TEMA KRYESORE | KUR TË VDES NJË NJERI I DASHUR
Të vdekurit do të kthehen në jetë!
Mbase të kujtohet Gejla që e përmendëm në këtë seri. Ajo nuk e di nëse do ta marrë veten pas vdekjes së Robit. Megjithatë, mezi pret ditën kur ta shohë sërish në botën e re që premton Zoti. Ajo shprehet: «Shkrimi që më pëlqen më shumë, është Zbulesa 21:3, 4.» Aty thuhet: «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»
Gejla thotë: «S’ke çfarë t’i shtosh më këtij premtimi! Më pikon në zemër për ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, por që nuk e dinë se ekziston shpresa për t’i parë sërish.» Gejla vepron në përputhje me bindjet e saj duke bërë punë vullnetare, pasi predikon në kohë të plotë. U flet të tjerëve për premtimin e Perëndisë se një ditë «nuk do të ketë më vdekje».
«Kjo është e pabesueshme!»—mund të thuash. Por, shqyrto rastin e një burri me emrin Job që vuante nga një sëmundje e tmerrshme. (Jobi 2:7) Megjithëse dëshironte të vdiste, ende besonte se Zoti kishte fuqi ta ringjallte në tokë. Ai tha tërë siguri: «Ah sikur të më fshihje në Sheol [ose, varr]! . . . Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:13, 15) Jobi ishte i sigurt se Perëndinë do ta merrte malli për të dhe se do të kishte dëshirë të zjarrtë ta kthente sërish në jetë.
Perëndia do ta realizojë këtë së shpejti—për Jobin dhe për shumë e shumë e tjerë—kur toka të kthehet në një parajsë. (Luka 23:42, 43) Bibla e konfirmon këtë te Veprat 24:15, ku thotë se ‘do të ketë ringjallje’. Jezui na siguron: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Jobi do ta shohë me sytë e vet përmbushjen e këtij premtimi. Do të ketë mundësi të rifitojë ‘gjallërinë si në ditët e rinisë’, dhe mishi i tij do të jetë përjetë «më i freskët se në rini». (Jobi 33:24, 25) Të njëjtën gjë do të përjetojnë të gjithë ata që tregojnë çmueshmëri për masën e mëshirshme të Perëndisë për të ringjallur të vdekurit në tokë.
Nëse e ke provuar se ç’do të thotë të humbësh një njeri të shtrenjtë, ndoshta informacionet që kemi shqyrtuar, mund të mos ta largojnë plotësisht pikëllimin. Por, duke medituar për premtimet e Perëndisë në Bibël, mund të gjesh shpresë të vërtetë dhe forcë për të vazhduar përpara.—1 Selanikasve 4:13.
A dëshiron të dish më tepër se si ta përballosh pikëllimin? Ose, a ke pyetje të ngjashme, si për shembull: «Pse i lejon Perëndia ligësinë dhe vuajtjet?» Të lutemi, vizito sitin tonë, jw.org, për të parë përgjigjet ngushëlluese dhe praktike që jep Bibla.