap e po pastroj një plagë të infektuar. Dhembja është thuajse e padurueshme, por kështu shërohet plaga.»

FOL PËR MENDIMET DHE NDJENJAT E TUA

Kuptohet se nganjëherë ke dëshirë të rrish vetëm. Gjithsesi, hidhërimi është një barrë e rëndë për ta mbajtur vetë. Xharedi 17-vjeçar, të cilit i vdiq i ati, kujton: «Fola me të tjerët për ndjenjat e mia. Vështirë t’i kem shprehur qartë, por u ndjeva mirë që i shpreha.» Xhanisa, që u citua në artikullin e parë, flet për një tjetër dobi: «Më ngushëllonin jashtë mase bisedat me të tjerët. Ndieja se më kuptonin dhe se nuk isha vetëm.»

PRANO NDIHMË

Një mjeke thotë: «I pikëlluari që i lejon miqtë dhe të afërmit ta ndihmojnë që në fillim [të tronditjes], zakonisht i kapërcen më lehtë fazat e tjera të hidhërimit.» Thuaju miqve për çfarë ke nevojë. Ka të ngjarë se duan të të ndihmojnë, por nuk dinë se si.—Proverbat 17:17.

AFROJU MË SHUMË PERËNDISË

Tina thotë: «Më parë i hapesha tim shoqi për gjithçka. Por, kur ai vdiq papritur për shkak të kancerit, ia zbrazja zemrën Perëndisë. Çdo mëngjes i lutesha për ndihmë që t’ia dilja mbanë atë ditë. Ai më ndihmoi në aq shumë mënyra, sa nuk numërohen.» Tarsha, që ishte 22 vjeçe kur i vdiq mamaja, pohon: «Leximi i Biblës ishte ngushëllimi im i përditshëm. Kështu kisha diçka të bukur për të menduar.»

PËRFYTYRO RINGJALLJEN

Tina vazhdon: «Në fillim, shpresa e ringjalljes nuk më ngushëllonte, sepse unë kisha nevojë për tim shoq, ndërsa çunat për të atin. Por tani, pas katër vjetësh, jam kapur fort pas kësaj shprese. Është si një litar shpëtimi për mua. Përfytyroj kohën kur do ta takoj sërish dhe kjo më sjell kaq shumë paqe e gëzim.»

Sigurisht që plaga e hidhërimit nuk shërohet sa hap e mbyll sytë. Megjithatë, rasti i Vanesës është zemërdhënës. Ajo thotë: «Ti mendon se kurrë nuk do të të shërohet plaga, por ditë më të mira do të vijnë.»

Mos harro se, pavarësisht nga boshllëku që të ka lënë njeriu yt i dashur, prapëseprapë ia vlen të jetosh. Falë kujdesit të butë të Perëndisë, mund të kesh akoma miqësi të ngrohta dhe një jetë kuptimplotë. Përveç kësaj, së shpejti Perëndia do t’i ringjallë të vdekurit. Ai do që ti ta përqafosh sërish njeriun tënd të shtrenjtë. Atëherë, dhembja e zemrës sate do të zhduket një herë e mirë!