Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | KATËR KALORËSIT​—SI NDIKOJNË TE TI?

Cilët janë katër kalorësit?

Cilët janë katër kalorësit?

Katër kalorësit mund të duken misteriozë dhe shumë të frikshëm, por s’ka pse të jenë të tillë. Pse jo? Sepse Bibla dhe ngjarjet e sotme na ndihmojnë të kuptojmë qartë çfarë paraqet secili prej tyre. Ndonëse kalërimi i tyre ka sinjalizuar ardhjen e katastrofave në tokë, ai mund të jetë lajm i mirë për ty e familjen tënde. Pse e themi këtë? Së pari, le të shohim çfarë paraqet secili kalorës.

KALORËSI I KALIT TË BARDHË

Vegimi fillon kështu: «Ja, pashë një kalë të bardhë, dhe ai që rrinte mbi të, kishte një hark. Atij iu dha një kurorë, e ai doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij.»​—Zbulesa 6:2.

Kush është kalorësi mbi kalin e bardhë? Çelësi për të zbuluar identitetin e tij gjendet në të njëjtin libër biblik, te Zbulesa, që këtë kalorës qiellor më pas e quan «Fjala e Perëndisë». (Zbulesa 19:11-13) Ky titull, Fjala, i përket Jezu Krishtit, sepse ai vepron si zëdhënës i Perëndisë. (Gjoni 1:1, 14) Ai quhet edhe «Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve», dhe përshkruhet si «i Besueshëm e i Vërtetë». (Zbulesa 19:11, 16) Duket qartë se ka autoritet të veprojë si mbret-luftëtar, nuk abuzon me pushtetin dhe as e përdor për të përfituar. Gjithsesi, lindin disa pyetje.

Kush ia jep Jezuit autoritetin për të plotësuar fitoren? (Zbulesa 6:2) Profeti Daniel pa një vegim ku Mesisë, që krahasohet me «një bir njeriu», iu dha «sundim, lavdi dhe mbretëri» nga «i Lashti i Ditëve», Perëndia Jehova. * (Danieli 7:13, 14) Pra, është Perëndia i Plotfuqishëm që i jep Jezuit pushtetin dhe të drejtën të qeverisë e të ekzekutojë gjykimin. Kali i bardhë është simbol i përshtatshëm i luftës së drejtë që bën Biri i Perëndisë, sepse Shkrimet e përdorin shpesh ngjyrën e bardhë për të simbolizuar drejtësinë.​—Zbulesa 3:4; 7:9, 13, 14.

Kur filluan të kalëronin kalorësit? Vër re se kalorësi i parë, Jezui, e fillon kalërimin kur merr kurorën. (Zbulesa 6:2) Kur u kurorëzua Jezui si Mbret në qiell? Nuk ndodhi kur u kthye në qiell pasi vdiq. Bibla tregon se në atë moment filloi një kohë pritjeje. (Hebrenjve 10:12, 13) Jezui u tregoi dishepujve një mënyrë për të kuptuar fundin e kësaj kohe pritjeje dhe fillimin e mbretërimit të tij në qiell. Ai tha se, kur të fillonte të qeveriste, kushtet botërore do të merrnin një kthesë vendimtare për keq. Do të kishte luftëra, mungesë ushqimi dhe murtaja. (Mateu 24:3, 7; Luka 21:10, 11) Pak pasi shpërtheu Lufta I Botërore në vitin 1914, u bë e dukshme që njerëzimi kishte hyrë në atë epokë, një periudhë e trazuar në tokë që Bibla e quan «ditët e fundit».​—2 Timoteut 3:1-5.

Por, pse kushtet s’janë përmirësuar, por janë përkeqësuar që kur Jezui u kurorëzua më 1914? Sepse në atë kohë Jezui filloi të mbretëronte në qiell, jo në tokë. Pas kësaj shpërtheu lufta në qiell, dhe Mbreti i sapovendosur, Jezui, që quhet edhe Mikael, i dëboi në tokë Satanain dhe demonët. (Zbulesa 12:7-9, 12) Që kur është kufizuar në tokë, Satanai është xhindosur, sepse e di se i ka ditët të numëruara. Po, shumë shpejt vullneti i Perëndisë kundër Satanait do të përmbushet edhe këtu në tokë. (Mateu 6:10) Tani, le të shohim se si tre kalorësit e tjerë na ndihmojnë të vërtetojmë se po jetojmë vërtet në «ditët e fundit» plot trazira. Ndryshe nga kalorësi i pari që duket qartë se paraqet një person konkret, tre të tjerët pas tij paraqesin kushtet botërore ku gjendet shoqëria njerëzore.

KALORËSI I KALIT TË KUQ

«Doli një kalë tjetër me ngjyrë të kuqe zjarr. Atij që rrinte mbi të, iu lejua të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të thereshin me njëri-tjetrin, dhe iu dha një shpatë e madhe.»​—Zbulesa 6:4.

Ky kalorës simbolizon luftën. Siç thotë shkrimi, ai heq paqen jo vetëm nga disa kombe, por nga e gjithë toka. Më 1914, për herë të parë në historinë njerëzore, shpërtheu një luftë globale. Ajo u pasua nga një luftë e dytë botërore, që ishte edhe më shkatërrimtare. Sipas disa llogaritjeve, numri total i viktimave për shkak të luftërave dhe të konflikteve të armatosura që nga viti 1914 i kalon 100 milionët. Dhe një numër marramendës pësoi dëmtime serioze.

Sa të përhapura janë luftërat sot? Për herë të parë në histori, duket se njerëzit kanë mjetet për të shfarosur gjithë njerëzimin. Edhe të ashtuquajturat organizata paqeruajtëse, si Kombet e Bashkuara, nuk kanë arritur ta ndalojnë kalorësin e kalit të kuq.

KALORËSI I KALIT TË ZI

«Ja, pashë një kalë të zi, dhe ai që rrinte mbi të, kishte në dorë një peshore. Dëgjova një zë mes katër krijesave të gjalla, që thoshte: ‘Një kenik grurë për një denar dhe tre kenikë elb për një denar. Mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën.’»​—Zbulesa 6:5, 6.

Ky kalorës simbolizon zinë e bukës. Në shkrim paraqitet një situatë ku ushqimi është kaq i rrallë, sa një kenik (0,7 kg) grurë do të kushtonte një denar, rroga e një dite të tërë në shekullin e parë. (Mateu 20:2) Po aq do të kushtonin edhe tre kenikë (2,1 kg) elb, një drithë që konsiderohej më pak cilësor se gruri. Po për sa kohë do të ushqehej me këtë sasi një familje e madhe? Njerëzit u paralajmëruan të kursenin edhe në ushqimet e përditshme, që përfaqësohen nga ushqime bazë të asaj kohe e kulture, si vaji i ullirit dhe vera.

A kemi parë prova që nga 1914-a se ky kalorës po kalëron? Po. Gjatë shekullit të 20-të rreth 70 milionë njerëz humbën jetën nga zia e bukës. Sipas një raporti përllogaritet se «në vitet 2012-2014, 805 milionë veta, rreth një në nëntë njerëz në botë, ishin të kequshqyer kronikë». Një raport tjetër thotë se «uria vret më tepër njerëz se SIDA, malaria dhe tuberkulozi bashkë». Me gjithë përpjekjet e zellshme për të ushqyer të uriturit, kalorësi i kalit të zi nuk është ndalur.

KALORËSI I KALIT TË ZBEHTË

«Ja, pashë një kalë të zbehtë, dhe ai që rrinte mbi të, e kishte emrin Vdekje. Atë e ndiqte nga afër Hadesi. Atyre iu dha autoritet mbi një të katërtën e tokës, për të vrarë me një shpatë të gjatë, me mungesë ushqimi, me plagë vdekjeprurëse dhe me bishat e tokës.»​—Zbulesa 6:8.

Kalorësi i katërt paraqet vdekjen nga epidemitë dhe nga shkaqe të tjera. Menjëherë pas vitit 1914, dhjetëra milionë vdiqën nga gripi spanjoll. Ndoshta rreth 500 milionë njerëz u infektuan, rreth 1 në 3 banorë të tokës.

Por, gripi spanjoll ishte vetëm fillimi. Sipas ekspertëve, gjatë shekullit të 20-të mbi 300 milionë veta humbën jetën nga lia. Deri sot e kësaj dite miliona vdesin para kohe nga SIDA, tuberkulozi e malaria, pavarësisht nga kërkimet mjekësore intensive.

Rezultati mbetet i njëjtë: vdekje, qoftë nga luftërat, zia e bukës apo epidemitë. Hadesi mbledh pa pushim viktimat, pa dhënë asnjë shpresë.

KOHË MË TË MIRA NA PRESIN!

Këto kohë të trazuara do të mbarojnë së shpejti. Mos harro: Jezui «doli fitimtar» në vitin 1914 duke e kufizuar Satanain në sferën tokësore, por nuk e plotësoi fitoren e tij në atë kohë. (Zbulesa 6:2; 12:9, 12) Së shpejti, gjatë Harmagedonit, Jezui do të zhdukë ndikimin e Satanait dhe do të shfarosë njerëzit që mbështetin Djallin. (Zbulesa 20:1-3) Jezui jo vetëm do t’i japë fund kalërimit të tre kalorësve të tjerë, por edhe do të zhbëjë pasojat e kalërimit të tyre shkatërrimtar. Si? Ja çfarë premton Bibla.

Në vend të luftës, do të mbretërojë paqja. Jehovai «i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën». (Psalmi 46:9) Kurse njerëzit që duan paqen, «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund».​—Psalmi 37:11.

Në vend të zisë së bukës, do të ketë bollëk ushqimi. «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»​—Psalmi 72:16.

Së shpejti, Jezui do të zhbëjë pasojat e tre kalorësve të tjerë

Në vend të murtajës e të vdekjes, të gjithë do të gëzojnë shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme. Zoti «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».​—Zbulesa 21:4.

Kur ishte në tokë, Jezui dha një pamje paraprake të kushteve që do të ekzistojnë nën qeverisjen e tij, që na ngroh zemrën. Ai nxiti paqen, ushqeu mijëra veta me anë të mrekullive, shëroi të sëmurët dhe ktheu në jetë të vdekurit.​—Mateu 12:15; 14:19-21; 26:52; Gjoni 11:43, 44.

Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi do të të tregonin nga Bibla jote si të jesh gati kur të mbarojë kalërimi i kalorësve. A do ta pranosh ftesën për të mësuar më shumë?

^ par. 7 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.